1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Debat për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së

26 Nëntor 2009

Parlamenti Evropian debatoi dje për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së. Komisioneri Olli Rehn e quajti ecurinë e deritanishme të zgjerimit një sukses të rëndësishëm.

https://p.dw.com/p/KgrC
Debat për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së
Debat për zgjerimin e mëtejshëm të BE-sëFotografi: DW

"Zgjerimi i BE-së është një nga sukseset më të rëndësishme të 20 viteve më të fundit," do të thoshte Olli Rehn në fjalën e tij, ndoshta të fundit në cilësinë e Komisionit të zgjerimit. Fakti që shumë vende po vazhdojnë të shtrojnë kërkesat për anëtarësim në BE është një dëshmi për atraktivitetin e vazhdueshëm të BE-së.

"Anëtarësimi i Kroacisë ndodhet pak para realizimit, Shqipëria, Mali i Zi dhe Islanda kanë parashtruar kërkesën për kandidaturë. Serbia dhe Bosnja-Hercegovina po e mendojnë atë", tha komisioneri finlandez gjatë prezantimit të strategjisë së zgjerimit.

Bilanci i Rehnit: Synimet e vëna janë realizuar të gjitha, përveç problemit të Qipros. Por Olli Rehn-i nuk e kishte besuar se do të arrinte të zgjidhte çështjen e vizave.

I kënaqur për marrjen e vendimit për heqjen vizave për shtetasit e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, që pritet të përfundohet më datën 19 dhjetor u shpreh edhe ministri i jashtëm i Suedisë, Carl Bildt:

"Është një përparim jashtëzakonisht i madh dhe më i rëndësishmi dhe shpresojmë se edhe Shqipëria dhe Bosnja do të arrijnë të përfshihen në këtë hap kaq të rëndësishëm sa më shpejt që të jetë e mundur", tha kryetari i radhës së BE-së.

Europarlamentarë liberalë dhe të Gjelbër shprehën keqardhjen që Kosova ka mbetur jashtë procesit të liberalizimit të vizave, por përshëndetën faktin që Komisioni do të fillojë dialogun me Kosovën për këtë çështje.

Ndërsa politikanët e partive popullore theksuan më tepër domosdoshmërinë e përfshirjes së Kosovës në procesin e integrimit të BE-së. Kristiansociali gjerman, Bernd Posselt, ishte njëri nga më këmbëngulësit.

"Apeloj që ato shtete që nuk e kanë njohur ende Kosovën ta bëjnë këtë hap, në mënyrë që të mënjanojmë vështirësitë juridike dhe teknike për përfshirjen e Kosovës në procesin e integrimit," tha politikani bavarez.

Parlamenti Evropian do të miratojë sot një rezolutë për strategjinë e zgjerimit të BE-së. Rezoluta e hartuar nga deputeti italian Gabriele Albertini, nga Partitë Popullore, u miratua të hënën nga komisioni për çështje të jashtme.

Autor: Anila Shuka/ Berlin

Redaktoi: Auron Dodi