1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

230810 Deutschland Bundeswehr

29 Gusht 2010

Karl Theodor zu Guttenberg : "Eshtë mjaft e rëndësishme, që realitetin të mos e gjykosh vetëm nga tryeza e punës, por edhe atje ku zhvillohen luftimet."

https://p.dw.com/p/Oyrl
Ministri i Mbrojtjes Karl Theodor zu Guttenberg në Afganistan.
Ministri i Mbrojtjes Karl Theodor zu Guttenberg në Afganistan.Fotografi: AP

Ndërkohë që në Gjermani është hapur diskutimi mbi heqjen ose jo të shërbimit të detyruar ushtarak, ministri i Mbrojtjes, Karl Theodor zu Guttenberg vizitoi kontigjentin e Bundesverit (ushtria gjermane) në zonën e luftimeve në Afganistan. Nga kampi fushor në Kundus të Afganistanit verior, ai shkoi 70 km më tej, në provincën Baghlan. Atje është stacionuar e ashtuquajtura trupë e ndërhyrjes së shpejtë, e cila i kryen ndërhyrjet e saj së bashku me ushtrinë afgane. Zu Guttenberg u shprehu mirënjohjen ushtarëve për angazhimin e tyre. "Eshtë mjaft e rëndësishme, që realitetin të mos e gjykosh vetëm nga tryeza e punës, por edhe atje ku zhvillohen luftimet", tha ministri. Vizita e trupave që ndodhen në zonën e luftimeve ka qenë prej kohësh dëshira e tij: "Unë besoj, se është detyrë e ministrit që takohet me ushtarët, të cilët e kryejnë shërbimin këtu prej javësh në kushte të vështira." Zu Guttenberg bazën e mbrojtjes në Baghlan Guttenberg donte ta vizitonte qysh në qershor gjatë udhëtimit të tij të fundit në Afganistan, por atëherë atij iu desh të kthehet nga rruga për shkak të një luftimi.

Edhe Presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert, i cili gjithashtu qëndroi në Masar-i-Scharif dhe në Kundus, vazhdoi ndërkohë udhëtimin në Kabul, për të zhvilluar biseda politike me presidentin afgan Hamid Karsai dhe me kryekomandantin e trupave të SHBA, David Petraeus.

Ministri i Mbrojtjes dhe Presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert.
Ministri i Mbrojtjes dhe Presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert.Fotografi: AP

Ushtria gjermane ndodhet para reformës më të madhe në historinë e saj 55-vjeçare

Ministri i Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg duhet të kursejë 8,3 miliardë euro deri në vitin 2014 dhe duhet të krijojë një armatë fleksibël dhe të kualifikuar. Më 23 gusht ai prezantoi planet për kursime. Çfarë do të ndodhë me Bundesverin dhe me detyrimin ushtarak? Ministri i Mbrojtjes Guttenberg ka konceptuar pesë skenare të ndryshme, me të cilat përveç kursimeve do të shtohej edhe efikasiteti dhe nuk do të cënohej siguria e vendit. Së pari Guttenberg informoi për këto plane kancelaren Merkel, bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert. „Ministri i Mbrojtjes zu Guttenberg mendon se njëri prej koncepteve ofron mundësi më të mëdha. Kancelarja nuk do të prononcohet para se kjo temë të diskutohet në parti, por ajo mendon se kjo është një bazë e mirë për një reformë të mundëshme të Bundesverit dhe për debate brenda partive", tha ai. Kancelarja i ka lënë të hapura të gjitha mundësitë, që do të thotë se nuk pritet një vendim i shpejtë.

Verteidigungsminister Karl Theodor zu Guttenberg vor dem Reichstag in Berlin
Fotografi: AP

Bundesveri me më pak trupa dhe me më shumë efikasitet

Ministri zu Guttenberg preferon më së shumë "modelin 4". „Ky model bën të qartë se Bundesveri në fund do të zvogëlohet dhe do të jetë më i mirë. Do të ketë aftësi më të mëdha veprimi, ofron mbrojtjen e vendit dhe kryerjen punëve të domosdoshme.“ "Modeli 4" parashikon zvogëlimin e Bundesverit në një të tretën, me 156.000 ushtarë profesionistë për një kohë të caktuar si dhe 7.500 persona që duan ta kryejnë vullnetarisht shërbimin ushtarak. Këtu përfshihen edhe femrat. Struktura udhëheqëse dhe shtabi do të zvogëlohet, por më shumë interes ka zgjuar debati rreth heqjes së shërbimit ushtarak.

Zu Guttenberg: „Përsa i përket çështjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak për mua është shumë me rëndësi që ajo të mbetet në Kushtetutë, sepse mua më befasojnë ata që mendojnë se e dinë se çfarë do të ndodhë pas 20 apo 30 vitesh. Unë nuk e di, prandaj besoj se duhet të mbetet mundësia e angazhimit të të rinjëve, në rast nevoje."

Guttenberg është pra kundër heqjes së plotë të detyrimit ushtarak. Për liberalët debati po shkon në drejtim të duhur, ndërsa shumë politikanë të partive të Unionit janë të pakënaqur. Disa prej tyre kërkojnë heqjen e këtij detyrimi, ndërsa të tjerët janë kundër.

Edhe partitë opozitare kanë mendime të ndryshme

Shefi i socialdemokratëve Sigmar Gabriel është për mbajtjen e shërbimit ushtarak në baza vullnetare. Ndërsa ekologjistët janë të pakënaqur.

Renate Künast: „Këtu nuk duhet të ketë zgjidhje gjysmake ku të thuhet se detyrimi ushtarak parashikohet me Kushtetutë, se mbetet shërbimi vullnetar ushtarak dhe gjëra të tilla. Detyrimi ushtarak duhet të hiqet dhe të futet një lloj shërbimi fleksibël në afat prej 12 deri 24 muaj, si për gratë ashtu dhe për burrat", pohon Renate Künast, e cila mendon se në këtë mënyrë do të kurseheshin rreth 45.000 vende pune. Debati në Gjermani vazhdon.

Autor: Heiner Kiesel/ Bahri Cani

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora