1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deklarimi i pasurisë nga zyrtarët në Kosovë kritikohet nga shoqëria civile

19 Maj 2009

Strategjia antikorrupsion e qeverisë së Kosovës, përfshin edhe nismën për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë. Janë 800 zyrtarë të lartë që detyrohen ta deklarojnë pasurinë e tyre. Por jo prejardhjen e saj.

https://p.dw.com/p/HtT0
Shumë parash futet në xhep në zarf neutral
Fotografi: picture-alliance/ dpa/dpaweb

Zero tolerancë ndaj korrupsionit, është motoja e qeverisë, e cila ka kohë që i ka shpallur luftë kësaj dukurie. Në strategjinë kundër korrupsionit përfshihet edhe deklarimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë shtetërorë. Me këtë proces është e ngarkuar Agjencia Antikorrupsion, një institucion i cili funksionon tash e tri vjet në Kosovë. Janë 800 zyrtarë të lartë të institucioneve të përfshirë në listën e kësaj agjencie që janë të obliguar që ta deklarojnë pasurinë e tyre. Procedura e deklarimit të pasurisë në këtë rast thuhet të jetë shumë e thjeshtë.

Një zyrtar i lartë duhet të mbushë një formular, ku deklaron pasurinë e tij dhe atë ta dërgojë në Agjensinë Antikorrupsion. Jetullah Aliu, nga Agjencia Antikorrupsion, thotë se nga 800 zyrtarët e institucioneve, 95 përqind e tyre tashmë i kanë mbushur këta formularë, ndërsa është një numër shumë i vogël që akoma nuk e kanë kryer këtë obligim dhe ndaj tyre pritet të merren masa.

Ne do t'i bëjmë publikë emrat e zyrtarëve që nuk janë deklaruar. Pas kësaj, ne do të njoftojmë institucionin, në të cilin është në marrëdhënie pune personi apo zyrtari i lartë dhe Agjencia nxjerr një paralajmërim që t'i zvogëlohet një e pesta e pagës së zyrtarit të lartë, për tre muaj rresht. Nëse përsëri, brenda tre muajve, nuk e sjell formularin te Agjencia, atëherë Agjencia nxjerr një paralajmërim, ku institucioni fillon me shkarkimin ose me procedurën e shkarkimit të zyrtarit, në vendin në të cilin është duke punuar”, thotë Jetullah Aliu.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, thonë se kërkesa për daklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë të institucioneve ka qenë kërkesë e qeverisë Thaci, që në ditët e para të krijimit. Zëdhënësi i qeverisë, Memli Krasniqi, thotë se qeveria pret publikimin e raportit nga Agjencia Antikorrupsion dhe natyrisht që do të ndërmerren masa për ata që nuk kanë deklaruar pasurinë.

Ne kemi kërkuar dhe është e logjikshme që të kërkojmë, sepse është obligim i të gjithë zyrtarëve të lartë që të deklarojnë pasurinë e tyre. Shpresojmë se deri në momentin e fundit, ata tashmë e kanë bërë. Për sa i përket mosdeklarimeve, ne do të merremi me to, nëse ato ndodhin, pasi të kemi informacione konkrete”, theksoi Krasniqi.

Mirëpo, përfaqësues të shoqërisë civile nuk janë të kënaqur me qasjen e qeverisë dhe Agjencisë Antikorrupsion, rreth procesit të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë institucional. Avni Zogjiani, nga organizata joqeveritare Cohu, thotë se është e papranueshme që formularët e plotësuar nga zyrtarët institucional të mos jenë të hapura për publikun deri në momentin e dërgimit të raportit në qeveri.

Këta formularë, ashtu sic ndodh në të gjitha vendet e rajonit, duhet të jenë të hapuar për publikun. Agjencioni ka keqinterpretuar propozim - ligjin antikorrupsion dhe ka insistuar se këta formularë duhet të qëndrojnë të mbyllur për publikun, në ndërkohë që agjencioni duhet t'i verifikojë ato nëse është shtuar pasuria e zyrtarëve institucional”, thotë Zogjiani.

Në Kosovë ekziston një propozim-ligj që obligon zyrtarët institucional ta deklarojnë pasurinë mirëpo, nuk i obligon ata që ta deklarojnë prejardhjen e pasurisë. Avni Zogjiani, thotë se është krejtësisht pa vlerë deklarimi i pasurisë nëse prejardhja e së njejtës pasuri nuk mund të verifikohet.

Nuk ka kuptim mbushja e një formulari nëse për një kohë të caktuar ai është i mbyllur për publikun. Nuk ka kuptim nëse një zyrtarë deklaron se kjo është vlera e pasurisë së tij, nëse nuk ka një mekanizëm që verifikon të ardhurat e tij dhe më ato të ardhura a mund zyrtari që ta sigurojë atë pasuri. Pra, këto janë defekte që sipas mendimit tim qëllimisht janë menduar të mbesin të tilla nga zyrtarët e lartë institucional në mënyrë që të mos dihet prejardhja e pasurisë së tyre” thotë Zogjiani.

Z

yrtarë të qeverisë së Kosovës, thonë se ata tashmë kanë proceduar në Kuvend ligjin mbi deklarimin e pasurisë, ku pritet të plotësohet me amendamente të vecanta dhe zyrtarët detyrohen ta deklarojnë edhe prejardhjen e pasurisë. Pasi ligji të miratohet në parlament, ai duhet të rishikohet nga zyra civile ndërkombëtare nëse është në përputhje me pakon e Marti Ahtisarit dhe krejt në fund të dekretohet nga presidenti në mënyrë që të jetë i plotfuqishëm.


Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi