1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deklarata të papranueshme

9 Dhjetor 2005

Mbarë opinioni ndërkombëtar reagon me indinjatë pas deklaratës së presidentit të Iranit, Mahmud Ahmedinaxhad kundër Izraelit

https://p.dw.com/p/ArN0
Presidenti i Iranit, Ahmedinexhad
Presidenti i Iranit, AhmedinexhadFotografi: AP

Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmedinexhad është shprehur për krijimin e një shteti hebrej në territorin gjerman dhe austriak. Njëkohësisht, siç njoftojnë mediat iraniane, duke folur përpara gazetarëve në qytetin e pelegrinazhit, Mekë, Ahmedinexhad ka përgënjeshtruar përndjekjen e hebrejve gjatë kohës së nazizmit. Qeveria e SHBA i kritikoi këto deklarata si perverse dhe marrëzi. Izraeli i ka cilësuar ato si të "përbindshme".


Reagime në Gjermani

Gjatë takimit në Berlin, kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez, Zhak Shirak i hodhën poshtë si "tërësisht të papranueshme" deklaratat e presidentit të Iranit. Merkel theksoi, se i hedh poshtë me forcë këto deklarime: "Si kancelare e Republikës federale të Gjermanisë dhe duke pasur parasysh përgjegjësinë tonë historike vetëm mund të them, se ne e hedhim poshtë me forcë dhe se do të angazhohemi me gjithçka është e mundur, për të bërë të qartë, se në asnjë lloj rrethane nuk ka për të pasur rrezikim të ekszitencës së shtetit të Izraelit. Jam plotësisht e sigurt, se shumica në bashkësinë ndërkombëtare mendon në mënyrë të ngjashme", nënvizoi Merkel.

Edhe ministri i punëve të jashtme, Frank-Valter Shtajnmajer është shprehur me indinjatë në Bruksel duke nënvizuar: "Besoj, se kjo tregon, se me sa pak seriozitet dhe me sa shumë cinizëm po e gjykon qeveria në Iran situatën aktuale". Njëkohësisht Shtajnmajer siguroi, se BE-ja do t´i vazhdojë bisedimet me Teheranin për të marrë garanci që ai nuk dëshiron të prodhojë armë bërthamore.

Siç njofton agjencia e lajmeve IRNA, Ahmedinexhad shprehimisht ka deklaruar: "Disa shtete evropiane këmbëngulin, që Hitleri ka vrarë miliona hebrej të pafajshëm. Kushdo që e vë në dyshim këtë dënohet ose përfundon në burg. Ne nuk e pranojmë këtë pretendim, pra Holokaustin. Por edhe sikur kjo të ketë ekzistuar vërtetë ne u shtrojmë pyetjen evropianëve: A është arësye vrasja e hebrejve të pafajshëm për të mbështetur pushtuesit në Jeruzalem? Në rast se evropianët janë të ndershëm, duhet që t´u bëjnë vend sionistëve në disa prej vendeve të tyre si në Gjermani apo Austri. E kështu sionistët mund të krijojnë shtetin e tyre. Nëse ju evropianët i ofroni një pjesë tuajën Izraelit, ne do ta mbështesim iniciativën tuaj", ka deklaruar shprehimisht Ahmedinexhad i cituar nga agjencia IRNA. Këtë deklaratë Ahmedinaxh e bëri në kuadër të një takimi të nivelit të lartë të vendeve islamike në Mekë.

Reagime në Izrael

Një zëdhënës i ministrisë së jashtme izraelite tha, se "kjo nuk është hera e parë që presidenti iranian përdor një gjuhë të tillë të përbindshme ndaj hrebrejve dhe Izraelit". Duke iu referuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që së fundi dënoi përgënjeshtrimin në çdo lloj forme të Holokaustit, ndaj sipas zëdhënësit, me këto deklarime Ahmedinexhad bën të qartë, se ai me pozicionin e vet "qëndron jashtë normave të pranuara ndërkombëtarisht".

ShBA deklarojnë, se me këto shprehje të presidentit iranian përforcohen rezervat kundrejt qeverisë iraniane. Duke pasur një qëndrim të tillë është edhe më e rëndësishme që Irani nuk duhet të posedojë armë bërthamore.