1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dështon seanca e KS për Kosovën

Arapi, Lindita20 Dhjetor 2007

Këshilli i Sigurimit nuk arriti të gjejë një zgjidhje të përbashkët për çështjen e Kosovës. Shqiptarët kërkuan pavarësinë, ndërsa Moska dhe Beogradi vazhdimin e negociatave.

https://p.dw.com/p/Cdu6
Këshilli i SigurimitFotografi: AP

Ashtu si edhe pritej Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nuk ka arritur të gjejë një zgjidhje të përbashkët për çështjen e Kosovës. Pas seancës diplomatët evropianë në Këshillin e Sigurimit shprehën keqardhjen e tyre për dështimin e saj. Pozicionet e serbëve dhe shqiptarëve ishin "të papajtueshme" u shpreh të mërkurën në Nju Jork ambasadori belg në OKB, Johan Verbeke, në emër të anëtarëve perëndimorë të Këshillit të Sigurimit.

Gjendjen aktuale Verbeke e cilësoi "të pamundur për t'u zgjatur më tej". Ambasadori belg në KS, Verbeke theksoi se BE-ja megjithatë është e gatshme të marrë një rol udhëheqës në Kosovë. Përfaqësuesi amerikan nga ana e tij, Zalmay Khalizad u shpreh për pavarësinë e Kosovës mbi bazën e rezolutës të vitit 1999. "Ka ardhur koha të ecim përpara", kërkoi Khalizad.

Shqiptarët kërkojnë pavarësinë

Nga pala shqiptare ishte i ftuar presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri i mandatuar, Hashim Thaçi. Ata kërkuan para Këshilli të Sigurimit, miratimin për pavarësinë e Kosovës. Pas seancës presidenti Fatmir Sejdiu u shpreh se" për ne është mjaft i rëndësishëm angazhimi për krijimin e qeverisë së re. Para mediave në Nju Jork më parë kryeministri i mandatuar Hashim Thaçi ishte përpjekur të hiqte frikën e komunitetit ndërkombëtar për fatin e serbëve në Kosovë: "Unë do të bëj çdo gjë që është në pushtetin tim për serbët në Kosovë. Ata do të jenë të përfshirë në jetën demokratike të Kosovës së re, në parlament dhe qeveri."

Pozicioni ruso-serb

Ndërsa Moska dhe Beogradi u shprehën në Nju Jork për vazhdimin e procesit të negociatave. Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica u përpoq t'i bindte të 15 anëtarët e KS për negociata të mëtejshme, por pa rezultat. Këtë e kishte kërkuar më parë edhe ambasadori rus në KS, Vitali Tshurkin i cili paralajmëroi për destabilizimin e rajonit në rast të pavarësisë së njëanshme, shpallja e së cilës: "do të ishte fundamentale për serbët, por veçanërisht për për të drejtën ndërkombëtare në lidhje me integritetin territorial dhe moscënimin e kufijve ndërkombëtare." Tshurkin kërkoi mbajtjen në fuqi të rezolutës 1244 dhe mosndryshimin e saj. Por në rast se BE do të marrë në dorë misionin nga UNMIKU, atëherë duhet ndryshimi i rezolutës 1244 për heqjen e mandatit të OKB-së dhe kalimin e tij tek BE-ja.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon.