1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Diferenca mes policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX-it

7 Prill 2010

Policia e Kosovës ka filluar t’i shohë si pengesë disa pjesëtarë të policisë së EULEX-it që më herët kanë shërbyer në Kosovë në kuadër të UNMIK-ut.

https://p.dw.com/p/MpUx
Njësi e policisë së Kosovës në stërvitje.
Fotografi: AP

Kontrolli policor në pjesën veriore të Kosovës, ka nxjerrë në shesh divergjenca mes disa pjesëtarëve të policisë së misionit EULEX-it dhe policisë së Kosovës. Zyrtarë të lartë të policisë së Kosovës thonë se fjala është për një mospërshtatje me rrethanat e reja në Kosovë të disa policëve ndërkombëtarë, që më parë kanë qenë pjesë e policisë së UNMIK-ut dhe tani janë policë në misionin EULEX. Njëri nga komandantët e policisë kufitare të Kosovës, Shaban Guda, thotë për Deutsche Welle-n, se policia e misionit EULEX, tani ka tjetër mandat:

Shaban Guda, një nga komandantët e policisë kufitare të Kosovës.
Shaban Guda, një nga komandantët e policisë kufitare të Kosovës.Fotografi: DW

“Mandati i UNMIK-ut, ka qenë një mandat tjetër, mandat i komandimit, kontrollit dhe mbikqyrjes. Oficerët policorë të misionit EULEX tash nuk e kanë atë mandat. Prandaj një pjesë e oficerëve policorë që kanë shërbyer në kohën e UNMIK-ut, me vështirësi e pranojnë rolin e tyre, si monitorues, mentorë dhe këshillues dhe në disa raste ende tentojnë të sillen në formën e komandimin dhe dhënies së urdhërave”.

Zyrtarë të misionit EULEX të kontaktuar nga Deutsche Welle, nuk pranojnë të flasin për këtë çështje. Ata vetëm thonë se mandati i policisë së misionit EULEX është i qartë: të këshillojë në punën e saj policinë e Kosovës. Për ta e rëndësishme është që në veri të Kosovës të luftohet kontrabanda dhe të vendoset rendi dhe ligji.

Një pjesë e policëve të EULEX-it nga shtete që nuk e kanë njohur Kosovën

Ndërkohë, ekspertë të çështjeve të sigurisë, thonë se në veri të Kosovës që nga përfundimi i luftës policia e Kosovës nuk ka qenë shumë e pranishme për shkak të rrethanave të krijuara atje. Agim Musliu, njohës i çështjeve të policisë, thotë se disa pjesëtarë të policisë së EULEX-it, që më herët kanë qenë policë të UNMIK-ut, akoma mendojnë dhe funksionojnë në bazë të rezolutës 1244 të KS-it.

Agim Musliu, ekspert për çështje të sigurisë në Kosovë.
Agim Musliu, ekspert për çështje të sigurisë në Kosovë.Fotografi: DW

“Një pjesë e konsiderueshme e ish policëve të UNMIK-ut kanë kaluar nën uniformën e misionit EULEX, që do të thotë se ata policë vijnë nga shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Këta policë kanë ende paragjykime dhe ende mendojnë dhe veprojnë si në të kaluarën e tyre kur punëdhënësi ishin Kombet e Bashkuara. Ata nganjëherë sillen edhe në mënyrë arbitrare duke e përdorur gjithmonë mënyrën e të menduarit të rezolutës 1244”, - thotë Agim Musliu. Sipas tij kjo mënyrë e të vepruarit e disa policëve të misionit EULEX, mund të ngadalësojë efektivitetin e policisë në veri të Kosovës.

Policia e Kosovës së shpejti edhe në vijën kufitare

Sidoqoftë, zyrtarë të policisë së Kosovës, thonë se pavarësisht këtyre divergjencave ndërmjet policisë së Kosovës dhe disa pjesëtarëve të policisë së misionit EULEX që më herët kanë punuar si policë të UNMIK-ut, policia po kryen punën e saj. Që nga përfundimi i luftës, kufijtë e Kosovës vazhdojnë të mbrohen nga pjesëtarë të forcave paqeruajtëse në bashkëpunim me policinë ndërkombëtare. Policia kufitare e Kosovës nuk ka pasur qasje në vijën kufitare përveç pikave doganore. Shaban Guda, nga policia e Kosovës thotë se në fund të muajit prill, forcave paqeruajtëse, të cilat patrullojnë në vijën e gjelbër të kufirit do t'u bashkohet edhe policia e Kosovës. Në këtë fazë policia kufitare e Kosovës do të bashkëpatrullojë me KFOR-in, vetëm në kufirin me Shqipërinë dhe jo në atë me Serbinë.

“Është hartuar një udhëzues dhe ekziston gatishmëria e KFOR-it, që gradualisht t'ia dorëzojë mbikqyrjen e kufirit policisë së Kosovës. Policia e Kosovës duhet gradualisht të krijojë kapacitetet e saja, sepse ne ende nuk kemi kapacitete të mjaftueshme për ta mbikqyrur vetë kufirin e Kosovës në gjatësi prej 743 kilometrash”, thotë Shaban Guda.

Policia e Kosovës në radhët e saj ka mbi 7.000 policë. Ndërsa, komponenti i policisë së misionit EULEX-it në Kosovë, aktualisht ka 1.400 policë. Ata vijnë nga 30 kontingjente të vendeve të ndryshme të botës një pjesë e të cilave nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Statistika që tregojnë se sa është numri i policëve që më herët kanë shërbyer në UNMIK në 1.400 policët të misionit EULEX, nuk ka.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Eliana Xhani