1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Demos Russland

24 Dhjetor 2011

Në Rusi demonstruan të shtunën dhjetëra mijëra vetë kundër kryeministrit Putin dhe rezultatit të diskutueshëm të zgjedhjeve parlamentare. Në Moskë u grumbulluan sipas policisë 28.000 vetë, opozita bëri fjalë për 120.000.

https://p.dw.com/p/13YvO
Demonstruesit mbanin flamuj të opozitës ruse gjatë protestës kundër manipulimeve në zgjedhje të shtunën në Moskë.
Demonstruesit mbanin flamuj të opozitës ruse gjatë protestës kundër manipulimeve në zgjedhje të shtunën në Moskë.Fotografi: dapd

Kur të vij herën tjetër te ju, pas një viti, atëherë Rusia ka për të qenë e lirë, premtoi Baba Acari, plaku i Vitit të Ri nën brohoritjet e dhjetëra mijërave. Dhe të gjithë bashkë thirrën: "Rusia pa Putinin". Me kaq zë të lartë nuk është kërkuar asnjëherë ndërrimi i pushtetit në Rusi. Demonstruesit në Moskë përsëritën disa herë kërkesën e tyre: "Putin jep dorëheqjen".

Dy javë pas protestave masive më të mëdha deri më sot që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, këtë herë dolën edhe më shumë njerëz nëpër rrugë, për të treguar pakënaqësinë e tyre për mosveprimin e qeverisë dhe për të theksuar kërkesën e tyre për zgjedhje të reja. Propozimet për reforma të presidentit Dmitri Medvedev nuk u mjaftuan. Ato janë me gjysmë zemre, thanë shumë demonstrues. Ata e ndiejnë veten jo të marrë seriozisht nga udhëheqja e tyre politike.

Qytetarët duan që t'i përfillin

"Po unë ekzistoj! Dhe dua të më marrin disi parasysh. E jo vetëm unë, po edhe brezi i ri i familjes sonë", thotë një grua. Ndërsa një burrë thotë: "Mjaft na mbajtën për idiotë. Nuk jemi idiotë! Ne i kuptojmë të gjitha, e kuptojmë që po na gënjejnë prej shumë vitesh. Dhe kemi ardhur të protestojmë së bashku kundër kësaj. Duam një qeveri normale, e cila punon sinqerisht dhe është e drejtë. Jo një si kjo, që na mashtron vazhdimisht."

Pjesëmarrje e gjerë
Pjesëmarrje e gjerëFotografi: dapd

Edhe të shtunën u kërkua sërish në pllakate të prodhuara vetë dorëheqja e drejtorit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Vladimir Çurow. Papritur lëvizjes së protestës iu bashkua edhe ish-ministri i financave Alexej Kudrin. "Çurov duhet pushuar nga detyra. Postin duhet ta marrë një njeri, të cilit i besojnë qytetarët. Dëgjojmë shumë thirrje, por shohim pak vepra. Propozoj, të zgjidhet një grup , i cili mund të formulojë kërkesat e reformës politike. Nuk lejohet vetëm të flasim, po duhet edhe të nisim të bëjmë diçka. Zgjedhjet presidenciale të 4 marsit duhet të zhvillohen nën kushte të reja. Të gjitha vendimet duhet të jenë marrë deri atëherë."

Dalja e Kudrinit sensacion

Shumë vëzhgues e vlerësojnë si sensacion daljen e Kudrinit në tubimin e protestës. Pas një grindjeje me kreun e shtetit presidenti Medvedev e pati pushuar nga detyra ministrin e financave tre muaj më parë. Megjithatë përflitet se ai ka lidhje të ngushta me Vladimir Putinin, i cili para pak ditësh e cilësoi në televizion si shok shumë të mirë. Kudrin u ofroi demonstruesve të merrte përsipër një rol ndërmjetësi. "Po vjen një krizë, prandaj na duhet një qeveri e aftë për punë. Mirëpo kjo duhet të zgjidhet brenda një kohe sa më të shkurtër. Jam për zgjedhje të parakohshme. Jam i gatshëm të marr pjesë në dialog dhe ta nxis atë."

Ish-ministri i financave Aleksej Kudrin
Ish-ministri i financave Aleksej KudrinFotografi: RIA Novosti

Me gjasa kjo ishte shenja e parë se udhëheqja politike është gati të hyjë në dialog me opozitën. Sipas bindjes së demonstruesve një gjë e tillë edhe është urgjentisht e nevojshme. "Jemi për të dytën herë në aksion proteste. Në vend duhet të ndryshojë diçka. Është e pamundur të vazhdosh të jetosh në këtë mënyrë." - thotë një burrë. Dhe ata premtuan të vijnë përsëri. Për aq kohë derisa Kremlini të merret me kërkesat e tyre.

Autor: Heide Rasche / Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi