1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deutsche Welle Televizion nis transmetimin e programit në arabisht

Mahmoud Tawfik28 Shkurt 2005

Kancelari gjerman Schröder dhe intendanti i DW-es Bettermann japin sinjalin për start në Kuvajt - Që prej ditës së djeshme kancelari gjerman Gerhard Schröder gjendet në një turne njëjavor nëpër vendet arabe. Edhe intendanti i DW-es Erik Bettermann po e shoqëron kancelarin, sepse sot përuron në Kuvajt programin e ri televiziv të DW-es në gjuhën arabe.

https://p.dw.com/p/Ar4T
Kancelari Schröder duke vënë në punë një central gazi në Kuvajt
Kancelari Schröder duke vënë në punë një central gazi në KuvajtFotografi: dpa

"Ne do të jemi stacioni i parë evropian që do të transmetojë një program televiziv në këtë rajon, të krijuar nga një redaksi arabe." - thotë Erik Bettermann, drejtori i përgjithshëm i Deutsche Welle-s.

Në shtetin e Gjirit Persik Kuvajt kërcasin sot tapat e shisheve kur kancelari gjerman Gerhard Schröder, në prani të intendantit të Deutsche Welles Erik Bettermann, të ministrit kuvajtian të informacionit dhe morisë së gazetarëve të shtypë një buton të kuq dhe programi arab i Deutsche Welle Televizion të fillojë të transmetojë.

"Kam pak frikë kur gjithçka të fillojë me teleshikues të vërtetë." Marokieni Ahmed Abida është njëri prej katër moderatorëve dhe moderatoreve që duke filluar nga kjo javë do të furnizojnë përditë tri orë Lindjen e Afërme me lajme në gjuhën mëmë nga Gjermania dhe bota, si dhe me sfondin e tyre. Do të thuhet përditë: "Deutsche Welle Televizion nga Berlini me lajmet. Mua më quajnë Ahmed Abida, mirësevini."

Drejtori i përgjithshëm i Deutsche Welle-s Erik Bettermann për programin e ri televiziv në arabisht: "Risi pati fillimisht një vit e gjysmë mëparë. Atëherë vendosëm një transmetim të posaçëm për botën arabe nëpërmjet satelitit egjiptian Nilesat, ku programi ynë në gjermanisht dhe anglisht jepej për dy orë në mbrëmje, pra në kohën kryesore të shikimit, me nëntituj në arabisht."

Sepse, kështu thotë Erik Bettermann, parakusht për dialogun midis kulturave është njohja e mjaftueshme e bashkëbiseduesit. Që prej disa muajsh ekziston një redaksi e pavarur arabe për seksionin Deutsche Welle Online, së shpejti oferta radiofonike e Deutsche Welle-s në arabisht do të zgjerohet, e tani edhe Deutsche Welle Televizion:

"Ajo që po iniciojmë në Kuvajt unë dhe kancelari është një redaksi e pavarur arabe për lajmet dhe për temën e ditës. Duke filluar nga 28 shkurti ne do të transmetojmë për tri orë një program redaksional në arabisht, me një moderatore arabe, një kolege nga Libani."

Ajo quhet Dima Tarhini dhe ka qenë më parë moderatore e Al Jazeera-ës. Libanezja Tarhini u angazhua si të thuash enkas për projektin e Deutsche Welle Televizion në arabisht. Kolegu i saj Ahmed Abida me shaka: "Midis nesh - ajo grua është shumë e bukur. Besoj se kështu e kemi të sigurtë suksesin."