1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

131109 Asien USA

13 Nëntor 2009

Ndikimi i Azisë Lindore në botë po rritet me shpejtësi të madhe. Ekonomikisht po fitojnë në veçanti gjigantët si Kina dhe India. Kjo e vë fuqinë botërore SHBA përpara sfidave të reja në rajon.

https://p.dw.com/p/KW5X
Presidenti Obama ka nisur udhëtim në Azi
Presidenti Obama ka nisur udhëtim në AziFotografi: AP

"Amerika është rikthyer" - shprehja e ministres së Jashtme të SHBA-së Hillary Clinton gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për miqësi dhe bashkëpunim me Shoqatën e Shteteve të Azisë Juglindore (ASEAN) paralajmëroi një ndryshim në politikën ndaj Azisë Lindore të SHBA-së nën administratën Obama. Në kuadër të samitit të Forumit Ekonomik të Azisë dhe Paqësorit (APEC) më 15 nëntor në Singapor, Presidenti amerikan do të takohet për herë të parë me përfaqësues të qeverive të ASEAN-it. Në veçanti Azia Juglindore po vihet gjithnjë e më shumë në fokus të politikës amerikane për Azinë Lindore shpjegon Robert Sutter, ekspert për Azinë në Universitetin "Georgetown" në Uashington.

"Qeveria Obama ka tani një mënyrë më fleksible trajtimi, çka mundëson një ndërveprim të lirë me të gjithë liderët e vendeve anëtare të ASEAN-it. Kjo ndihmon mjaft në afrimin e qeverisë së SHBA-së me gjithë rajonin."

Kjo mënyrë fleksibël trajtimi bëhet e qartë në shembullin e Mianmarit, Birmanisë së dikurshme. Uashingtoni ka nisur me të një ndryshim të kujdesshëm kursi. Diplomatët amerikanë së fundi kërkojnë dialog me juntën ushtarake në vendin në juglindje të Azisë.

Nën qeverisjen e George W. Bush-it një hap i tillë ishte i pamendueshëm. Gjatë mandatit të tij presidencial angazhimi i SHBA-së në Azinë Juglindore u reduktua. Në po atë masë, që u tërhoq SHBA-ja nga Azia Juglindore, u zgjerua atje ndikimi i Kinës. Republika Popullore ndërton rrugë në Tailandë, i jep kredi Indonezisë dhe blen lëndë të para në Mianmar. Kinezët që jetojnë jashtë vendit nga Vietnami në Singapor kujdesen për "lidhje të mira" mes Kinës dhe vendeve të ASEAN-it. Studiuesi i shkencave politike Xuewu Gu nga Universiteti i Bonit sheh në ngritjen e Kinës sfidën më të rëndësishme të SHBA në Lindjen e Largët.

"Kjo do të bëjë natyrisht që ndikimi amerikan në rajon të bjerë ndoshta në mënyrë dramatike. Fjala është se si të përballesh më një Kinë e cila që prej dy tre vjetësh vazhdimisht dhe në mënyrë energjike përpiqet të bëjë për vete rajonin e Azisë Juglindore."

Azia Lindore po bëhet më e pavarur nga Perëndimi. Bashkëpunimi shumëpalësh në rajon është shtuar. ASEAN bashkëpunon krahas Kinës dhe me Japoninë, Indinë, Korenë e Jugut dhe Australinë. Në samitin e 15-të të ASEAN-it në të cilin mori pjesë edhe Japonia, Kryeministri japonez Yukio Hatoyama propozoi madje themelimin e një "bashkësie aziatiko-lindore" me monedhë të përbashkët. Kjo në të ardhmen duhet të marrë një rol drejtues global. Por për Nadine Godehardt nga Instituti gjerman për studime globale dhe rajonale në Hamburg, ky vizion vështirë se mund të realizohet:

"Një normë e rëndësishme është që sovraniteti dhe integriteti kombëtar është shumë i rëndësishëm për këto vende. Kjo është një nga normat vendimtare. Kjo do të thotë se shtetet nuk duan të heqin aspak dorë nga sovraniteti dhe nuk duan as që shtetet e tjera të ndërhyjnë në çështjet e tyre të politikës së brendshme."

Megjithatë vizioni i Hatoyamas bën të qartë se sa serioze janë përpjekjet për bashkëpunim shumëpalësh mes vendeve aziatiko-lindore. Për të ruajtur ndikimin e tij në rajon, thotë Godehardt, Uashingtonit do t'i duhet të angazhohet gjithnjë e më shumë në përpjekjet aziatiko-lindore për bashkëpunim.

Një situatë të komplikur e pret qeverinë Obama në Lindjen e Largët: Uashingtoni synon të intensifikojë më tej marrëdhëniet me Kinën, por në të njëjtën kohë do të ndeshet me Pekinin për ndikimin në Azinë Juglindore.

Autor: Christoph Ricking/ Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi