1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Ligjet për azilin janë rregulla për dëbim të shpejtë"

Sabrina Pabst
25 Tetor 2016

Ka kaluar një vit që prej miratimit të Paketës ligjore I për Azilin. Rezultati: dëbime të shpejta dhe izolim social, thotë Sebastian Ludwig.

https://p.dw.com/p/2RerQ
Deutschland Asylbewerber in Gießen
Fotografi: picture-alliance/dpa/B. Roessler

Deutsche Welle: Para një viti, qeveria federale miratoi me procedurë të përshpejtuar ligjin "ligj për përshpejtimin e procedurave të azilit". Varësisht nga vendi i origjinës së azilkërkuesit, procedurat e azilit do të shkurtohen deri në një javë. Çfarë pasojash ka pasur deri tani ky ligj?

Sebastian Ludwig:  Ligji për përshpejtimin e procedurave të azilit dhe ligji për nisjen e procedurave të përshpejtuara të azilit nuk janë rregulla për t'i përshpejtuar me të vërtetë procedurat e azilit. Ato përmbajnë pjesë, që kujdesen që dëbimet të mund të zbatohen më shpejt. Numri i punonjësve të Zyrës Federale për Migrimin dhe Refugjatët (BaMF) u rrit nga 3.000 në gati 10.000 vetë. Për çdo organizatë kjo është një sfidë ekstreme. Punonjësit kryejnë atje një punë shumë të vështirë. Por edhe kur dëgjon deklaratën e shefit të BaMF, që këtë vit të pëballohen një milionë procedura për azil, e kupton që fjala është vetëm për sasi dhe jo për cilësi.

Si mund të garantojë BaMF një shqyrtim të kujdesshëm të kërkesave përballë numrit të madh të kërkesave?

Për një kohë të gjatë, procedurat e azilit u kryen kur njerëzit ndodheshin ende në qendrat e para të pranimit. Për shkak të rrethanës, që në Gjermani po vinin gjithnjë e më shumë njerëz, tek BaMF kërkesat u bënë kapicë. Kështu shumë njerëz u larguan nga qendrat e para pa e paraqitur fare kërkesën e tyre për azil. Me pasojë, që BaMF nuk e dinte më se cilin duhet të ftonte më vonë për të paraqitur kërkesë.

Sebastian Ludwig
Sebastian LudwigFotografi: Bundesverband der Diakonie Deutschland/Foto: Hermann Bredehorst

E rëndësishme në procedurën e azilit është dëgjimi, në të cilin refugjatët të kenë mundësi të paraqesin se pse kanë marrë arratinë dhe pse mendojnë se kanë nevojë për mbrojtje. Por kur ky dëgjim kryhet nën presion kohor, shumë vetë nuk hapen dhe tregojnë vetëm që kanë frikë se do të vdesin ose se do t'i vrasin, pa i zbërthyer këto më tej. Në këtë mënyrë lindin kundërthënie. Por për shkak të kundërthënieve kërkesat e azilit refuzohen. Një standard i procedurave është edhe që një refugjat, kur kërkesa e tij për azil refuzohet për shkak të kontradiktave, duhet të ketë mundësinë që ta zgjidhë këtë kontradiktë. Por për këtë ata nuk kanë më kohë.

A mund t'u garantosh njerëzve në këto rrethana një këshillim për të qenë për procesin e azilit?

Ka rrugë regjistrimi. Atje paraqitet kërkesa dhe pas një kohe të shkurtër ndodh dëgjimi dhe pak orë më vonë merr përgjigje. Në këtë fazë është thuajse jo e garantuar që t'i këshillosh dhe t'u shpjegosh refugjatëve se dëgjimi i tyre nga autoritetet nuk është marrje në pyetje në polici, por se ata duhet të paraqesin në mënyrë të detajuar se pse kërkojnë mbrojtje në Gjermani.

Procedurat e përshpejtuara në këto të ashtuquajtura rrugë regjistrimi janë menduar për raste të cilat mund t'i refuzosh lehtë ose mund t'i miratosh lehtë. Kjo vlen për shembull për njerëz që vijnë nga vende të sigurta të origjinës, ose të tillë që përkufizohen si vende të sigurta të origjinës. Këtu për shembull bëjnë pjesë Bosnja, Shqipëria dhe Kosova. Ato që mbeten pastaj janë të ashtuquajturat raste komplekse.

Që njerëzit t'i ndash në bazë të kombësisë së tyre është një problem, pavarësisht nga fakti se si përfundon procedura e azilit. Njerëz me perspektivë të mirë për të marrë azil kanë qasje në tregun e punës në bazë të Kodit të Sigurisë Sociale ose qasje në kurset e integrimit. Por këto mundësi duhet t'i kenë të gjithë. Edhe kur një azilkërkuesi do t'i duhet të kthehet në vendin e origjinës, atij mund t'i vlejë shkolla ose një kualifikim profesional. Edhe kjo është një formë e bashkëpunimit për zhvillimin.

Sebastian Ludwig është ekspert për çështjet e refugjatëve në Shoqatën Federale të Diakonisë.