1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Dramë' futbollistike në Krime

Eugen Theise2 Prill 2015

Futbollistët ikën, erdhën ushtarët. Aneksimi i Krimesë nuk ka lënë pasoja të rënda vetëm në politikë, por edhe në ekonomi dhe sport. Për shumë fansa, ndërhyrja paraqet një grusht të rëndë. UEFA po kërkon zgjidhje.

https://p.dw.com/p/1F1Za
Simferopol Stadion
Fotografi: picture-alliance/dpa/E. Biyatov

"30 vjet me radhë kam qenë fans i "Tavria"-s, shpjegon Igori në Simferopole, qytetin më të madh në Krime. Në moshën 10 vjeçare ai ka qenë për herë të parë me babain në stadium. Prej atëherë ai i ka parë gati të gjitha ndeshjet dhe me dëshirë i kujton momentet më të mëdha të klubit, si atë në vitin 1991, kur "Tavria" për herë të parë u bë kampione e Ukrainës së pavarur. Ai e kujton shpesh me mall atmosferën në stadium, kur skuadra luante në Europa League. "Më shumë se 10.000 shikues kanë qenë në ndeshjen kundër Bayer Leverkusen-it, në vitin 2010", kujton Igori. Edhe pse Leverkuseni fitoi 3:1, ai ishte një moment i paharueshëm. Ndërsa në mars të vitit 2014 ndodhi ajo që nuk mund të merrej me mend: klubi u shpërnda dhe tani nuk ekziston më."

Erdhën ushtarët, ikën futbollistët

Kur u futën ushtarët e parë me uniforma në Krime dhe pushtuan godinën e administratës, yjet e para të "Tavria"-s paketuan gjërat dhe ikën. "Kam frikë", deklaroi mesfushori nga Suedia, Gustav Svensson, dhe iku. Ndërsa kur u bë e qartë se Rusia do të pushtonte Krimenë, nga ky vend u larguan të gjithë lojtarët e huaj. Ikën madje edhe fansat e klubit. "Kishim frikë për jetën", thotë Oleg Komuniar. Prej aneksimit të Krimesë, fansat e "Tavria"-s janë zhvendosur në Kiev.

"Shumë prej nesh e kanë mbështetur lëvizjen në Maidan. Ne kemi dalë me flamuj të Ukrainës dhe të BE-së në rrugë. Kur erdhën rusët, më kanë kërcënuar se do të më vrinsin. Disa të njohur i kanë rrëmbyer dhe prej atëherë nuk dihet asgjë për fatin e tyre, shpjegon Komuniari.

Fansa të klubit futbollistik Tavria
Fansa të klubit futbollistik "Tavria"Fotografi: Oleg Komunyar

Igori mbeti këtu. Por edhe ai ka frikë dhe kërkon që fotografia e tij të mos bëhet publike. Edhe emrin e tij të vërtetë e kemi ndryshuar. Edhe kontestimi më i vogël i aneksimit të Krimesë mund t'i kushtojë humbjen e vendit të punës. Mund të kërcënohet edhe nga njësitë proruse.

Klubi i ri me lojtarë të tjerë

Asnjë futbollist i dikurshëm nuk ka mbetur në Simferopol. Sipas rregullave të FIFA-s, në Krime mund të luajnë vetëm lojtarë me dokumenta ukrainase. Por ata kanë ikur dhe udhëheqësia e re atje e ka futur ekipin në vitin 2014 në garat e Rusisë. Me urdhër të Rusisë, brenda disa muajve kanë ardhur këtu dhjetëra futbollistë nga pjesë të ndryshme të Rusisë. Klubi i dikurshëm ukrainas "Tavria" nuk ekziston. Tani është formuar ekipi "TSK".

UEFA nuk e pranon

Por shumë shpejt udhëheqësit e sportit në Moskë dhe Simferopol u përballen me realitetin: UEFA ua ka ndaluar zyrtarisht klubeve nga Krime të bëjnë ndeshje në Ligën ruse. Drejtori i "TSK" dhe qeveria e re në Krime gjendjen para gërmadhave. Një klub i kontrolluar nga një vend tjetër nuk mund të dalë në arenën ndërkombëtare.

Oleg Komuniarit i mungon ekipi i preferuar
Oleg Komuniarit i mungon ekipi i preferuarFotografi: privat

Në fillim nuk dihej asgjë se çfarë do të ndodhte me futbollin në Krime. UEFA e gjeti në vitin 2015 një kompromis dhe Krimeja tani ka një Ligë të veten. Planifikohet që Liga të ketë tetë ekipe, por deri tani atje ka vetëm gjashtë ekipe. Synohet që deri në gusht të nisë kampionati. Por drejtori i "TSK" Alexander Gajdasch thotë se aktualisht në tërë Krimenë ka vetëm pesë lojtarë të nivelit të kategorisë së parë. Një problem shumë i madh janë edhe financat dhe numri tepër i vogël i shikuesve.