1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deputetët e rinj palestinezë bëjnë betimin përpara parlamentit

Betina Marks18 Shkurt 2006

Tri javë e gjysmë pas zgjedhjeve në rajonet autonome palestineze, u krijua sot parlamenti i ri palestinez. 132 deputetët bënë në mënyrë kolektive betimin e tyre në Ramallah. Presidenti Mahmud Abaz e ngarkoi organizatën radikale islamike të Hamasit me detyrën e krijimit të qeverisë së re. Gjatë fjalimit të tij përshëndetës, Abaz theksoi se Hamasi fitoi shumicën absolute në këshillin legjislativ dhe ka të drejtë të krijojë tani qeverinë e saj.

https://p.dw.com/p/Aqqt

Deputetët e Hamasit nga Rripi i Gazës e ndoqën ceremoninë festive në Ramallah nëpërmjet një lidhjeje telefonike. Edhe ata bënë së bashku me kolegët e tyre betimin përpara parlamentit të ri palestinez.

"Betohem përpara Zotit, se do t´i jem besnik atdheut tim, se do t´i mbroj të drejtat dhe interesat e kombit dhe se do të respektoj ligjin. Do t´i plotësoj të gjitha detyrat dhe ligjin, për Zotin."


Më pas erdhi përpara mikrofonit presidenti i qeverisë autonome Mahmud Abaz. Ai e ngarkoi organizatën radikale islamike Hamas me detyrën e krijimit të qeverisë dhe theksoi se do ta mbështesë këtë organizatë në çdo veprim:

"Zgjedhjet sollën një realitet të ri. Hamasi ka shumicën në parlament dhe ka të drejtë të drejtojë debatin mbi krijimin e qeverisë së re. Zyra ime dhe Hamasi do të krijojnë grupe pune të veçanta, të cilat do ta informojnë sa më parë popullin me ligjet dhe programin e qeverisë së re."


Përfaqësues të lartë të islamistëve propozuan Ismail Hanijën për postin e kryeministrit të vendit. 43 vjeçari nga kampi i refugjatëve në Shati ka qënë një pjesëmarrës aktiv në takimet e parlamentit të Gazës.

Abaz theksoi gjatë fjalimit të tij se vendimit që do të merren me qeverinë izraleite duhet të mos shkelen nga pala palestineze dhe i bëri thirrje Hamasit që të heqë dorë nga rruga e dhunës. Ndërkohë bashkësia ndërkombëtare i bëri thirrje Abazit që të mundësojë kthimin e partive të tjera në tryezën e bisedimeve për qeverinë e re. Ndërkohë Abaz ju drejtua Izraelit me lutjen që të mos ja vështirësojë jetën popullit palestinez, vetëm se zhvilloi zgjedhje të lira dhe demokratike.

"Ju flas tani fqinjëve tanë izraelitë. Sidomos tani që edhe ata vetë do të kenë zgjedhje të reja parlamentare. Dua t´ju siguroj se rruga më e sigurtë për zgjidhjen paqësore të konfliktit nuk është rruga ushtarake. Ne jemi partnerë të barabartë në këtë çështje dhe duhet ta përfundojmë së bashku dhunën."

Më pas ai shtoi se vazhdimi i politikës okupuese sjell vetëm më shumë dhunë dhe urrejtje.

Më tej Abaz tha se qeveria e re duhet ta mbështesë patjetër rolin e gruas palestineze. Ai tha se gratë palestineze kanë luftuar krah burrave të tyre për çlirimin e vendit. Shumë palestinezë kanë shprehur shqetësimin e tyre se Hamasi do të krijojë ligje të reja diskrimunuese ndaj grave, për t´i detyruar ato që të rrinë në shtëpi dhe të mos involvohen në jetën politike.