1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Do të bëhet apo jo Kosova anëtare e INTERPOLIT?

Bekim Shehu
20 Nëntor 2018

Në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it që po zhvillohet në Dubai, të martën votohet, nëse Kosova do të bëhet anëtare e kësaj organizate apo jo. Serbia e kundërshton fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

https://p.dw.com/p/38YfR
Interpol Logo
Fotografi: Getty Images/AFP/R. Rahman

Kosova këtë të martë pret të bëhet anëtare e organizatës për bashkëpunimin policor ndërkombëtar INTERPOL. Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it, po zhvillon punimet në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, ku me gjithë kundërshtimin e Serbisë, asambleja me votat e 90 shteteve anëtare, nga 134 sa ishin të pranishëm, vendosi që të martën në mesditë aplikimi i Kosovës në INTERPOL, të hidhet në votim.  Që Kosova të bëhet anëtare e organizatës ndërkombëtare për bashkëpunim të policisë, i nevojiten dy të tretat e votave të shteteve pjesëmarrëse në asamble. Shefi i diplomacisë kosovare, Behxhet Pacolli, i cili gjenden në Dubai, tha në një konferencë për medie se "Kosova është në një pozitë shumë të mirë për t'u bërë anëtare”.

"Neve na ndajnë vetëm disa orë deri te momenti i rëndësishëm për ne. Unë besoj se do të pranohemi në INTERPOL, sepse vota pro është votë e merituar e Kosovës si shtet. Të qenurit  në INTERPOL është jashtëzakonisht me rëndësi për Kosovë, është eventi më i rëndësishëm pas shpalljes së pavarësisë”, tha Behxhet Pacolli.

Bedzet Pacoli
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet PacolliFotografi: Imago/Zumapress

Serbia kundër

Serbia, hapur e kundërshton pranimin e Kosovës në INTERPOL, duke argumentuar sipas shtetit serb që "Kosova nuk është shtet dhe nuk mund të jetë pjesë e INTERPOL-it”. Këtë e thotë Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq. "Qeveria në Serbi do të bëjë gjithçka që është e mundur për ta ndaluar këtë nismë”. Kosova nuk është një shtet, por është pjesë përbërëse e Serbisë, prandaj është e kundërligjshme që si e pavarur të anëtarësohet në Interpol. Ne do të informojmë Sekretarin e Përgjithshëm të institucionit dhe të gjithë anëtarët, se ne besojmë që kjo nismë nuk është e ligjshme”, citojnë mediet në Serbi, Nebojsha Stefanoviqin.

Që Serbia po lobon me të gjitha mjetet e saj kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatën ndërkombëtare për bashkëpunim të policisë, e  thotë nga Dubai edhe Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm të Kosovës. "Në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit që po mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe, Serbia e ka nisur një ofensivë të paparë që të bllokojë anëtarësimin e Kosovës. Është e pakuptueshme për të gjithë se si një shtet e kundërshton fuqizimin e sigurisë dhe luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe terrorizmit. Janë të paprecedentë metodat shantazhuese të shtetit serb ndaj përfaqësuesve të shteteve të botës në asamblenë e përgjithshme të Interpolit”, shkruan në profilin e tij Jetlir Zyberaj.

Ungarn Serbiens Innenminister Nebojsa Stefanovic
NEbojsha StefanoviqFotografi: picture-alliance/AP Photo/D. Vojinovic

Avantazhet e anëtarësimit

Sipas Jetlir Zyberajt, Kosovës i duhen votat e 2/3 të delegatëve në mënyrë që të bëhet anëtare e Interpolit. Nëse eventualisht nuk i siguron këto vota në raundin e parë, atëherë do të ketë një raund të ri të votimit.

"Kosova në Interpol është garanci për rajonin dhe më gjerë. Ky anëtarësim do t'i ndihmoj rajonit dhe Evropës që të luftohet krimi i organizuar, sepse vendi ynë ka dëshmuar se ka kapacitete të fuqishme të sigurisë dhe është më se i gatshëm të bëhet pjesë e këtij mekanizmi të rëndësishëm global”, thotë këshilltari i shefit të diplomacisë kosovare.

INTERPOL-i aktualisht numëron 192 shtete anëtare. Në rendin e ditës për votim kësaj radhe është pranimi i Kosovës, Kiribatit  dhe Ishujve Vanuatu. Pranimi edhe i këtyre tri vendeve do ta shtonte numrin në 195 vende anëtare të INTERPOL-it. NTERPOL-i është organizata më e madhe ndërkombëtare për bashkëpunimin policor. Në bazë të përshkrimit të detyrave, qëllimi i INTERPOL-it është të ofrojë mbështetje sa më të madhe për institucionet policore të vendeve që janë anëtare në pajtim me ligjet e vendeve përkatëse dhe Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut. Kosova për herë të parë ka aplikuar për t'u bërë anëtare e  INTERPOL-it në vitin 2010. E ka përsëritur kërkesën pesë vjet më vonë, në vitin 2015, kjo është hera e tretë që Kosova pret të bëhet anëtare e INTERPOL-it.