1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dialogu me Serbinë nuk është kusht për Kosovën

Bekim Shehu12 Tetor 2012

Fyle: Studimi i fizibilitetit nuk sheh asnjë pengesë ligjore që Kosova në të ardhmën të nënshkruaj marrëveshjen e Stabizilim Asociimit me BE-në.

https://p.dw.com/p/16Oph
epa03161175 European Commissioner for Enlargement and European Neighborhood Policy Stefan Fuele listens to media questions during a press conference in Kosovo's capital Pristina, 27 March 2012. Stefan Fuele during his visit has launched a feasibility study for Kosovo for further integrations with EU. EPA/VALDRIN XHEMAJ +++(c) dpa - Bildfunk+++
Fotografi: picture-alliance/dpa

Komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerim, Stefan Fyle, tha në Prishtinë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është kusht që Kosova të arrijë të nënshkruaj marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian. Ai tha se studimi i fizibilitetit që iu dorëzua Kosovës nuk sheh asnjë pengesë ligjore që Kosova në të ardhmën të nënshkruaj marrëveshjen e Stabizilim Asociimit me BE-në. por, sipas tij, Kosova duhet të kryej punët e veta.

Kosova të kryejë punët e veta

“Ne do t'ua paraqesim mandatin shteteve anëtare, sapo Kosova të arrijë rezultate në një numër të vogël të prioriteteve afatshkurta që kanë të bëjnë me kapacitetet administrative, me sundimin e ligjit, me mbrojtjen e pakicave dhe me përmirësimin e kapaciteteve tregtare. Nëse vazhdoni të mbani konsensusin e fuqishëm dhe të punoni shumë, mendoj se do të jeni në gjendje që të filloni negociatat në gjysmën e pare të vitit të ardhshëm”, tha Stefan Fyle, pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaci.

Stefan Fyle po qëndron në Kosovë, dy ditë pasiqë Komisioni Evropian publikoi studimin e fizibilitetit për Kosovën me të cilin Kosovës i hapet rruga që të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, sapo të përmbushë kriteret që u cilësuan afatshkurtëra, si janë reforma në administratë, sundimi i ligjit, mbrojtja e pakicave dhe përmirësimi i kapaciteteve tregtare.

“Progresi i Kosovës drejt BE-së nuk varet nga Bashkimi Evropian, por ekskluzivisht varet nga puna dhe përpjekjet e Kosovës, në ndërtimin e një konsensusi të fuqishëm në shoqërinë kosovare”, tha Stefan Fyle.

Kosova do të përmbushë obligimet në afat rekord

Qeveria e Kosovës nga ana e saj zotohet se do të përmbushë obligimet në një afat të shkurtër. Kryeministri Hashim Thaci, thotë se Integrimi i Kosovës në BE është qëllimi dhe vizion i Kosovës. “Reformat e shumta demokratike, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, reforma e administratës publike, mbrojtja dhe kultivimi i trashëgimisë kulturore, të drejtat e komuniteteve, janë fusha që do të koncentrohemi për të punuar maksimalisht”, tha kryeministri Hashim Thaci.

Thaci i cilësoi të drejta mesazhet që u dhanë gjatë dy ditëve të shkuara nga Brukseli për të ardhmën evropiane të rajonit.

Kosova dhe Serbia duhet të ecin përpara në rrugën evropiane

“Evropianizimi i rajonit nënkupton fqinjësinë e mirë mes gjitha vendeve dhe popujve tanë. Kosova dhe Serbia duhet të ecin përpara në rrugën evropiane, duke ia lehtësuar punën njëra-tjetrës dhe jo duke e penguar. Pra, ne nuk do të mbajmë peng njëra-tjetrën dhe Kosova është e gatshme për të ardhmen evropiane dhe fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit”, tha kryeministri Hashim Thaci.

Procesi i Stabilizim-Asociimit, i miratuar dhe vënë në fuqi në vitin 1999, është korniza e politikave të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të së cilës zhvillohet procesi i integrimit të këtyre shteteve në BE deri në anëtarësimin e tyre të plotë. Ky proces ka tri qëllime strategjike stabilizimin dhe tranzicionin drejt një ekonomie të lirë dhe konkurrente të tregut, promovimin e bashkëpunimit rajonal dhe perspektivën evropiane.