1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dauti: 100 ditë suksesi të Qeverisë së Kosovës

Fadil Gashi, Prishtinë22 Korrik 2005

Qeveria e Kosovës ka vlerësuar pozitivisht punën e saj gjatë 100 ditëve të para. Suksesi e ka karakterizuar punën e qeverisë në periudhën 23 mars – 4 korrik janë shprehur zyrtarë të qeverisë.

https://p.dw.com/p/Aqjg
Kryeministri Kosumi me stafin e tij qeveritar
Kryeministri Kosumi me stafin e tij qeveritarFotografi: AP

Qeveria e Kosovës i ka dhënë vetës notë kaluese për njqind ditët e para të qeverisjes. Suksesi e ka karakterizuar angazhimin dhe punën 100-ditore të qeverisë, tha zëdhënësi Daut Dauti pas mbledhjes ku ministrat kanë vlerësuar punën e tyre:

“Qeveria e Kosovës në periudhën 100-ditëshe ka konstatuar se ka shënuar një përparim të madh në të gjitha fushat e saj të veprimit. Pika në të cilën ajo ka qenë e përqëndruar veçmas janë standardet, plani legjislativ i qeverisë, është ekonomia, marrëdhëniet ndërkombëtare, procesi i stabilzim-asocimit, siguria, mbrojtja e komuniteteve, bujqësia dhe planifikimi hapsinor, arsimi e shëndetësia dhe shërbimet publike. Qeveria ka përmbushur me sukses obligimet që dalin nga standardet.” vlerësoi zyrtari i qeverisë për shtyp Daut Dauti.

Decentralizimi, gjithashtu është konsideruar një nga punët e rëndësishme të qeverisë në periudhën 23 mars deri më 4 korrik, ndërkohë që edhe ekonomia është vlerësuar si një histori suksesi:

“Cështja në ekonomi ka qenë tregim i suksesshëm, mirëpo problemi që mbetet në ekonomi nuk është problem i qeverisë, është problem i statusit të pazgjidhur që edhe më tutje vazhdon ta ketë Kosova. Ngecjet në ekonomi vijnë për shkak të mungesës së investimeve nga jashtë dhe të kredive substanciale që do të kishin zgjidhur shumë probleme ashtu siç kanë zgjidhur probleme në vendet tjera evropiane. Është e ditur se deri sa të zgjidhet statusi i Kosovës nuk mund të antarësohemi në këto institucione financiare të fuqishme.”

Qeveria ka mohuar të ketë pasur të meta gjatë punës së saj, sidoqoftë ajo nuk ka shpëtuar pa kritika gjatë njëqind ditëve, veçmas nga opozita. Kritika ka pasur edhe nga përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Havier Solana. Mirëpo, kjo kritikë për qeverinë nuk është vlerësuar të jetë relevante:

“Këtu besojmë se fjalën më të rëndësishme se zoti Solana do të ketë zoti Eide, i cili për së afërmi po studjon çështjen, është në tërren dhe do t’i shohë të arriturat. Ndoshta zoti Solana me deklaratën e tij ka dashur të nxisë më tej shtyerjen e procesit të decentralizimit. Problem ndoshta mund të cilësohet një zhagitje që është tërësisht normale kur nga faza teorike kalohet në atë praktike. Ndërsa gjatë këtij procesi ndodhin nganjëherë gjëra që nuk parashihen.”

Qeveria e Kosovës në krye me kryeministrin Bajram Kosumi ka filluar punën me 23 mars të këtij viti pas dorëheqjes dhe largimit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për shkak të akuzave nga Tribunali i Hagës. Ajo vazhdon të funksionojë mbi bazën e koalicionit midis LDK dhe AAK. Në qeveri ka edhe ministra nga komuniteti boshnjak dhe serb.