1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deri ku ka shkuar kthimi i të zhvendosurve në Kosovë?

2 Mars 2010

Sipas të dhënave të ministrisë për Komunitete dhe Kthim, deri më tani në Kosovë janë kthyer rreth 20 mijë të zhvendosur të të gjitha përkatësive etnike. Vetëm gjatë vitit 2009 janë kthyer 1,553 persona.

https://p.dw.com/p/MHrI
Në Zociste janë ndërtuar 40 shtëpi për të kthyerit në Kosovë.
Në Zociste janë ndërtuar 40 shtëpi për të kthyerit në Kosovë.Fotografi: Refki Alija

Trembëdhjetë familje serbe të komunës së Vushtrisë, janë vetëm disa nga përfitueset e projekteve të qeverisë së Kosovës për kthimin, të cilave me 400 mijë euro nga buxheti i Kosovës, iu ndërtuan shtëpitë ndërsa me 50 mijë euro nga komuna, iu mundësua ndërtimi i infrastrukturës.

Dëshira për kthim është gjithnjë e më prezente, dëshmon i kthyeri Obrad Gjuric: „Njerëzit duan të kthehen, por ende dominon frika. As për mua nuk ishte e lehtë kur u ktheva në Kosovë. Ishte një përvojë e dhimbshme kur pashë gjithë ato rrënime. Unë nuk di kush i ka bërë dhe këtë nuk e di njeri. Fundja, as nuk do duhej të shprushim tashmë më tej, por të kuptohemi mes vete dhe të ecim tutje. Të fillojmë nga e para dhe të jemi shembull, se si duhet të sillemi fqinjësisht dhe si njerëz“.

Numri i të kthyerve këtë vit pritet të jetë më i madh

Sipas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës, deri me tani janë kthyer 20 mijë të zhvendosur të të gjitha përkatësive etnike. Ndërsa, renovimi i shtëpive, orenditë, ushqimi si dhe mbështetja ekonomike prej 2000 eurosh me mjete pune për krjimin e një burimi ekzistence është pakoja e ndihmës, që ofron kjo ministri për të zhvendosurit që kthehen në Kosovë. Siguria nuk është më temë, edhe pse programet integruese në vende të caktuara janë të domosdoshme- thotë Sasha Rashic, ministër për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës. „Dhe ne punojmë pandërprerë jo vetëm në riintegrimin e të zhvendosurve, por në integrimin e gjithë shoqërisë kosovare në një, sepse ne ende kemi bashkësi që jetojnë të ndara nga njëra tjetra. Dhe kjo do të lehtësonte edhe më shumë riintegrimin e të kthyerve, numri i të cilëve presim që brenda vitit 2010 të jetë shumë më i madh se në dy vitet e kaluara. Se, përderisa në vitin 2009 kishim 1553 të kthyer, sivjet me përkrahjen e ministrisë sonë pritet kthimi i 2000 të zhvendosurve të tjerë,“-thotë minsitri Rashic, sipas të cilit qeveria e Kosovës do të bëj gjithë çfarë është e mundur, për krjimin e kushteve për kthim të të gjithë të zhvendosurve të interesuar të kthehen në Kosovë, pa dallim kombësie.

Kthim edhe brenda përbrenda Kosovës

„Për ne ka rëndësi i atyre që duan të kthehen dhe jo përkatësia e tyre etnike. Dihet se serbët përbëjnë numrin më të madh të të zhvendosurve, pastaj romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit. Mirëpo, preokupimi ynë do të jetë edhe kthimi i të zhvendosurve brenda vendit. Kështu që, kampet e romëve në veri deri në fund të vitit do të shpërbëhen dhe mbyllja e qendrave kolektive në gjithë Kosovën, do të jetë prioriteti ynë. Fokusi ynë do të përqëndrohet pikërisht në të zhvendosurit përbrënda vendit, të cilët pavarësisht vështirësive kanë vazhduar jetën në Kosovë edhe pse kjo s´do të jetë e lehtë, me një buxhet prej 7 milionë e gjysmë eurosh me të cilat mbulojmë kthimin, por edhe zhvillimin e komuniteteve.“

Kthimi dhe Riintegrimi

Sipas ministrit për Komunitete dhe Kthim, Sasha Rashic, një rëndësi e veçantë do t´i kushtohet kthimit në vatrat e veta të shqiptarëve të veriut të Mitrovicës që jetojnë në jug, sikurse edhe të serbëve të jugut që jetojnë në veri dhe se zgjidhja shpresohet të arrihet me një dialog të mirëfilltë në mes të të dyja komuniteteve. Ndër projektet më të rëndësishme, të cilat Ministria për Komunitete dhe Kthim në bashkëfinancim me Komisionin Evropian po implementon që nga viti i kaluar është projekti 10 milionë eurosh „Kthimi dhe Riintegrimi në Kosovë“.

Nga ky projekt me anë të të cilit do të mbështetet rikthimi i 400 familjeve në Kosovë po përfitojnë 8 komuna të Kosovës: Peja, Istogu, Klina, Gjilani, Fushë-Kosova, Rahoveci, Ferizaj dhe Obiliqi. Ndërsa, ministry Rashic, në një të ardhme të afërt premtoi zgjidhje edhe për rikthimin e banorëve të të dy fshatrave të Junikut, Jasic dhe Gjocaj, banorët e të cilëve edhe dhjetë vjet pas luftës jetojnë larg vatrave të veta.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Aida Cama