1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dokumenti i decentralizimit - ofertë serioze

Bekim Shehu10 Janar 2006

Autoritetet e Kosovës dokumentin e përpunuar të decentralizimit e kanë cilësuar një ofertë serioze për komunitetet në vend. Dokumenti garanton mosndarjen e Kosovës mbi baza etnike

https://p.dw.com/p/AqrG
Prishtina
PrishtinaFotografi: AP

Kryesuesi i grupit punues për decentralizimin, Ministri i Pushtetit Lokal, Lutfi Haziri, pasi i dorëzoi zyrtarisht grupit politik strategjik dokumentin e përpunuar të decentralizimit të pushtetit vendor, e cilësoi atë një ofertë serioze për komunitetet në Kosovë në mënyrë të veçantë për pjesëtarët e pakicës serbe.

Ndarja e Kosovës mbi baza etnike është tërësisht e papranueshme për palën shqiptare të Kosovës, është shprehur Haziri. Ai nuk bëri të njohura më shumë detaje rreth dokumentit të Prishtinës mirëpo, tha se dhe një gjë të tillë nuk e lejon as dokumenti mbi reformën e pushtetit lokal. Kordinatori i grupeve të punës për bisedat për statusin final të vendit, Blerim Shala, ndërkaq u shpreh se pikat e dokumentit janë të atilla që garantojnë kufijtë ekzistues të vendit, ndërkohë që mëtohet të ketë funksionim efikas të pushtetit vendor.

Dokumenti i përpunuar i decentralizimit akoma nuk i është dorëzuar nivelit më të lartë politik, Grupit Negociator të Kosovës i cili pritet të japë dritën e gjelbër që decentralizimi të bisedohet më palën serbe në Vjenë të Austrisë.

Para se të mbahet takimi i Vjenës ndërmjet ministrit, Lutfi Haziri dhe homologut të tij serb nga Beogradi, Zoran Llonqar, dokumenti i decentralizimit do t'i dorëzohet fillimisht kryenegociatorit ndërkombëtar, Marti Ahtisari. Poashtu në fund të janarit, zoti Ahtisari, së bashku me ekipin e tij do të qëndrojë në Prishtinë, ku përveç dokumentit të decentralizimit atij do t'i dorëzohet edhe një platformë, me të cilën pala shqiptare argumenton pavarësinë e Kosovës.