1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dita ndërkombëtare kundër duhanit

Joachim Schubert-Ankenbauer31 Maj 2006

4,9 milionë njerëz vdesin çdo vit prej pasojave të konsumimit të duhanit. Këto të dhëna të Organizatës Botërore të Shëndetsisë tregojnë se pirja e duhanit është shkaku më i shpeshtë i vdekjeve, i cili mund të mënjanohet. Por fushatat e OBSH-së nuk kanë të bëjnë vetëm me pirjen e cigareve apo të purove, sepse në treg po dalin gjithnjë e më tepër produkte të cilat përmbajnë nikotinë dhe që preferohen shumë prej të rinjve.

https://p.dw.com/p/ArLP
Ndërsa në vende të tjera merren vendime për ndalimin me ligj të duhanit në ambiente publike, në Gjermani një gjë e tillë i lihet në dorë vullnetarizimit. Kështu edhe gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit 2006.
Ndërsa në vende të tjera merren vendime për ndalimin me ligj të duhanit në ambiente publike, në Gjermani një gjë e tillë i lihet në dorë vullnetarizimit. Kështu edhe gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit 2006.Fotografi: AP

"Duhani - vdekjeprurës në çfarëdolloj forme!" - kjo është motoja e ditës kundër duhanit. Kjo ditë është pjesë e një fushate të madhe me të cilën OBSH-ja përpiqet prej shumë vitesh të ulë përqindjen e konsumimit të duhanit në botë. Për këtë OBSH-ja është tepër e pakënaqur që në stadiumet gjermane do të lejohet që gjatë kampionatit botëror të futbollit të pihet duhan.

Marta Seoane, zëdhënëse e fushatës kundër duhanit sqaron:

"Unë mendoj si shumica e njerëzve të tjerë dhe madje edhe vetë FIFA vetë, të paktën kështu mendonte në vitin 2002, se duhani dhe sporti nuk shkojnë me njëri-tjetrin. Për këtë do të ishte për t'u përshëndetur në rast se gjatë këtij aktiviteti nëpër stadiume nuk do të lejohej pirja e duhanit dhe gjë e tillë do të ishte edhe një hap gjigand përpara për lëvizjen anti-duhan, e cila është shumë aktive."

FIFA ka arritur një marrëveshje me OBSH-në, sipas së ciles gjatë kampionateve nuk do të lejohet që në stadiume të pihet duhan. Një gjë të tillë mund ta lexosh edhe në faqen e internetit të federatës ndërkombëtare të futbollit. Dhe vërtet gjatë botërorit 2002 në Korenë e Jugut dhe në Japoni nëpër stadiume ishte e ndaluar pirja e duhanit. Po ashtu edhe gjatë botërorit 2010 në Afrikën e Jugut cigaret nëpër stadiume do të jenë të ndaluara.

Për botërorin 2006 FIFA dhe komiteti organizator gjerman ranë dakord që ky rregull të mos vlente. Pra në vend të ndalimit të duhanit do të organizohet vetëm një fushatë ku sportdashësve nëpër stadiume do t'u kërkohet me mirësjellje që të mos pinë duhan.

OBSH-ja dhe organizata të tjera janë të mendimit se lutje të tilla nuk janë të mjaftueshme dhe se nëpër stadiume duhet të ndalohet duhani.

"OBSH-ja e ka ftuar federatën ndërkombëtare të futbollit, FIFA, që ta ripërsërisë këtë marrëveshje, sepse është e qartë se kërkesat që njerëzit të heqin dorë vullnetarisht prej pirjes së duhanit nuk funksionojnë, - thotë Marta Seoane. Për të reduktuar numrin e konsumatorëve duhet që të vendosen rregulla për ndalimin e duhanit, sepse bëhet fjalë për mbrojtjen e shëndetit të publikut, të spektatorëve nëpër stadiume dhe të atyre që do t'i ndjekin ndeshjet përmes televizorit, pra të rritur e fëmijë në të gjithë botën."

Sigurisht që OBSH-ja nuk mund të urdhërojë marrjen e masave të tilla për stadiumet, sepse kjo është kompetencë e komitetit organizator. Por nuk është hera e parë që Gjermania bie në sy negativisht në lidhje me fushatat kundër duhanit. Sipas një studimi të qendrës gjermane për kancerin industria e duhanit në Gjermani ka një ndikim aq të madh sa thuajse në asnjë vend tjetër. Kështu qeveria federale gjermane nuk ka qenë dakord me konventën kundër duhanit, duke argumentuar se një hap i tillë do të kushtonte humbjen e shumë vendeve pune. Dhe ndërsa në vende të tjera merren vendime për ndalimin me ligj të duhanit në ambiente publike, në Gjermani një gjë e tillë i lihet në dorë vullnetarizimit.