1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Decentralizimi në Kosovë, në fazën përfundimtare

24 Qershor 2010

Përfaqësues ndërkombëtarë dhe zyrtarë të qeverisë së Kosovës thonë se krijimi i komunave të reja në bazë të planit të decentralizimit ka hyrë në fazën përfundimtare.

https://p.dw.com/p/O1iq
Qyteti i MitrovicësFotografi: DW

Ata thonë se pjesëmarrja e madhe në zgjedhjet për komunën serbe të Parteshit do të jetë shembull i mirë për integrimin e veriut në sistemin kosovar. Përfaqësues të serbëve nga ana e tyre thonë se institucionet e Kosovës nuk do të kenë ndikim te serbët e veriut.

Pjesëmarrje e madhe e serbëve në zgjedhjet lokale në Partesh

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës dhe ata të zyrës civile ndërkombëtare besojnë se edhe qytetarët e veriut të Mitrovicës do të binden se procesi i decentralizimit është vetëm në të mirë të tyre. Ata thonë se shembulli më i mirë është pjesëmarrja shumë e madhe e serbëve në zgjedhjet lokale në komunën e Parteshit, komunë kjo e krijuar në bazë të planit për cenetralizimit të Marti Ahtisarit. Shefi i zyrës civile ndërkombëtare, Peter Faith, në një fjalim dejtuar komisionit evropian, tha se serbët e Kosovës dita ditës janë duke e kuptuar se çka ofron procesi i decentralizimit.

Peter Faith
Shefi i zyrës civile ndërkombëtare, Peter Faith.Fotografi: DW

”Zgjedhjet e sukseshme në Partesh demonstruan qartë se kohërat kanë ndryshuar. Dalja në zgjedhje me mbi 62 përqind tregon qartë gatishmërinë e qytetarëve serbë të Parteshit që të përqafojnë të mirat, që ofron procesi i decentralizimit“, thotë Peter Faith. Komuna e re serbe e Parteshit është komuna e parafundit serbe, që u krijua në bazë të planit të Marti Ahtisarit.

Përgatitje për krijimin e komunës së re të Mitrovicës së Veriut

Ka mbetur vetëm edhe krijimi i komunës veriore të Mitrovicës për të shënuar edhe përbylljen e këtij procesi. Zyrtarë nga zyra civile ndërkombëtare i thanë DW nëpërmes një letre të shkruar se në partneritet me Qeverinë e Kosovës ata po vazhdojnë përgatitjet për krijimin e komunës së re të Mitrovicës së Veriut, që do t'iu mundësojë qytetarëve të saj ndikim të vërtetë mbi çështjet, që i preokupojnë ata më së shumti. Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës nga ana tjetër shpresojnë se suksesi i treguar gjatë zgjedhjeve në komunën e re të Parteshit do të jetë inkurajues për veriun e Kosovës dhe inkuadrimin e komunitetit serb në jetën institucionale të vendit. Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thotë për programin tonë, se institucionet janë të përkushtuara për të vazhduar me zbatimin e procesit të decentralizimit.

“Unë jam i bindur se ai është një proces i nevojshëm, i cili do të ndihmojë në faktorizimin e qytetarëve dhe lidëreve edhe në pjesën veriore të Mitrovicës. Decentralizimi krijon mundësi të mira, që ata të menaxhojnë me resurset dhe me të drejtat e tyre në një komunë me aq shumë kompetenca me autonomi të fuqishmë dhe mbështetje të fuqishme financiare“, thotë ministri Sadri Ferati.

Sadri Ferati
Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati.Fotografi: DW/Bekim Shehu

Ministri Ferati pranon se në veri të Kosovës serbët janë të ndikuar nga Beogradi dhe qeveria e Kosovës ka vështirësi në implementimin e projekteve. Përfaqësues të serbëve të veriut të Kosovës nga ana e tyre janë të bindur se institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare nuk do të kenë ndikim në veri, ashtu siç kanë ndikim te serbët e pjesëve tjera të Kosovës. Kështu thotë per mediat lokale serbe Marko Jakshiq, një përfaqësues i serbëve të veriut.

“Sa i përket pjesës veriore, këtu kemi një qëndrim tjetër të Beogradit. Megjithatë do të kemi shans të shohim, nëse Beogradi do të sillet ndryshe, kur Prishtina t'i shpallë zgjedhjet për veriun e Kosovës. Unë mendoj se Beogradi do të mbajë qëndrim tjetër, sa i përket daljes së serbëve në pjesën veriore. Dhe nëse Beogradi dërgon sinjal se serbët nuk duhet të dalin në zgjedhje, atëherë serbët nuk do të dalin në zgjedhje”, thotë Marko Jakshiq. Sidoqoftë qeveria e Kosovës akoma nuk ka caktuar një datë, se kur do të mbahen zgjedhjet për komunën e veriut të Mitrovicës. Vonesat në caktimin e kësaj date sipas tyre kanë të bëjnë sepse ata dëshirojnë që zgjedhjet për komunën e veriut të Mitrovicës të jenë të sukseshme dhe me këtë të zbehet edhe ndikimi i strukturave paralele serbe në veri.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica