1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dorëheqja e kreut të koncernit Daimler-Chrysler & Misionet e NASA-s & Vizita e kristjandemokratit Sheuble në SHBA

VFB29 Korrik 2005

Tema më e komentuar në shtypin e sotëm është deklarimi për largim nga posti i shefit të koncernit të automobilëve Daimler-Chrysler, Jyrgen Shremp. Analistët trajtojnë edhe temën e misioneve të SHBA për fluturimet në hapësirë pas mbërritjes së sukseshme të anijes kozmike "Discovery" në stacionin ndërkombëtar të astrnautikës në gjithësi, ISS.

https://p.dw.com/p/AruR

Lidhur me temën e parë e përditshmja e Këlnit "Express" komenton: "Pa pushuar asnjë minutë, Jyrgen Shremp, është përpjekur të realizojë brenda një kohe të shkurtër vizionin e tij për ta shndërruar koncernin Daimler-Chrysler në një "shoqëri aksionare botërore" të drejtuar prej qendrës në Shtutgart. Fitim, fitim dhe përsëri fitim, kjo ka qenë motoja e menaxherit që përvishte mëngët në punë dhe që ka polarizuar si askush tjetër. Por llogaria e tij nuk pati rezultat. Në vend të arritjeve të shpresuara la e më la, pati disfata të njëpasnjëshme, prej të cilave nuk shpëtoi as marka paraprijëse Mercedes. Ethet e Shrempit për fitime koncernit iu desh t´i paguajë shtrenjtë. Ndaj largimi i tij i parakohshëm pa fjalimet e rastit për shprehjen e mirënjohjes nuk ishte i papritur. Por një gjë duhet vlerësuar tek Shremp, pavarësisht nga dështimet, ai asnjëherë nuk i nxorri në rrugë punëtorët. Falë paktit të punësimit 16.000 punonjësit e koncernit në Gjermani edhe pse do të sakrifikojnë i kanë të sigurta vendet e punës deri në vitin 2011", vëren "Express".

"Süddeutsche Zeitung" thekson, se "Burri nga Shtutgarti vetëdijen e tij e hodhi në mënyrë ofensive në treg. Ai provokonte, u predikonte gjermanëve, se ka marrë fund koha e kapitalizmit përkëdhelës, se duhet t´i jepet fund detyrimit të sipërmarrësve, politikës dhe sindikatave për të rënë në ujdi e për të lidhur kontrata. Shremp, që në kohën e shefllëkut ka jetuar gjatë jashtë shtetit, kishte parimin: interesi i aksionerëve në plan të parë. Me këtë ai u bë si gogoli i kombeit, por nga ana tjetër Shpremp nuk iu përgjigj aksionerëve: duke u dhënë atyre premtime që nuk ishte në gjendje t´i mbante. Emri i tij tek e fundit u bë sinonim i makutërisë në qarqet e drejtuesve si një njeri i kastës së atyre që fitojnë më shumë në vend, duke mos mundur të dëshmojë suksese të qarta", shkruan "Süddeutsche Zeitung".

Anija kozmike "Diskovery" iu bashkangjit me sukses stacionit ndërkombëtar në hapësirë ISS. Duke marrë shkas nga ky mision i NASA-s, e përditshmja "Corburger Tageblatt" komenton: "Dy vjet e gjysmë punë, një miliardë e gjysmë dollarë - të gjitha këto për hiç mosgjë? Shoku i NASA-s për gypin e thyer të serbatorit të jashtëm të "Discovery-t" u pasua prej entuziazmit së fundi për gjoja nisjen e sukseshme të misionit STS-114. Ndërsa tani ndodhi pikërisht ajo që nuk duhej të ndodhte kurrësesi: besimi për sigurinë e anijes kozmike është tronditur, paçka se këtë herë copëza nga mbulesa e serbatorit ra pa shkaktuar dëm në orbitë. Kuptohet, që tani s´është e udhës të përhapësh panik, sepse kjo pjesëz e shkëputur prej Discovery-t nuk është dhe aq kritike. Gjatë fluturimit të misionit të parë u dëmtuan 148 pllaka dhe 16 të tjera humbën. Vëzhgimet e reja me kamera provojnë megjithatë, se me ç´rreziqe janë nisur në hapësirë anijet kozimike këto 24 vjet", tërheq vëmendjen "Coburger Tageblatt".

"Kölner Stadt-Anzeiger" komenton: "Për SHBA kjo avari ndodh në një moment jofatlum. Jo vetëm se shqetësimi për fatin e ekipazhit do të lëshojë hije mbi rjedhën e misionit të Discovery-t, por edhe se partnerët evropianë gjithnjë e më shpesh do të shtrojnë pyetjen me të drejtë, nëse nuk do të ishte më e udhës që t´u jepej fund investimeve disa miliardëshe për stacionin ndërkombëtar në hapësirë ISS, kur anijet kozmike për transportet voluminoze do të dalin jashtë përdorimit. E megjithatë as që mund të parashikohen pasojat ndaj vetëdijes së një vendi, që u jep prioritet sfidave dhe shanseve duke mos i peshuar mundësitë për minimizimin e rrezikut", shkruan "Kölner Stadt-Anzeiger".

Së fundi edhe një citat nga komenti i "Frankfurter Allgemeine Zeitung" lidhur me vizitën në SHBA të politikanit gjerman Volgang Sheuble, nënkrytear i grupit parlamentar të kristjandemokratëve në opozitë: "Udhëtimi i Volfgang Sheubles në SHBA të jep shkas për t´u menduar. Takimi i papritur me presidentin Bush tregon se ende vlerësohet kalibri i këtij politikani me përvojë. Të njëjtën gjë dëshmon edhe fakti që kryetarja e partisë Angela Merkel e nisi Sheublen në këtë udhëtim. Ish-ministër, për vite me radhë kryetar i grupit parlamentar dhe për një kohë të shkurtër edhe kryetar i partisë, Shueble po del sërish në radhët e para të kristjandemokratëve. Nëse ai përveç të gjitha këtyre ia ka arritur vërtetë, ashtu siç njoftohet, që edhe Uashington tenton drejt idesë për një partneritet të Turqisë në BE, suksesi do të ishte i konsiderueshëm. Ky sukses do të shërbente edhe si një as që mund ta përdorin kristjandemokratët në luftën elektorale", analizon "Frankfurter Allgeimeine Zeitung".