1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Detyrat e koalicionit për vitin 2006 janë të mëdha

Judit Hartl9 Janar 2006

Por edhe përfytyrimet mes dy partive të mëdha të koalicionit

https://p.dw.com/p/Ar1l
Kontrata e koalicionit para kamerave
Kontrata e koalicionit para kameraveFotografi: AP

Një mal me detyra ka përpara kancelarja Merkel dhe ekipi i ministrave unionistë dhe socialdemokratë. Por koalicioni i madh nuk funksionon ende si njësi e vetme. Një martesë nga halli: "Si koalicion i madh kemi përgjegjësi të përbashkëta, por si Union nuk mund t'i harrojmë kaq thjesht anëtarët tanë, klientelën, botëkuptimin e tyre, dhe përgjegjësinë që kemi për ta," – sqaron Kristian Vulf, kryeministri kristdemokrat i landit të Saksonisë së Poshtme."

Në planin federal aktualisht ka mjaft tema që i ndajnë dy partitë e mëdha. Ato kanë nënshkruar një marrëveshje koalicioni, por që tani po fillojnë të zhgarravisin mbi të korrigjimet e para, si për shembull në sektorin e energjisë atomike. Unionistët dhe socialdemokratët patën rënë dakord, që prej asaj të hiqet dorë. Por tani Unioni Kristsocial dhe disa kryeministra kristdemokratë kanë filluar të ankohen e po kërkojnë që të zgjatet afati i përdorimit të stacioneve për prodhimin e energjisë atomike.

Probleme të ngjashme ekzistojnë edhe me politikën shëndetësore. Deri në verë duhet të miratohet plani i reformave. Socialdemokratët janë për sigurimin e çdo qytetari më vete, ndërsa unioni është për të ashtuquajturin "shpërblim për shëndetin". Qëllimi i tyre është i njëjtë: Si të lehtësojnë punëdhënësit nga kontributet për sigurimet shëndetësore të punëmarrësve, që për çdo vit rriten. Kjo bën që paga dytësore të rritet në dëm të vendeve të punës.

Tema tjetër është ajo e "pagave të kombinuara", variant që preferon unioni kristiandemokrat. Me këtë ata duan ta bëjnë më tërheqës sektorin e pagave të ulta për të papunët afatgjatë. Një pjesë të pagave të tyre do ta subvencionojë shteti. Sekretari përgjithshëm i Unionit Kristiandemokrat, Ronald Pofala argumenton, se në këtë mënyrë "pjesa e subvencionuar e pagave të kombinuara, do të jetë më e vogël se ndihma që u japim aktualisht të papunëve."

Socialdemokratët këtë e shohin ndryshe. Ato kanë frikë se kjo vetëm sa do të sjellë edhe më shumë borxhe. Aq më tepër tani, kur në plan të parë qendron rigjallërimi i konjukturës ekonmike dhe luftimi i papunësisë. Angela Merkel ka thënë, se pikërisht këtu dëshiron të masë suksesin e saj, por deri sa të flitet për sukses do të ketë shumë punë.