1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Në qendrën e çdo arti është njeriu"

24 Dhjetor 2016

Shkrimtarët janë përmes veprimtarisë së tyre sizmografë të mjedisit të tyre, dhe kështu pashmangshmërisht edhe politikë, mendon shkrimtarja rumune Dana Grigorcea.

https://p.dw.com/p/2UoLv
Dana Grigorcea Gastautorin für "Mein Europa"
Fotografi: ZDF

Në fëmijërinë time në Rumaninë komuniste, letërsia kishte një rëndësi të veçantë: librat e ndaluar qarkullonin nga familja në familje. Librat konsideroheshin madje si dritare ndaj botës, dhe për shkak se ato më së shumti trajtonin temat e mëdha të dashurisë dhe të vdekjes, si një çerdhe humanizimi breda regjimit arbitrar diktatorial.

Përveç kësaj kohe të errët të komunizmit unë jam më shumë se kurrë e bindur se letërsia - leximi si dhe shkrimi i saj - na edukojnë për ndjeshmëri; përkatësisht me sfidën dhe detyrimin për t'u zhytur në një botë tjetër, për të ndjekur hulli mendimesh të huaja. Por ç'mund të them unë si letrare dhe nënë në Cyrih se ç'mund të bëjmë ne për njerëzit nga Siria, që arratisen për të ardhur te ne në Evropë?

Së bashku me dramaturgen nga Cyrihu Gunda Zeebin unë nisa një vit më parë në Cyrih një seri bamirësie leximesh, të ardhurat e të cilave shkojnë drejtpërdrejt për të ndihmuar refugjatët në Greqi dhe Turqi. Një herë në muaj tri autore dhe autorë të njohur gjermanishfolës lexojnë nga librat e tyre të fundit ose tekste që i shkruajnë enkas për këtë rast. Jo të gjithë tekstet lidhen me luftën dhe migrimin, por ato të gjithë flasin për humanizimin dhe për atë që na mban së bashku ne si artistë dhe si njerëz.

Lesung in Zürich

Si shkruan njeriu në diktaturë, ç'kufizime përjeton shkrimtari në botën e lirë, çfarë e pengon shkrimin dhe çfarë e nxit atë? Çfarë e bën një libër të ketë vlerë, përtej shitjeve në librari? Mbrëmjet e leximeve për bamirësi nuk janë të moderuara, unë bëj vetëm një paraqitje të shkurtër të autorëve dhe të teksteve që do të lexohen. Përveç autorëve ka edhe dy aktorë që lexojnë nga tekste të përkthyera. Sa i gjallë dhe eksperimental mund të jetë arti në kohët e seriozitet të madh? Çfarë është në gjendje të bëjë arti në kohë të turbullta dhe çfarë duhet të bëjnë ai apo prej çfarë duhet të çlirohet? Për këto pyetje ne përgjigjemi me tekstet që lexojmë.

Pas leximit autorët  dhe mysafirët ulen së bashku me një gotë verë të ngrohtë me erëza ose me një supë të nxehtë. Bisedimet janë çuditërisht politike, çuditërisht sepse ne të gjithë i njohim thirrjet pesimiste se pas Maks Frishti dhe Dyrrenmatit në Zvicër ka vetëm apati politike. Çfarë gabimi! Shkrimtarët janë pikërisht përmes veprimtarisë së tyre sizmografë të mjedisit të tyre, dhe kështu pashmangshmërisht edhe politikë. Vetëm se ata nuk perceptohen më si zëdhënës të shoqërisë, sepse librat e tyre gjykohen sipas vlerës së tregut, një sezon të tërë ose e shumta dy, më pas ato që shkruhen janë mendime të së djeshmes.

Mbrëmjet gëzojnë popullaritet të madh për shkak se ata rrjedhin nga një nevojë. Gjatë tyre mblidhen shuma të konsiderueshme parash, takimet i nxisin të pranishmit për nisma të tjera, nga donacionet deri tek ndihmat direkt në Detin Mesdhe. Pikërisht në këtë kohë të pasigurt, duhet që të gjitha forcat e artistëve të bashkohen dhe të kanalizojnë të gjithë forcën e shoqërisë civile që rrezatojnë artet në projekte ndihme emergjente. Pikërisht në këto kohë nevoje të madhe duhet të japim si shembull që në krye të çdo arti është njeriu - dhe humanizmi pa kushte.