1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel: "Do preferoja një vend, ku emri nuk luan rol"

Heiner Kiesel2 Dhjetor 2014

Të rinjtë me sfond të huaj e kanë ende të vështirë të gjejnë punë në Gjermani. Shumë aplikantë rrëzohen për shkak të emrit me tingëllim të huaj. Në samitin e integrimit në Berlin kërkohet zgjidhja e këtij problemi.

https://p.dw.com/p/1Dy9N
Fotografi: T. Schwarz/AFP/Getty Images

Kancelarja Angela Merkel ka paralajmëruar punëdhënësit në Gjermani të jenë më të hapur ndaj migrantëve dhe fëmijëve të tyre në këtë vend. Ajo kritikoi në samitin e shtatë për integrimin në Berlin faktin që aplikantët me emra të huaj e kanë ende të vështirë të gjejnë punë. "Në këtë pikë duhet të përmirësohemi", theksoi politikanja e CDU-së. Por ajo bëri të qartë, se "të dyja palët duhet të lëvizin" me qëllim "që të kemi sukses". Emigrantët dhe familjet e tyre janë një shans për Gjermaninë dhe rritja e numrit të tyre tregon se Gjermania gëzon prestigj të lartë jashtë vendit. Vetëm në vitin 2013 kanë ardhur 1,2 milionë vetë - rritja më e madhe e imigrantëve kjo që prej dy dekadash.

Në samitin e integrimit takohen përfaqësues të federatës, landit, ekonomisë, sindikatave dhe organizatave të emigrantëve. Tema qendrore këtë herë ishin mundësitë e punësimit dhe kualifikimit profesional të të rinjve me sfond të huaj. Qeveria gjermane kërkon të angazhohet më shumë, që të rinjtë të informohen më shumë për shanset e kualifikimit profesional, tha Merkel. Para samitit ajo u takua me të ngarkuarën e qeverisë gjermane për integrimin, Aydan Özoguz (SPD) për t'u informuar për mundësitë e kualifikimit të të rinjve.

Angela Merkel zu Besuch bei BVG
Fotografi: Reuters/A. Schmidt

Aplikimet anonime si zgjidhje

Një mundësi për më shumë barazi shansesh për njerëzit me sfond të huaj shihet tek procedura e anonimizuar e aplikimeve, sepse shumë kërkesa dështojnë që në fazën e parë. Drejtuesja e qendrës kundër diskriminimit në federatë Christine Lüders së bashku me Komunitetin Turk në Gjermani 8TGD) u shpreh se "punëdhënës privatë dhe publikë lenë pa shfrytëzuar një potencial të madh punëmarrësish dhe kjo në pikun e mungesës së fuqisë së kualifikuar punëtore."

Të dyja organizatat kërkojnë aplikime anonime, pa emrin, vendlindjen, adresën moshën dhe vendlindjen e kombësinë. Edhe informacione si leja e lindjes, shërbimi ushtarak dhe njohuritë e gjuhës do të duhet të hiqen nga aplikimi. Kjo procedurë krijon më shumë shanse të barabarta, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Më shumë mundësi për mësimin e gjuhës

Kancelarja gjermane e sheh më e distancuar projektin e aplikimeve anonime, tipike në SHBA, Kanada dhe Britaninë e Madhe: Kjo mund të bëhet, tha ajo në fund të samitit: "Por të them të drejtën më mirë do të preferoja një vend, ku emri nuk luan rol."

Sprachkurs Migranten Symbolbild
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ajo dëshiron një proces të afrimit të dyanshëm. "Integrimi nuk është rrugë njëkalimshe." Merkel kërkon që të rinjve t'u ofrohen më shumë mundësi në mësimin e gjermanishtes dhe në shkollë. Aktualisht shumë shpresëdhënës është projekti i "kualifikimit profesional të asistuar", i cili vlerësohet edhe nga kancelarja Merkel. Në këtë projekt të rinjtë e shtresave sociale me probleme apo me rezultate të dobta në mësime kanë si asistent një ndërmjetësues të agjencisë së punës apo ekspert të një fushe sociale. E ngarkuara për integrimin, Özoguz bën thirrje që prindërve t'u bëhet shumë e qartë rëndësia e një shkollimi të mirë. "Prindërit luajnë një rol shumë të madh", thotë Özoguz.

Kritika për samitin e integrimit

Kritikët e samitit të integrimit shprehen se në samit nuk pati hapa konkretë, veçse shkëmbim mendimesh. Kryetarja e partisë opozitare "E Majta", Katja Kipping, bëri fjalë për një "spektakël". Ajo kërkoi heqjen e barrierave për qytetarët më sfond të huaj si hapjen ndërkulturore, reformën e nënshtetësisë- dhe sigurisht aplikimet anonime.

Debati për ndalimin e burkës shoqëroi samitin e integrimit. Ai u ndez nga deklaratat e deputetes së CDU-së, Julia Klëcker, e cila kërkoi në "Rheinische Post" ndalimin e mbulimit të plotë të femrës. Burka nuk është simbol i shumëllojshmërisë fetare, tha Klëcker. Por vetë në samit kërkesa e deputetes kristiandemokrate nuk luajti ndonjë rol.