1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dialogu evropiano-izraelit

Karin Kails12 Mars 2007

Të ftuar në dialogun dypalësh prej shoqërisë aksionare Axel Springer dje diskutuan më shumë se 100 politikanë, studiues dhe publicistë para së gjithash mbi zhvillimet aktuale në rajon

https://p.dw.com/p/ArJE

Një takim i nivelit të lartë midis kryeministrit izraelit Ehud Olmert dhe presidentit palestinez Mahmud Abbas, përfaqësues të SHBA dhe të Iranit në një tryezë dhe një kuartet i Lindjes së Afërme i rigjallëruar - ka kohë që në Lindjen e Afërme nuk ka pasur kaq shumë lëvizje, në dialogun evropiano-izraelit në Berlin gjithashtu. Ndër të ftuarit e rangut të lartë ishte kancelarja gjermane Angela Merkel, ministri izraelit për çështjet sociale Isaac Herzog dhe komisionerja evropiane për politikën e jashtme Benita Ferrero Waldner.

Shpejt dialogu evropiano-izraelit filloi të trajtonte Iranin. Në fund të fundit presidenti Ahmadinexhad nuk vë në pikëpyetje vetëm të drejtën e ekzistencës të Izraelit, por ai punon edhe në një program bërthamor. Ndaj tij duhet të kundërveprohet me çdo mjet paqësor, kërkoi ministri izraelit për çështjet sociale Isaac Herzog.

"Kjo nuk është vetëm një çështje izraelite, por e gjithë botës liberale. Vlerat e saj janë në rrezik dhe ne duhet ta kuptojmë këtë."

Irani duhet të shtrëngohet që të lëshojë pe dhe trysnia ndërkombëtare ndaj këtij vendi duhet të rritet në masën e duhur, tha edhe kancelarja gjermane Angela Merkel. Konkretisht ajo pret që Këshilli i Sigurimit të miratojë sanksione më të rrepta. Iranit i duhet bërë e qartë me këtë se dera e bisedimeve mbetet e hapur, por jo me çdo kusht. Parakusht, tha Merkel, është që të ndërpritet çdo veprimtari që flet për ndërtimin e bombës bërthamore. Sepse:

"Për mendimin tim, çështja se sesi zhvillohet potenciali kërcënues dhe rrezikimi nëpërmjet Iranit i rajonit të Lindjes së Mesme dhe të Afërt lidhet shumë ngushtë me konfliktet e tjera - dhe në thelb me konfliktin midis Izraelit dhe palestinezëve."

Sipas Merkel-it, presidenca gjermane në Bashkimin Evropian është njëkohësisht përgjegjësi e veçantë dhe rast i mirë. Në kuartetin e Lindjes së Afërme - në të cilin përveç Bashkimit Evropian janë të përfaqësuara Kombet e Bashkuara, SHBA dhe Rusia - Evropa duhet të luaj një rol më aktiv për të kontribuar për paqen në Lindjen e Afërme, tha Merkel.

"Sukses do të ketë kur të mbështeten të gjitha forcat në rajon që e kërkojnë vetë paqen, sepse kundër vullnetit të bashkuar të shteteve arabe kjo nuk arrihet. Prandaj jam shumë e kënaqur që po formohet njëfarë kuarteti arab i përbërë nga Jordania, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti."

Shkas për shpresë përbën edhe marrëveshja e Mekës, e cila mund të kthehet në gurthemel të qeverisë palestineze të unitetit. Sikur të njihet Izraeli, të hiqet dorë nga dhuna dhe të respektohen marrëveshjet ekzistuese të paqes, do të gjallëroheshin edhe negociatat e kuartetit të Lindjes së Afërme, shprehet e bindur Benita Ferrero-Waldner. Megjithatë komisionerja evropiane për politikën e jashtme nuk pret shumë nga takimi i ardhshëm i kuartetit të Lindjes së Afërme në prill.

"Procesi duhet vazhduar dhe mendoj se duhen trajtuar edhe negociatat e statusit përfundimtar, duhet folur për horizontin politik dhe vizionet politike. Ky është një hap shumë i rëndësishëm përpara."

Kuarteti i Lindjes së Afërme është i gatshëm që të mbështesë të gjitha përpjekjet për paqe në rajon. Pavarësisht goditjeve prapësuese kancelarja Merkel është optimiste.

"Mund të them vetëm se optomizmin e nxjerr prej faktit që gjendja nuk mund të qëndrojë siç është dhe se ne duhet të ngarkojmë veten në rast se nuk ndërmarrim çdo përpjekje për të zgjidhur njërin nga konfliktet më të ndërlikuar të botës."

Këtu nevojitet para së gjithash angazhimi i evropianëve, thotë presidentja e radhës në BE Angela Merkel. Pas Luftës II Botërore Bashkimi Evropian ka lënë, sipas saj, pas vetes edhe të kaluarën me luftëra të kontinentit. Dhe sikur Evropa të mos angazhohet me trë këtë përvojë, atëherë ajo nuk ka mësuar gjë nga historia.