1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deri ku kanë mbërritur negociatat për koalicion?

Bernd Gräßler3 Nëntor 2005

Përkundër lëvizjeve të shumta tek partitë politike SPD dhe CSU, në Berlin po vazhdojnë negociatat për krijimin e koalicionit të madh politik. Negociatat do të përfundojnë javën që vjen, ne synim që në fund të muajit të krijohet edhe qeveria e re. Do të ishte ky koalicioni i dytë i madh në historinë e parlamentarizmit gjerman.

https://p.dw.com/p/Ar2M
Müntefering dhe Stoiber
Müntefering dhe StoiberFotografi: dpa

Përkundër mosmarrveshjeve në partitë politike, 17 grupet e punës kanë vazhduar konsultimet për krijimin e koalicionit të ri. Politikani i CSU-së, Peter Ramsauer, është madje i bindur se do të respektohet në gjitha afatet kohore.
"Jemi në gjysmëlojën e dytë. Përfundimi po afrohet, por jam i sigurt se nuk do të kemi nevojë për lojë shtesë".
Në politikën e brendëshme tani më është arritur marrveshja. Do të rishikohen ligjet për luftën kundër terrorizmit, të vendosura pas sulmeve kundër SHBA, në vitin 2001. Në të ardhmen do të krijohet një bankë e të dhënave për luftën kundër terrorizmit. Të dënueshme do të jenë edhe shprehjet e simpative ndaj organizatave terroriste. Do të rishikohet edhe ligji për të huajt, i cili është futur në fuqi në fillim të këtij viti. Për të fituar nënshtetësinë gjermane, të huajt në të ardhmen duhet të jenë të njfotuar edhe me rendin demokratik të këtij vendi. Unioni ka rënë dakord për përmirësimin e gjendjes humanitare të të huajve. Mjekët të cilët trajtojnë të huajt pa leje qëndrimi në Gjermani, nuk do të ndiqen. Poashtu as mësuesit të cilët u japin mësime fëmijëve të imigrantëve ilegalë.
Unioni dhe socialdemokratët kanë rënë dakord që Gjermania duhet të ketë më shumë mirëkuptim për familjen. Të ardhurat për fëmijë do të varen prej gjendjes financiare të familjes, që do të duhej të lehtësonte vendimin e grave të kualifikuara për lindjen e fëmijëve. Tatimet për sipërmarrje të mëdha dhe të vogla do të jenë të njëjta që nga viti 2008.
Kompetencat dhe obligimet e federates dhe landeve duhet të jenë më të qarta. Politikani socialdemokrat Beneter thotë se paqartësinë rreth federalizmit janë sqaruar.
"Këtu kemi të bëjmë me çështjet e shkollimit të lartë, planeve të arsimit dhe ruajtjes së mjedisit. Këto gjëra rregullohen me ligjet federale. Ne duam që kjo të ndryshojë".
Në të ardhmen, landet do të kujdesen për arsimin, ndërsa federata për ruajtjen e mjedisit. Janë arritur marrveshjet edhe për sqarimin e financimit të federatës dhe 16 landeve.
Në reformën e sistemit social do të bëhen ndryshime të vogla. Duket se prej vitit 2012 do të fillohet me ndryshimin e rregullave për pensione, në mënyrë që në vitin 2035, në pension të plotë mund të shkohet vetëm pas moshës 67 vjeçare. Problemet reth taksave të vlerës së shtuar janë shtyrë për të mërkurën, thotë Roland Koh.
"Deri tani nuk kemi ndonjë saktësim apo marrveshje. Kjo është një prej temave të cilat do të trajtohen fare në fund", pohon ai.
Franc Myntefering, i cili pas sqarimit të çështjeve personale në partinë socialdemokrate, ende udhëheqë delegacionin e kësaj partie në negociata, pohon: "Ne duam që marrveshjet për këtë koalicion të arrihen deri në fund të javës së ardhëshme. Besoj se jemi në rrugën e mirë që kjo edhe të realizohet. Detyrat kryesore për të ardhmen janë rritja ekonomike dhe financat".
E hapur mbetet çështje e angazhimit brenda vendit të ushtrisë gjermane në rastet e rrezikut nga terrorizmi. Për këtë do të pritet edhe qëndrimi i Gjykatës kushtetuese. Të pasqaruara mbeten edhe qëndrimet rreth termocentraleve atomike, sigurisë së vendeve të punës dhe kuotat e tarifave, ndërkohë që në politikën e jashtme kontestues mbetet qëndrimi ndaj anëtarësimit të Turqisë në BE.