1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Digjen flamujt e presidencës së Kosovës

Bekim Shehu29 Nëntor 2005

Vendosja e Flamujve të presidencës së Kosovës krahas flamujve kombëtarë në rrugët e kryeqytetit dhe disa qyteteve tjera, irritoi një pjesë të qytetarëve. Disa nga flamujt e presidencës u hoqën dhe iu vu zjarri publikisht në qendër të Prishtinës

https://p.dw.com/p/AqsL
Prishtina
PrishtinaFotografi: DW

Shoqatat e dala nga lufta, të cilat gjatë ditës së djeshme organizuan një marsh me moton në pritje të lirisë në mbështetje të Fatmir Limajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, nëpërmjet një njoftimi, pranuan se kanë hequr flamujt e presidencës dhe iu vunë zjarrin para kuvendit komunal të Prishtinës. Përfaqësuesit e këtyre shoqatave u shprehën, se vendosja e flamujve të presidencës në rrugët e kryeqytetit është e padrejtë dhe ky veprim i komunës sipas tyre ka nxitur provokime tek qytetarët. Djegien e flamujve të tij, Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, e ka dënuar ashpër. Ky është akt i disa njerëzve të papërgjegjshëm, siç i cilësoi ai, dhe shkelje e rëndë e rendit dhe ligjit. Propozimi i presidentit për simbolet shtetërore është legjitim dhe publik, thuhet në një njoftim të presidencës. Presidenti Rugova thuhet, se ka premtuar që sipas procedurave demokratike, këto propozime të paraqiten për miratim në Kuvendin e Kosovës. Presidenti Rugova thuhet më tej, e ka bërë propozimin për flamurin e Kosovës prej kohësh. Ky flamur njihet edhe si Flamuri i Dardanisë, dhe që ka gëzuar simpati të gjerë te qytetarët dhe miqtë e Kosovës. Në kontekst të iniciativës publike të Presidentit Rugova, disa komuna të Kosovës vendosën që për 28 Nëntorin, krahas flamurit kombëtar shqiptar, të valojë edhe flamuri i propozuar nga presidenti. Ndërsa, incidentin e heqjes dhe djegies së flamurit, Presidenti Rugova e konsideron incident të pahijshëm që njollosi siç tha ai, ditën e madhe të 28 Nëntorit. Presidenti Rugova thotë se, shteti i pavarur i Kosovës, që sipas tij, pritet të njihet së shpejti, do t'i ketë simbolet e veta autentike shtetërore. Sidoqoftë, organet e rendit në Kosovë nuk reaguan gjatë djegjes së flamujve të presidencës së Kosovës. Ata poashtu nuk pranojnë të prononcohen për këtë rast, sikundër nuk kanë njoftuar nëse kanë filluar hetimet rreth incidentit.