1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Demokracia fillon tek ushtrimi i së drejtës për të votuar

16 Qershor 2009

Pajisja e qytetarëve shqiptarë me karta identeti shihet si parakusht thelbesor që zgjedhjet e 28 qershorit t'u përgjigjen standardeve ndërkombëtare dhe të cilësohen si "të lira dhe të ndershme".

https://p.dw.com/p/IAis
Ndertesa e KQZ, Tirane
Për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit qytetarëve që nuk kanë pasaportë u duhet karta e identitetit, e cila do të zëvendësojë certifikatat e lindjes.Fotografi: DW/ Arben Muka

Mospajisja me kartë identiteti që sjell si rezultat pamundësinë e ushtrimit të së drejtës së votës është çështja më e nxehtë në luftën politike të ditës mes forcave politike kundërshtare që marin pjesë në garë. Po si po ecën ky proces dhe çfarë mendojnë vetë qytetarët?

- Ma shiko pak këtë kupon, ku do ta marr kartën e identitetit? Më thanë atje prapa. Ndenja një orë, pasaj më thanë të vij këtu. Këtu e kam? Ma shiko, të keqen nëna.
- Po, po, në rregull.
- Këtu domethënë, edhe do të aplikojmë, edhe do ta marrim, ... hë pra, ma shpiego, të lutem!"

Ky dialog për kartat e identitetit bëhet mes banorëve të njësisë bashkiake Nr 1 në Tiranë dhe punonjësve të gjendjes civile të kësaj njësie. Ata janë qytetarë që nuk kanë pasaportë. Dhe për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit atyre u duhet karta e identitetit. Ajo do të zëvendësojë certifikatat e lindjes, burim i pretendimeve për manipulim të rezultatit të votimeve nga palët humbëse në zgjedhjet e kaluara. Pajisja e kësaj kategorie qytetarësh shihet si një parakusht thelbesor që zgjedhjet e 28 qershorit të jenë konform të gjitha standardeve ndërkombëtare dhe të cilësohen si "të lira dhe të ndershme".

Afati i aplikimeve për të gjithë këtë kategori qytetarësh mbaronte më 15.06, por Ministria e Brendshme vendosi ta shtyje atë edhe për tri ditë të tjera. Kompanisë franceze SAGEM, që ka marrë me koncesion prodhimin e kartave të identitetit ne Shqiperi, do t'i duhet t'i përshpejtojë afatet e deritanishme të përgatitjes së kartave pas marrjes së gjurmë, që shkonin deri në dy javë.


Shakir Qefalia, që sapo e ka marrë kartën e tij të identitetit në njësinë bashkiake Nr. 1 të Tiranës, thotë: "Kam ardhur edhe dy herë të tjera, por nuk ishte gati. Tani e mora"

Kurse Spartak Dobi, një burrë rreth të 60-ve që ka ardhur bashkë me një djalë të ri, shton: "Unë vetë e kam marrë kohë më parë kartën time të identitetit. Ky është im nip, që voton për herë të parë. Ka qenë në Gjermani, prandaj erdhëm sot për të marrë kartën për të votuar."

Ai bën pjesë në grupin e qytetarëve që kanë përvoja pozitive me marrjen e kartës së identitetit brenda afatit të premtuar.

"Procesi i pajisjes me karta identitetit në këtë njësi ka ecur shumë mirë. Kam parë që kanë marrë kartën një javë pas aplikimit. Motra ime , kështu e mori, për një javë." shton Spartak Dobi.

Vota - një nga të drejtat themelore të qytetarëve

Nga 19 mijë banorët e Njësisë Bashkiake Nr.1 që duhet të marrin kartën e identitetit deri tani atë e kanë marrë 17 mijë. Një pjesë nga dy mijët e mbetur pa e marrë ende kanë aplikuar dhe pritet ta marrin në ditët e ardhshme. Të tjerët, nëse duan të votojnë duke ushtruar një nga të drejtat e tyre themelore, duhet të aplikojnë në ditët e fundit që kanë mbetur.

"Kam pasur shumë punë. Nuk kam pasur kohë, tani do të aplikoj." - thotë një djalë i ri.

Për pensionistët aplikimi për kartën e identitetit - çështje parash

Por për pensionistët aplikimi në ditët e fundit nuk është as çështje kohe, as angazhimesh të tjera, por çështje parash. 1.200 lekë të reja apo rreth 10 euro që ata duhet të paguajnë për të marrë kartën e identitetit janë pak si shumë për xhepin e tyre të varfër, ku çdo muaj futet një pension prej rreth 80 eurosh.

"Për ne pensionistët është shumë. Nuk kemi kush të na i japë këto para. Kush të ndihmojë? Fëmijët kanë familjet e tyre dhe nuk munden, kupton?" - thotë një grua e moshuar që pret radhën për të bërë aplikimin.


Aplikim do të thotë të mbushësh një formular me të dhënat personale, të depozitosh shenjat e gishtërinjve dhe të dalësh në një fotografi biometrike. Të gjitha këto transferohen on line nga zyrat e njësive bashkiake në rang republike në qendrën e të dhënave në Tiranë. Sistemi është i aftë që brenda 8-10 sekondash të bëjë përpunimin e të dhënave të çdo aplikanti, t'i verifikojë dhe konfirmojë ato. Kur të dhënat janë të rregullta ato i kalojnë sektorit të prodhimit.

Shenjat e gishtërinjve e bëjnë falsifikimin të pamundur

Karta e identitetit është një smart card dhe ka një çip mbështjellës ku ruhet gjithë informacioni që ekspozohet në sipërfaqjen e kartës. Çipi përmban edhe informacionin biometrik dhe kriptografik. Ky i fundit siguron fshehtësinë e të dhënave personale.

A ka kjo kartë mundësi të falsifikimi dhe në këtë mënyrë edhe mundësi manipulimi përmes saj të zgjedhjeve të 28 qershorit? Përfaqësues të kompanisë franceze SAGEM thanë për DW se ka pasur raste, kur një qytetar ka aplikuar disa herë për të marrë më shumë se një kartë identiteti. Por garanci për zbulimin e rasteve të tilla janë shenjat e gishtërinjve gjë që e bën falsifikimin të pamundur. Sipas përfaëqsuesve të SAGEM-it fotografia apo të dhënat në një rast të rrallë edhe mund të falsifikohen, por jo shenjat e gishtave. Kjo e bën entuziast Shakir Qefalinë, që do të votojë për herë të parë më 28 qershor. "Demokracia fillon këtu, tek ushtrimi i së drejtës për të votuar. Jemi ne që votojmë për ata që do të na qeverisin, për ata që do të vijnë nesër në Parlament. Duhet të votojmë të gjithë përndryshe vullneti ynë do të shtrëmbërohet", thotë ai.

Autore: Ani Ruci
Redaktoi: Pandeli Pani