1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Diploma për kornizë - Emigrantëve në Greqi u pritet rruga e profesionit

21 Janar 2010

Fëmijët e imigrantëve në Greqi kanë të hapura dyert e shkollave por jo edhe ato të punës. Ligji u mohon të drejtën të huajve pa nënshtetësi greke të ushtrojnë profesione si mësues apo avokat.

https://p.dw.com/p/LcNy
Universiteti i Athinës
Universiteti i AthinësFotografi: Nikos Pilos

Janë nga rastet që mund të vënë në mendime dhe të lëkundin fort edhe ata që i shohin si të huaj dhe jo si të barabartë midis të barabartëve. Kanë studiuar nëpër shkollat dhe universitetet greke, janë me diploma dhe master specialitetesh, por nuk mund të ushtrojnë profesionin e tyre si bashkëmoshatarët e tyre vendas. Jo vetëm në sektorin publik, por edhe në atë privat. I vetmi “mëkat” i tyre është se janë të huaj, fëmijë imigrantësh shqiptarë dhe pa nënshtetësi.

Përvoja të hidhura

“Unë pasi mbarova shkollën doja të punoja si mësues këtu në Greqi por nuk mu dha e drejta sepse jam një nënshtetas shqiptar dhe nuk mund të gjej punë në profesion,” thotë Denis Vukaj nga Shkodra, i ardhur relativisht vonë, në vitin 1997, në Greqi, “çuditi” arsimtarët por edhe bashkëmoshatarët e tij vendas me zellin dhe përparimin e tij të shkëlqyer dhe u diplomua në Fakultetin e Filozofi-Psikologjisë.

Denis Vukaj është diplomuar në Fakultetin e Filozofi-Psikologjisë.
Denis Vukaj është diplomuar në Fakultetin e Filozofi-Psikologjisë.Fotografi: Nikos Anagnostou

Por zhgënjimi dhe peripecia nuk vonuan të vijnë. “Para një viti desha të punoj në shkolla private këtu në Athinë. Një drejtor shkolle më tha që të nxjerr lejen e arsimit dhe kur shkova në ministrinë e Arsimit e kuptova që si shtetas i huaj nuk mund të punoj edhe pse kam mbaruar këtu, nuk kam të drejta të plota me ata që kemi mbaruar bashkë shkollën,” thotë Denisi me tonin e qetë të zërit të tij, pa fshehur ndërkohë për raste të veçanta edhe pezmatimin e tij: “Kishte shumë njerëz që më thoshin mëso përpara historinë e vendit tënd. Edhe shqiptar edhe filolog? Është e tmerrshme, më thoshin. U dukej një gjë... ekstreme”.

Por Denisi mëson si historinë e vendit të tij po kështu dhe të fqinjëve të tjerë dhe tani i ka hyrë punës për një master me objekt qëmtimin e teksteve shkollore nga paragjykimet nacionaliste dhe raciste. Ajo çka e inkurajon është qëndrimi i bashkëmoshatarëve të tij grekë, të cilët siç thotë “ndihen shumë keq kundrejt meje”: “Kemi mbaruar bashkë shkollën dhe u duket absurde që ndodh një njeri që ka vlera - nuk jam vetëm unë por dhe shumë të tjerë- nuk i jepet e drejta për një gjë shumë të thjeshtë, që është nënshtetësia. Na kuptojnë shumë, se njerëzit e rinj janë me horizonte të hapura”.

Kjo e bën që të besojë se në vendin e demokracisë dhe të filozofëve të lashtë si Aristoteli, që siç mësoi në fakultet e konsideronte drejtësinë si “virtytin e shoqërisë”, paradokse si ky me fëmijët e imigrantëve nuk e kanë të gjatë. “Jam optimist për këtë projekt-ligj, besoj se do të aprovohet dhe do të jetë zgjidhja për shumë moshatarë të mi dhe për të tjerët që do të vijnë pas meje. Jam tepër optimist”. Një telefonatë ndërpret bisedën tonë. “Është një hap shumë pozitiv. Nuk lë jashtë shumë njerëz siç pretendojnë disa dhe nxitojnë ta hedhin poshtë,” përgjigjet Denisi me një greqishte brilante telefonueses, Marianës, motrës së një shoku të tij siç tha që ai i bënte mësim suplementar në greqishten e vjetër dhe tani si studente në Aleksandrupoli donte të dinte diçka më shumë për projekt-ligjin e imigracionit.

Kosta Papa, kryetar i Forumit Rinor Shqiptar.
Kosta Papa, kryetar i Forumit Rinor Shqiptar.Fotografi: Nikos Anagnostou

Eva Opari, studente e Fakultetit të Gjuhës Gjermane.
Eva Opari, studente e Fakultetit të Gjuhës Gjermane.Fotografi: Nikos Anagnostou

Shoqëria greke përfiton

Integrimi profesional i fëmijve të imigrantëve është në interesin e vetë shoqërisë greke që nuk ka komoditetin të humbasë këtë potencial të vyer, mendon Kosta Papa, kryetari i Forumit Rinor Shqiptar, i cili u takua për këtë edhe me ministren greke të Arsimit Ana Dhjamantopullu. “Shpresojmë që me ligjin e ri do t'i jepet fund edhe kësaj humbjeje edhe për shtetin grek,” thotë Kosta. Ka edhe ai kalvarin e tij pasi brenda 10 vjetëve mësoi gjuhën greke, mbaroi universitetin, punoi akoma dhe në ndërtim për të mbijetuar kurse tani si këshilltar bankar. “Kur je emigrant përpiqesh të shikosh vetëm gjërat pozitive,” thotë Kosta, dhe në këtë prizëm shikon dhe reagimin e shoqërisë greke pa u shqetësuar për retorikën e djathtë nacionaliste: “Pjesa më e madhe e popullit grek është me të gjithë ata emigrantë të ndershëm dhe punëtorë dhe për një arsye të thjeshtë se grekët e dinë mirë çfarë është emigracioni,” thotë Kosta që imigrantët shqiptarë i konsideron më të pasur se vendasit se “dinë më shumë për ta se sa ata për imigrantët”.

Vende pune në bazë të aftësive dhe jo prejardhjes

Optimiste por e përmbajtur shfaqet edhe Eva Opari, studente e Fakultetit të Gjuhës Gjermane që jep ndërkohë edhe mësime private. Për atë janë propagandë fobitë e shprehura se fëmijët e imigrantëve do të marrin tani punët e vendasve jo në ndërtim dhe bujqësi, por në arsim dhe avokati. “Thjesht duan të bëhen më të aftë dhe të mbështesin ëndrrat e tyre për një jetë me premisa më të mëdha këtu në të gjitha aspektet,” thotë Eva dhe shton se vendet e punës duhet të fitohen në bazë të vlerave dhe jo të origjinës. “Kur do të bëhen shtetas grekë nuk do të kenë frikën e një të ardhme të pasigurt,” thotë Eva për bashkëmoshatarët e saj shqiptarë që me përftimin e statusit të ri të nështetësisë kthejnë dhe faqen më të rëndësishme të historisë 20-vjeçare të imigracionit në Greqi.

Autor : Niko Anagnosti

Redaktoi : Aida Cama