1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Do të na mungojë një njeri i afërt, një mik dhe personalitet - Kryeministri shqiptar Nano për vdekjen e Trajkovskit

Adelheid Feilcke-Tiemann (shefe e seksionit shqip)5 Mars 2004

Trajkovski ishte një president evropian i Maqedonisë fqinjë, president i marrëveshjes së Ohrit, president i bashkëpunimit të shkëlqyer jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me vendet e tjera ballkanike - kryeministri shqiptar Fatos Nano rreth vdekjes tragjike të presidentit maqedonas Boris Trajkovski

https://p.dw.com/p/ArTp
Varrimi i presidentit Trajkovski
Varrimi i presidentit TrajkovskiFotografi: AP

DW: Zoti kryeministër, cili është vlerësimi juaj personal për figurën e Trajkovskit?

Nano: Një humbje tragjike dhe e papritur, prandaj do të na mungojë ky njeri i afërt, një mik dhe personalitet. Ai ishte një president evropian i Maqedonisë fqinjë, president i marrëveshjes së Ohrit, presidenti i bashkëpunimit të shkëlqyer jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me vende të tjera të rajonit. Pra një partner që unë e quaj të zëvendësueshëm me zor për stabilitetin e Maqedonisë dhe për reformat euro-atlantike të Ballkanit.

DW: Zoti kryeministër, a do të ndikojë vdekja e Trajkovskit në marrëdhëniet bilaterale, ato ndëretnike si edhe në marrëdhëniet mes vendeve ballkanike?

Nano: Do ta përjashtoja këtë fakt për shkak të realitetit të sotëm në Maqedoni dhe të hapave progresive që janë hedhur deri tani në zbatimin e marrveshjes së Ohrit, falë vullnetit politik, i cili është arritur me kontributin e veçantë edhe të të ndjerit president Trajkovski. Ky vullnet politik është sot i pranishëm në të gjithë spektrin parlamentar dhe në atë të shoqërisë maqedonase. Dhe aq më shumë për shkak se aktorët kryesorë politikë të Maqedonisë fqinje janë të orientuar në mënyrë të pakthyeshme drejt bashkëjetesës dhe integrimit.


DW: Sot është dita kur Maqedonia do të paraqiste kërkesën për anëtarësimin në BE. Kjo ka qënë një iniciativë së cilës presidenti maqedonas jo vetëm që i ishte përkushtuar me zemër, por që kishte edhe përkrahjen e qeverisë maqedonase. A do të ndikojë ky incident në këtë drejtim?

Nano: Nuk mendoj se ky incident mund të shoqërohej me ndonjë incident tjeter, pra incidenti tragjik i humbjes së të ndjerit Trajkovski. Nuk besoj se iniciativa të tilla që përshpejtojnë procesin e përafrimit dhe të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE i bëjnë keq dikujt tjeter. Pra besoj se duhet parë pozitivisht si pjekuri e vendeve, institucioneve dhe politikave të vendeve të Ballkanit për procesin evropian që do të dinamizonte te gjitha zhvillimet rajonale gjithashtu perfshi edhe ato që lidhen me vendin tim.