1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ditët e Gjuhës gjermane 2015 në Kosovë

Bekim Shehu6 Maj 2015

Programi "Ditët e Gjuhës gjermane 2015" që zhvillohet gjatëmujait maj në Kosovë synon t'u ofrojë mundësinë të merren me gjuhën gjermane të gjithëve si fillestarëve ashtu edhe atyre që e kanë gjermanishten gjuhë amtare.

https://p.dw.com/p/1FL8O
German language days 2015 ACHTUNG SCHLECHTE QUALITÄT
Fotografi: DW/B. Shehu

Ashtu si në pesë vitet e kaluara, edhe sivjet Ambasada Gjermane në Prishtinë së bashku me Ambasadën Zvicerane dhe atë Austriake, përfshirë dhe partnerë të tjerë organizon "Ditët e Gjuhës gjermane 2015".

Me këtë program të gjerë që nisi në fillim të muajit maj dhe do të zgjasë deri në fund të majit, dëshirohet që të gjithëve, nga fillestarët deri tek folësit amtarë, t'u ofrohet mundësia për t'u marrë me gjuhën gjermane. Krahas kësaj, Ambasada Gjermane e vlerëson përpjekjen e të gjithë atyre, të cilët e flasin rrjedhshëm gjuhën gjermane.

Në kuadër të programit "Ditët e Gjuhës gjermane 2015", për plot 24 ditë ofrohen aktivitete të ndryshme anë e mbanë Kosovës. E veçanta e gjithë kësaj është se ofrohen bursa për nxënës, bursa për studentë dhe shkencëtar, bursa për ekspertë të ardhshëm dhe mundësi për mësimdhënien e gjuhës gjermane.

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, në një nga fletushkat ku jepen informacione të shumta për bursa të ndryshme për studime në Gjermani, shkruan se arsimi është burimi i çdo shoqërie dhe baza për zhvillimin secilit vend. "Arsimi i lartë në këtë mes ka një domethënie të veçantë, ai nga nxënës të përgjithshëm bën ekspertë në drejtësi, inxhinieri, matematikë, ekonomi apo gjuhë të huaja. Këta ekspertë kanë dijen e nevojshme për të udhëhequr apo për të themeluar ndërmarrje, për t'u dhënë mësim gjeneratave të reja në shkolla, apo, të përgatisin në aspektin profesional vendimet e ministrave në ministri të ndryshme", shkruan ambasadorja Angelika Viets.

German language days 2015 ACHTUNG SCHLECHTE QUALITÄT
Fotografi: DW/B. Shehu

"Me anë të diplomimit të pjesëshëm të studimeve, apo një praktike jashtë vendit, ekziston mundësia që dija e fituar në Universitet në atdhe të thellohet dhe të shikohet nga një perspektivë e re. Gjermania ka shumë universitete të mira me një numër të madh dhe të ndryshëm të drejtimeve, të cilat mund të jenë të përshtatshme për studime post-universitare", thotë në shkrimin e saj, ambasadorja gjermane Angelika Viets, e cila u bën thirrje të rinjve kosovarë që të aplikojnë për bursa që u mundësojnë studime në Gjermani.

Njëra nga shqetësimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare që nga paslufta ishte dhe vazhdon të jetë pamundësia e të rinjve kosovarë që të shkollohen jashtë vendit për shkak se Kosova akoma nuk është përfshirë në liberalizimin e vizave dhe kjo sipas udhëheqësve politik kosovar, po shkakton pengesë për qytetarët e Kosovës. Por sa i përket Gjermanisë, ky vend tashmë e ka të rregulluar çështjen e të rinjve që dëshirojnë të studiojnë në Gjermani dhe këtë e tha gjatë vizitës në Kosovë në fund të majit prill, shefi i diplomacisë gjermane, Frank Wallter Steinmeier.

"Liberalizimi i vizave nuk duhet të keqkuptohet si një parakusht për të rinjtë që të fillojnë një studim në Gjermani. Ne në Gjermani për këtë çështje kemi gjetur zgjidhje, shembull për studime nuk nevojitet që të ketë liberalizim të vizave", tha Frank Wallter Steinmeier.

Janë shumë organizata gjermane që në kuadër të "Ditëve të Gjuhës gjermane 2015", përmes broshurave informatiove dhe aktiviteteve në terren njoftojnë të rinjtë mbi mundësinë e përfitimit të një burse gjermane.

Është fondacioni "Europeans For Peace", që ndan bursa për nxënës, "Shërbimi Gjerman për Shkëmbime Akademike" ( DAD), fondacioni "Alexander von Humboldt", që ofron bursa kërkimore, "Erasmus Mundus", që ofron kurse master dhe doktorate, janë fondacionet e njohura "Friedrich Erbert Stiftung", "Konrad Adenauer Stiftung", "Friedrich Naumann Stiftung", që ofrojnë bursa për këshillim politik, shkollim dhe trajnim politik për pozita udhëheqëse e shumë fusha tjera. Është fondacioni i Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme, si dhe fondacione të tjera: "Rosa Luxemburg Stiftung", "Robert Bosch Stiftung", "Internationales Parlaments-Stipendium des Deutschen Bundestages" (IPS), etj. E mbështjetje të veçantë për përhapjen e gjuhës e kulturës gjermane jepn instituti "Goethe Institut", që vepron në tërë botën e që përkujdesët për bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e kulturës.

Aktivitetet "Ditët e Gjuhës gjermane 2015" zhvillohen në për të pestin vit radhazi në bashkëpunim edhe më ambasadën Zvicerane dhe atë Austriake promovojnë gjuhën gjermane duke u dhënë mundësi qytetarëve të Kosovës, sidomos të rinjve që përmes bursave të ndryshme që ofrojnë organizatat gjermane, të studiojnë në shkollat dhe universitetet më të mira gjermane.