1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ditët e numëruara për Olmertin - Indinjatë mbi zbulimet e fundit

Sebastian Engelbrecht14 Korrik 2008

Presioni i politikës së brendëshme ndaj kryeministrit të Izraelit, Ehud Olmert po rritet gjithnjë e më shumë. Akuzave për korrupsion kundër tij i shtohet tani edhe ajo për mashtrim, siç rezultojnë hetimet e fundit.

https://p.dw.com/p/EcQU
Kryeministri i Izraelit, Ehud Olmert në parlamentin izraelit KnesetFotografi: AP

Nëse një gazetë e quan kryeministrin "bandit", kjo nuk befason më askënd në Izrael. Hetimet e fundit të policisë e ngarkojnë rëndë kryeministrin. Akuzave për korrupsion u shtohet tani edhe dyshimi për mashtrim. Dorëheqja duket e pashmangshme.


Në postet e tij të mëparshme si kryetar bashkie i Jeruzalemit dhe si ministër i brendëshem Olmerti akuzohet të ketë përfituar personalisht prej kompensimit të shpenzimeve. Gjithmonë kur Olmerti shkonte jashtë shtetit, i ftuar nga organizata të ndryshme, zyra e udhëtimeve e kryeministrit në secilën prej këtyre organizatave dërgonte faturat për bileta të klasit të parë. Në këtë mënyrë kryeministri ka depozituar një shumë shtetërore në zyrën e tij të udhëtimeve, sipas të dhënave të policisë fjala është për 40.000 dollarë. Këto para Olmerti i ka përdorur për udhëtime private jashtë vendit për vete dhe familjen tij.


Shoku i partisë së Olmertit, ministri i komunikacionit Mofas, ka frikë, se akuza për mashtrim mund ta dobësojë Izraelin në përgjithësi: „Situata aktuale është e vështirë dhe Olmerti duhet të marrë një vendim. Pas kthimit nga Parisi unë do të bisedoj me të. Të gjitha pyetjet që shtrohen në popull janë mjaft kritike, po pika më kryesore e rendit të ditës është, siguria. Vitet e fundit tema qendrore ka qenë siguria.“


Izraeli duhet të demonstrojë forcën, deklaroi Mofas në radion izraelite. Në sfondin e programit bërthamor iranian, forcimit gjithnjë e më shumë të Hisbollahëve në Liban dhe armëpushimit të paqëndrueshëm me Hamasin islamik shteti ka nevojë për një qeveri të fortë. Shaul Mofas konsiderohet si njëri ndër pasuesit e mundshëm të Olmertit. Në shtator partia Kadima do të zgjedhë kryeministrin dhe kryetarin e ri të partisë. Fundi i Olermtit në këto funksione është tashmë punë e mbaruar. Për ministren e jashtme Tsipi Livni, gjithashtu antare e Kadimasë dhe pretendente për postin e kryeministres, periudha e Olmertit si kryeministër ka marrë fund. Në mënyrë diplomatike Livni vë në dukje: „Kushdo, që ka pasur deri tani dyshim, ashtu si edhe unë, tashmë ka marrë një vendim. Por unë s´kisha më nevojë për lajmet e fundit, për të vendosur, se cili duhet të jetë hapi i mëtejshëm. Siç e dini, ne ndërkohë, kemi filluar të veprojmë dhe kthesa ka nisur."

Ndryshe nga Livni gazeta izraelite Ha'aretz gjykon duke kritikuar ashpër qëndrimin e kryeministrit. Njeriu, që përfaqësoi Izraelin në themelimin e Unionit të Mesdheut në Paris, i mungonte për këtë "mandati moral" dhe besimi në opinion. Përpjekjet e Olmertit për paqen nuk janë gjë tjetër veçse fasadë. Në pikat e kontrollit dhe në vendbanimet ilegale në Jordanin Perëndimor as që ndjehet vullneti për paqen. Po me kaq indinjatë shprehet edhe komentatori Akiva Eldar, që shtron pyetjen, nëse Olmerti mendon seriozisht t´i kthejë Sirisë lartësitë Golan dhe të vendosë paqen me këtë vend. Olmerti tani ka vetëm një qëllim: të shpëtojë lëkurën e vet. Për këtë ai shpërdoron postin e kryeministrit. Komentatori i gazetës „Ha'aretz“ i rekomandon partisë Kadima që t´i tregojë derën "banditit".