1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Data e votimeve për pushtetin lokal në Shqipëri është në rrezik

Arben Muka20 Dhjetor 2006

Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu po përpiqet për të thirrur tryezën e partive parlamentare, në gjetjen e një zgjidhje që do ti afronte palët, për të bërë të mundur realizimin e zgjedhjeve lokale

https://p.dw.com/p/AraD
Tirana
TiranaFotografi: DW

Sot në Shqipëri duhet të fillonte zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet lokale të dekretuara nga Presidenti Alfred Moisiu të mbahen për 20 janar 2007. Por një gjë e tillë nuk ndodhi. Jo për ndonjë startegji të partive konkurente, por se pranë Komisionit Qëndror të zgjedhjeve nuk është rregjistruar asnjë kandidat për kryetar bashkie, komune apo për anëtar në keshillat e qeverisjes vendore. Shkaku kryesor lidhet me mosngritjen e komisioneve te votimit në njësitë vendore. Opozita nuk ka pranuar të dërgojë përfaqësuesit e saj pranë këtyre komisioneve.

Për opozitën të rëndësishme jane realizimi i standarteve zgjedhore, dhënia e garancisë nga mazhoranca se votimet do të jenë të lira dhe të ndershme. Asnjëra prej partive parlamentare të opozitës nuk është rregjistruar në Komisionin Qendror te Zgjedhjeve, si subjekt konkurues për zgjedhjet lokale. Mungesa e kandidatëve të regjistruar zyrtarisht dhe mosekzistenca e komisioneve zgjedhore në terren e kanë bllokuar procesin.

Presidenti i Republikës po përpiqet për të thirrur tryezën e partive parlamentare, në gjetjen e një zgjidhje që do ti afronte palët, për të bërë të mundur realizimin e zgjedhjeve lokale. Të dy partitë kryesore PD dhe PS janë duke bërë thirrje të ndërsjellta për uljen në bisedime. Mazhoranca shpreh gatishmërinë për zhvillimin me standarte të votimeve në 20 janar 2007. Çdo shtyrje e datës, për mazhorancën është shkelje e ligjit për mandatet që kanë të zgjedhurit aktualë. Sipas nenkryetarit të Parlamentit, Fatos Beja, përfaqësues i PD-së mendon se ka ende kohë që deputetet e të gjitha krahëve të miratojnë ndryshimet në kodin elektoral, për të ndihmuar procesin. „Parlamenti mund të mblidhet në cdo kohë për ta bërë një gjë të tillë, nëse ka vullnet“, thotë Beja. Sipas tij është kompetencë e KQZ, për të zgjidhur situatën e krijuar me mos regjistrimin e kandidatëve.

Ndërkohë që për nënkryetarin tjetër të parlamentit, Ylli Bufi, përfaqësues i opozitës, „nuk është problem shtyrja e një date votimi. E rëndësishme është plotësimi i standarteve. Të zgjidhen çështjet e saktësimit të listave të votimit dhe çertifikatat që do të përdoren në ditën e zgjedhjeve“.

Të mërkurën, kur sipas Kodit ekzistues elektoral duhet të fillonte fushata elektorale, partitë politike ende nuk dinë nëse do të mbahen më 20 janar 2007 votimet apo më pas, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i paralizuar pasi nuk ka komisionet e votimit të nivelit të dytë e nuk ka emra kandidatësh që do të konkurojnë. Ndërkohë që ndërkombëtarët kete here- të paktën sic po duket deri më tani - kanë vendosur të qëndrojnë larg konfliktit e mosmarrëvshjeve, duke ia lënë vetë në dorë partive që të merren vesh për votimet e pushtetit lokal.