1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ditë historike në mardhëniet Maqedoni -Bullgari

1 Gusht 2017

Kryeministrat e Maqedonisë dhe Bullgarisë, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, në Shkup nënshkruan Marrëveshjen për Miqësi, Fqinjësi të mirë dhe Bashkëpunim.

https://p.dw.com/p/2hW76
Bulgarien Sofia Zoran Zaev und Boyko Borissov
Fotografi: BGNES

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje tregon se aty ku ka vullnet politik dhe ide për progres, problemet zgjidhen. Maqedonia dhe Bullgaria kanë bërë hap historik, sepse kjo marrëveshje stabilizon politikat në Maqedoni e Bullgari por edhe më gjerë në rajon, theksoi kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev. "Kjo marrëveshje është sukses i ndërsjelltë që kontribuon për politika stabilizuese për tërë rajonin e Ballkanit. U përcaktuam të udhëheqim politika të zgjidhjeve, e jo të problemeve. Tek Bullgaria pamë partner konstruktiv me qëllime të njëjta. Kjo miqësi është shembull se si pengesat disavjeçare mund të shndërrohen në motorr të zhvillimit. Kjo marrëveshje është një porosi e rëndësishme për BE-në dhe NATO-n, sepse tregon se vendet e këtij rajoni kanë udhëheqës politikë që ndërtojnë ura ", deklaroi kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Kryeministri i Bullgarisë Bojko Borisov, thaa, se nënshkrimi i marrëveshjes ka një sinonim me emër të bukur, sepse fqinjësia e mirë është një faktor i rëndësishëm për të dyja vendet në rrugën e tyre për familjen europiane. "Të dyja palët dhanë shumë mund e sakrificë për t'u arritur një marrëveshje për fqinjësi të mirë. Do të ketë reagim tejet pozitiv nga BE për këtë marrëveshje, sepse Maqedonia dhe Bullgaria, pa moderatorë dhe ndërmjetës, arritën tek një marrëveshje paqësore, tek një marrëveshje, që është perspektivë për të dyja vendet. Jo rastësisht thuhet se nëse shikon prapa, do të pengohesh e do të rrëzohesh. Prandaj ne vendosëm të shohim vetëm përpara. Rezultatet do të jenë shumë të shpejta. Termi "histori e përbashkët” në marrëveshje, është një term i perspektivës së përbashkët e jo i ndarjes", deklaroi kryeministri bullgar Bojko Borisov.

Me këtë marrëveshje, sipas kryeministrave Zaev dhe Borisov, do të realizohen një sërë projektesh që lidhen ngushtë me korridorin 8-të, projekt ky që bashkon shumë shtete të Ballkanit Perendimor. Gjithashtu kjo marrëveshje do të përmirësojë infrastrukturën e të dyja vendeve, do të hapë mundësi të reja për mardhënie ekonomike dhe do të lehtësojë procedurat doganore. Vendet e Ballkanit dhe Europës Juglindore, me nënshkrimin e marrëveshjeve të tilla kanë filluar të sillen në mënyrë europiane, prandaj edhe i meritojnë perspektivat euro-atlantike, nënvizoi kryeminisri Zaev .

VMRO-DPMNE: Marveshja është kapitulluese për Maqedoninë

Partia më e madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Zaev për nënshkrimin e marrëveshjes me Bullgarinë, duke e cilësuar atë si "marrëveshje kapitullimi”. Gjithnjë sipas kësaj partie, qeveria e Maqedonisë nuk është angazhuar që të përmirësojë disa tekste kontestuese nga marrëveshja, me të cilat mund të dëmtohen interesat kombëtare të Maqedonisë, gjuha dhe historia e saj. VMRO-DPMNE duke pasur parasysh këto fakte nuk mund t'i japë përkrahje marrëveshjes së nënshkruar në Shkup mes Maqedonisë dhe Bullgarisë.

Kundër nënshkrimit të marrëveshjes mes Shkupit dhe Sofies kanë qenë edhe shoqata” Bllazhe Konevski”, Forumi i Patriotëve të Lirë dhe disa profesorë universiteti, të cilët kanë protestuar para godinës së qeverisë, duke kërkuar anulimin e nënshkrimit të marrëveshjes.

Marrëveshja akt i guximshëm - hap perspektiva euroatlanitke

Njohësit e rrethanave politike në Maqëedoni, nënshkrimin e marrëveshjes e kanë quajtur si akt shumë të guximshmëm nga ana e kryeministrit Zaev. Profesor Mersel Bilalli marrëveshjen e vlerëson si akt të guximshëm por jo edhe aq të favorshëm, nëse shihet në aspektin e interesave partiake. Sipas Bilallit, marrëveshja jep impuls të fuqishëm në Uashington dhe Bruksel, se Maqedonia dëshiron të çlirohet nga e kaluara dhe është nisur rrugës drejt një të ardhmeje të sigurtë.

"Me këtë marrëveshje, politikëbërja e Shkupit, çlirohet nga nacionalizmi manipulues, pas të cilit fshihet krimi i organizuar që për vite të tëra thellë e ka mbjellë VMRO-DPMNE. Kjo marrëveshje u jep shans qytetarëve, kompanive, zhvillimit në përgjithësi, andaj ajo duhet të jetë një model për fqinjësi të mirë mes të gjitha vendete të Ballkanit Perendimor”, deklaron Mersel Bilalli.

Për profesorin Nano Ruzhin, me këtë marrëveshje Maqedonia tejkalon edhe një pengesë drejt antarësimit të saj në BE. Kjo marrëveshje relakson gjendjen politike në rajon, ndaj ajo do të ketë përkrahje të plotë nga SHBA dhe BE.

"Kjo marrëveshje zhduk mitin e armiqësisë me fqinjët, relakson politikat në rajon dhe plotëson kushtin për antarësimin e vendit në BE. Janë kërto tre elementet kryesore të kësaj marrëveshjeje, e cila duhet të përkrahet nga të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, vlerëson Nanpo Ruzhin.

Sipas tij Maqedonia duhet të vazhdojë me nënshkrimin e marrëveshjeve të tilla edhe me Kosovën, Shqipërinë, Serbinë dhe Greqinë.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut