Donald Trump mund të bisedojë me Putin dhe Xi për armatimet

Pas deklarimit të SHBA-së për daljen nga marrëveshja e rëndësishme për çarmatim bërthamor me Rusinë, nga Uashingtoni vjen sinjal pajtimi. Presidenti Donald Trump shkruan në twitter me kortezi, por mbetet i paqartë.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump, sikurse shprehet, synon bisedime çarmatimi me Rusinë dhe me Kinën. Në shërbimin e lajmeve të shkurtëra Twitter ai shkruan, se është i sigurtë, që "presidenti Xi (Jingping) dhe unë bashkë me presidentin rus (Vladimir) Putin dikur në të ardhmen do të flasim për ndalimin e arsyeshëm të këtij armatimi të madh dhe të pakontrollueshëm".

Mesazhi pason samitin e G20 në fundjavë në Buenos Aires, ku Trump dhe Xi sulmuan njeri-tjetrin në grindjen tregtare mes dy vendeve. Trump në mesazhin e tij shtoi: "SHBA sivjet kanë shpenzuar 716 miliardë Dollarë (për ushtrinë e tyre) - çmenduri!" Kjo shifër bazohet megjithatë në buxhetin e vitit 2019, që ka nisur në tetor.

Në tetor Trump deklaroi, se SHBA-ja do të dalë nga marrëveshja INF e vendosur më 1987 me Bashkimin Sovjetik. Një datë për daljen  nuk është komunikuar ende.

Sfondi ka të bëjë me armatimin e ri rus të tipit SSC-8, që sipas vlerësimeve të amerikanëve përbën shkelje të marrëveshjes. Moska e hedh poshtë këtë vlerësim. Marrëveshja INF ndalon ndërtimin dhe posedimin e raketave me rreze të mesme veprimi, të cilat mund të pajisen në mënyrë bërthamore.

Ministrat e jashtëm të vendeve të NATO-s të martën (04.12) diskutojnë për pasojat e mundshme pas shkeljes sikurse mendohet të marrëveshjes nga Rusia.

jj/uh (dpa, afp)