1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

110209 EU-Vertrag Karlsruhe

Marcel Fürstenau12 Shkurt 2009

Gjykata Kushtetuese ka përfunduar seancën dëgjimore lidhur me Paktin e Lisbonës. Padia është ngritur nga fraksioni i majtistëve në Bundestag, por kundër saj janë shprehur edhe disa deputetë të partive tjera.

https://p.dw.com/p/GsMK
Krerët e BE-së pozojnë së bashku pas nënshkrimit të Paktit të Lisbonës, 13. 12. 2007.Fotografi: AP

Shkaku kryesor i refuzimit të Paktit të Lisbonës nga e Majta dhe disa deputetë gjermanë janë mungesat demokratike dhe zhvlerësimi i rolit të parlamenteve kombëtare. Vendimi i institucioni më të lartë juridik në vend pritet në pranverë dhe mund të ketë pasoja serioze për dokumentin e miratuar prej Parlamentit. Marrëveshja ende nuk është futur në fuqi, për shkak të kundërshtimit prej Irlandës.

Qëndrimet e politikanëve gjermanë ndaj dokumentit evropian

Shumica dërmuese në bundestag në prill të vitit të kaluar ishte dakord me Paktin e Lisbonës: Gati 90 % e deputetëve votuan për këtë dokument, ndërsa kundër ishte vetëm Partia Majtiste. Kritika e tyre kryesore ishte mungesa e legjitimitetit, për shkak se në shumë vende të BE-së nuk ka pasur referendume, mungesa e garancive për të drejtat elementare sociale, por edhe fakti që në pakt nuk përjashtohet as armatosja.

Bundesverfassungsgericht Schild Karlsruhe
Gjykata Kushtetuese Gjermane në KarlsruheFotografi: AP

Pas seancës dëgjimore dyditore në Gjykatën Kushtetuese, shefi i fraksionit majtist në Parlament, Gregor Gysi ishte optimist i matur. Ai tha se ende nuk është thënë fjala e fundit. Gysi i mbështet shpresat tek pyetjet kritike të gjykatësve. „Për shembull: në Evropë mund të hartohen ligje penale, të cilat më vonë duhet të zbatohen edhe në Gjermani. Kjo do të thotë se kur shumica në Bundestag pohon se një vepër nuk është e dënueshme, ndërsa Evropa pohon të kundërtën, atëherë Gjermania duhet t'i zbatojë rregullat që vijnë nga Evropa. Ne këtu e kemi vënë një pikëpyetje të madhe."

Parlamenti gjerman dhe Evropa

Me fjalë kritike kundër Paktit të Lisbonës shprehet edhe deputeti i të gjelbërve, Hans-Christian Ströbele, i cili megjithatë ka votuar për këtë dokument. Ai mendon se ai do të forcojë rolin e Parlementit Evropian. Ströbele shpreson se vendimi i gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese në pranverë do t'i mundësojë më shumë të drejta edhe Parlamentit gjerman, në raport me Brukselin. Ströbele: „Rregullat duhet të përkufizohen, që do të thotë se ne nuk mund të jemi vetëm zbatues të direktivave, që mbizotërojnë atje. Atje merren drejtimet, ndërsa ne jemi vetëm si noterë, na mbetet vetëm t'i fusim ato në ligjet gjermane. Kjo nuk është e mundur, sepse edhe ne duhet të kemi një lloj përgjegjësie. Duhet të ekzistojë mundësia që Parlamenti gjerman të thotë edhe 'Jo'."

Christian Ströbele in Hannover
Politikani i të gjelbërve, Christian StröbeleFotografi: AP

As kryetari i liberalëve, Guido Westerwelle nuk është i mendimit se Pakti i Lisbonës është zgjidhja më e mirë. Por ai e shfrytëzon çdo rast për të deklaruar: „Evropa nuk është vetëm një shoqëri ekonomike apo shoqëri monetare. Evropa garanton para së gjithash paqen dhe mirëqenien. Madje sikur Evropa vetëm paqen të ketë sjellë në kontinentin tonë, kjo është e mjaftueshme. Shumëkush harron kur kritikon Evropën, shpesh edhe me të drejtë, se ne po e ndërtojmë Evropën për të siguruar paqen në Evropë."

Por Qeveria federale nuk ka nevojë të bindet për Paktin e Lisbonës. Ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier, dhe ai i Brendshëm, Wolfgang Schäuble, deklaruan se debati për këtë Marrëveshje është i domosdoshëm dhe në përputhshmëri me Kushtetutën. Një pikë tjetër kritike është kuptueshmëria e tekstit të Marrëveshjes. Deputeti Hans-Christian Ströbele thotë: „Madje edhe për juristët është vështirë ta kuptojnë si dhe për shumicën e deputetëve.“

Një pjesëmarrës në seancën dëgjimore e komentoi kështu cilësinë e tekstit të Paktit: nuk është kërkuar lirikë e mirë, por edhe një prozë e mirë do të kishte mjaftuar.

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë