1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhje në SHBA

cnn, dpa/M.Kelmendi6 Nëntor 2013

Pas 12 vjetësh me Michael Bloomberg, Nju Jorku tani ka një kryebashkiak të ri. Bill Blasio fitoi me shumicë në garën për kreun e metropolit milionësh.

https://p.dw.com/p/1ACtt
Fotografi: Reuters

Kryebashkiaku i ri i Nju Jorkut është demokrati Bill de Blasio. 52 vjeçari fitoi zgjedhjet e zhvilluara ditën e martë (05.11) ndaj rivalit të tij republikan Joe Lhota, bëjnë të ditur mediat amerikane. De Blasio e merr këtë post në krye të metropolit milionësh zyrtarisht në janar duke zënë vendin e miliarderit pa parti Michael Bloomberg, i cili pas 12 vjetësh dhe tre mandate si kryebashkiak, nuk mund të kandidonte më. De Blasio deri tani ka ushtruar detyrën e të ngarkuarit për të drejtat e qytetarëve. Në rast fitoreje, avokati pati premtuar gjatë fushatës zgjedhore se do të rrisë tatimet për të pasurit, do të përmirësojë përkujdesjen për fëmijët e vegjël si dhe standartin nër shkolla. Gjithashtu ai dëshironte t'i bëjë më të përballueshme nga ana finaciare banesat për qytetarët.

Zgjedhje pati edhe në shtetet federale të SHBA-së, Nju Xhersi dhe Virxhinia. Në Nju Xhersi u rizgjodh guvernatori republikan Chris Christie. Politikani 51 vjeçar, i cili u bë i njohur me angazhimin e tij për ciklonin "Sandy" para një viti, mbahet si kandidat i mundshëm i republikanëve për president në zgjedhjet e ardhshme në 2016. Ai fitoi në një garë të lehtë ndaj senatores demokrate të shtetit, Barbara Buono. Në Virxhinia fitoi me një diferencë të ngushtë demokrati Terry McAuliffe, ish kryetar i Komitetit Kombëtar Demokratik, i cili u përball me rivalin republikan Ken Cuccinelli, Prokuror i Përgjithshëm shteti.