1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dialogu i Peterburgut - I rëndësishëm pikërisht në kohë krize

Esther Hartbrich, Moskë (WDR) 1 Tetor 2008

Për herë të tetë këtë të mërkurë zhvillohet i ashtuquajturi Dialog i Peterburgut. Përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekonomisë gjermane dhe asaj ruse shkëmbejnë mendime dhe ide në Shën Petërburg.

https://p.dw.com/p/FSKb
Dialogu i Petërsburgut, 1 tetor 2008
Dialogu i Petërsburgut, 1 tetor 2008Fotografi: Andreas Brenner

Qysh në fillim të korrikut komisioni drejtues i Dialogut të Peterburgut kishte përcaktuar temën qendrore të diskutimeve: Roli i shoqërisë civile në parandalimin e krizave dhe evitimin e konflikteve. Raportet mes Rusisë dhe Perëndimit dhe Gjermanisë nuk mund të thuhet se ishin pa kriza në vitet e kaluara. Zgjerimi i NATO-s, sistemi mbrojtës antiraketor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kritikat për mungesën e demokracisë në Rusi - të gjitha këto rëndonin marrëdhëniet mes palëve.

Pengesa dhe rreziqe

Si pasojë e luftës mes Rusisë dhe Gjeorgjisë kjo temë fitoi aktualitet të paparaparë. Lothar de Maiziere, ish-kryeministër i Republikës Demokratike të Gjermanisë, kryetar i komisionit drejtues gjerman të Dialogut të Peterburgut tha se zhvillimet e fundit tregojnë se edhe pas rënjes së perdes së hekurt ekzistojnë pengesat dhe rreziqet. "Një dialog nuk është një jastëk qetësues ku njeriu mund të relaksohet mbi të arriturat. Ai jeton nga besimi dhe sinqeriteti, po ashtu sinqeriteti ndaj kritikave të respektueshme. Këto ditë ne duam të tregojmë se dialogu ynë pikërisht tani është më i nevojshëm se asnjëherë më parë".

Dialogu i Petërsburgut, 1 tetor 2008
Dialogu i Petërsburgut, 1 tetor 2008Fotografi: Andreas Brenner

Ljudmilla Verbitzkaja, presidente e Universitetit shtetëror në Shën Peterburg zëvendëson kryetarin e komisionit drejtues rus, Michail Gorbaçov i cili për shkak të një vizite në Korenë e Jugut nuk ishte i pranishëm në takim. Ajo theksoi rëndësinë e posaçme që kanë marrëdhëniet ruso-gjermane dhe rolin ndërmjetësues të cilin mund ta marrë përsipër Gjermania.

Ndërkaq Dmitri Mesenzev, zëvendëskryetar i Këshillit Federal, kërkoi sinqeritet në raportet e ndërsjellta dhe në diskutimet për luftën e gushtit. "Pas ngjarjeve në Kaukaz ne duam ta kuptojmë se kush jemi ne, se si reagojnë miqët tanë gjermanë në kuadër të Dialogut të Peterburgut, çfarë mendimi është përhapur në Evropë dhe nga ana tjetër ndoshta atyre ju intereson se çfarë mendojnë ne rusët për këtë çështje".

Andreas Schockenhoff, Dialogu i Petërsburgut, 1 tetor 2008
Andreas Schockenhoff, Dialogu i Petërsburgut, 1 tetor 2008Fotografi: Andreas Brenner

Lufta e Kaukazit do të luajë një rol të rëndësishëm në kuadër të Dialogut të tetë të Petërburgut. Qeveria federale gjermane nuk dëshiron të shkëpusë fijen e bisedimeve me palën ruse. Andaj ajo vendosi për mosshtyrjen e konsultimeve qeveritare bilaterale. Ato mbahen të enjten siç është planifikuar në Shën Peterburg. Më parë në Dialogun e Petërburgut marrin pjesë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti rus, Dimitrij Medvjedev.