1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

220110 Arbeitsmarkt Deutschland

22 Janar 2010

Tregu gjerman i punës është bërë më fleksibël dhe thithës. Kjo ka bërë që në Republikën Federale të ketë sot më shumë të punësuar se asnjëherë më parë: 40 milionë vetë nga mosha 15 deri 64 vjeç janë në punë.

https://p.dw.com/p/Ldrf
Gjashtë nga dhjetë punëmarrës në Gjermani kanë kontrata pune pa afat.
Gjashtë nga dhjetë punëmarrës në Gjermani kanë kontrata pune pa afat.Fotografi: AP

Kjo përqindje punësimi prej 70 për qind ka të bëjë nga njëra anë me faktin që sa vjen e punojnë më shumë gra; nga ana tjetër edhe me atë, që prej reformës Hartz IV në kuadër të Agjendës 2010 të papunët janë të detyruar të pranojnë edhe punë të paguara keq.

Tregu gjerman i punës është treguar deri tani i fortë gjatë recesionit më të rëndë të kohës së pasluftës. Vitin e kaluar u regjistruan mesatarisht 3,4 milionë si të papunë. Shkalla e papunësisë u rrit në 8,2 për qind, 0,8 për qind më shumë sesa në 2008-ën. Në të njëjtën periudhë kapaciteti ekonomik në Gjermani u tkurr me pesë për qind.

Mbi 1 milionë vetë punojnë me orar të shkurtuar

Që tregu i punës i shpëtoi një krize të ngjashme me atë në ekonominë reale, kjo i detyrohet para së gjithash punës me orar të reduktuar. Mbi një milion vetë e shfrytëzojnë aktualisht këtë instrument. Ai duhet të ndihmojë sipërmarrjet që të mos vuajnë nga mungesa e punëtorëve të kualifikuar në periudhë ekspansioni ekonomik. Një arsye tjetër për zhvillimin e qëndrueshëm në tregun e punës ka të bëjë me faktin që në Gjermani nuk është aspak e lehtë të pushosh nga puna punonjës.

Numri i përgjithshëm i të punësuarve në industri sa vjen e bie.
Numri i përgjithshëm i të punësuarve në industri sa vjen e bie.Fotografi: AP

Pushimi nga puna është i mundur vetëm në dy raste, thotë Werner Eichhorst, ekspert për tregun e punës në Institutin për të Ardhmen e Punës (IZA): "Nga njëra anë në rastin e ristrukturimeve, apo të mbylljes. Pra kur sipërmarrja gjendet në vështirësi, punëmarrësi mund të bëjë pushimin nga puna, por duke respektuar kritere sociale, veçanërisht në lidhje me moshën dhe gjendjen civile. Nga ana tjetër pushimi nga puna është i mundur edhe pas gabimeve të rënda personale."

Punëdhënësi paguan gjysmën e sigurimeve shoqërore

Krahas pengesave të larta për një pushim nga puna punëmarrësi gjerman gëzon edhe të drejtën që punëdhënësi të paguajë gjysmën e sigurimeve shoqërore, kjo përfshin sigurimin për pensionin, atë kundër papunësisë, shëndetësorin dhe për përkujdesjen. Ai përfiton nga një sistem i zgjeruar i bashkëvendosjes së sindikatës në sipërmarrje. Ai ka të drejtë për pushime të paguara, zakonisht gjashtë javë në vit. Koha mesatare e punës është 38,5 orë në javë. Në vitin 2007 një i punësuar me orar të plotë në industri, apo në sektorin e shërbimeve fitoi mesatarisht 41.000 euro bruto.

Në këtë gjendje relativisht fatlume janë ata, që kanë kontratë pune pa afat. Në Gjermani këta janë gjashtë nga dhjetë punëmarrës. Shumë halle kanë ata, që janë të punësuar në marrëdhënie pune jotipike, veçanërisht me punësim të përkohshëm, i quajtur edhe punë me leasing.

Tregu gjerman i punës është bërë më fleksibël.
Tregu gjerman i punës është bërë më fleksibël.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Qëllimi i punësimit të përkohshëm është mbulimi i të ashtuquajturave maja të prodhimit. Por sipas Werner Eichhorst që prej reformave në tregun e punës punësimi i përkohshëm ka marrë shtrirje më të gjerë."Aktualisht është para së gjithash një dukuri në industrinë prodhuese. Në industrinë metalurgjike, elektrike dhe automobilistike punësohen për kohë të gjatë punëtorë me punësim të përkohshëm, por me paga, që janë nën nivelin, që ka qenë deri tani i zakonshëm në këto degë."

Të punësuarit me afat pushohen të parët nga puna

Ata janë edhe të parët, që largohen nga puna, kur ka kriza. Prodhuesi i avionëve Airbus sapo bëri të ditur, se gjatë vitit do të largojë nga puna në fabrikën në Hamburg 1.000 punëtorë me leasing.

Edhe numri i përgjithshëm i të punësuarve në industri sa vjen e bie. Në 2008-ën në industrinë prodhuese gjendeshin vetëm 22 për qind e vendeve të punës. Në të njëjtën kohë rritet rëndësia e shërbimeve për tregun gjerman të punës. Pothuajse treçereku i gjithë të punësuarve punonte në 2009-ën në këtë sektor.

Autor: Zhang Danhong / Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama