1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dritë jeshile për naftësjellësin e ri Burgas-Aleksandrupoli

Niko Anagnosti15 Mars 2007

Nënshkrimi i marrëveshjes u krye nën praninë e kryeministrit grek Karamanlis, të presidentit rus Putin edhe kryeministrit bullgar Stanishev

https://p.dw.com/p/ArXe
Vladimir Putin
Vladimir PutinFotografi: AP


Nënshkrimi, sot para dite, i marrëveshjes ndërshtetërore për ndërtimin e naftësjellësit Burgas-Aleksandrupoli në rezidencën e presidencës greke nga ministrat e Energjisë të Greqisë, Bullgarisë edhe Rusisë në praninë e kryeministrit grek Karamanlis,të presidentit rus Putin edhe kryeministrit bullgar Stanishev, u bë përmes një ceremonie madheshtore.

Për presidentin Putin, të ardhur me të njëjtin avion që ka përshkuar qindëra mijëra kilometra nëpër Evropë edhe Azi për avancimin e strategjisë së tij energjetike, vepra është një tjetër rrugëdalje për transportimin e burimeve të shumta energjitike të vendit të tij drejt perendimit.

Për Athinën, kjo shënon hyrjen e saj në hartën energjitike botërore me avantazhe ekonomike edhe politike ashtu si edhe për Sofjen e porsahyrë në familjen evropiane, që e servir vepren edhe si letërkredencialet e saj më të mira. "Është një vepër me rendësi strategjike për rajonin më të gjerë pasi kontribuon në zhvillimin dhe bashkëpunimin e vendeve dhe popujve të saj" tha Karamanlis. "Është një shembull i shkëlqyer i marrëdhënieve të partneritetit" sipas presidentit Putin i cili tha se do të kontribuojë edhe në stabilitetin e rajonit të Ballkanit. "Si shembull të një bashkëpunimi konstruktiv" e përcaktoi nga ana e tij kryeministri bullgar Stanishev.

Naftësjellësi i nëndheshëm prej 279 kilometrash i gjatë, 161 në territorin bullgar edhe 118 në atë grek, i cili bashkon siç thuhet tre kombe, dy dete dhe dy kontinente, do të fillojë nga ndërtimi vitin e ardhshëm dhe do të përfundojë në vitin 2011. Nga terminalet e portit të Burgasit -ku do të përfundojë e transportuar me çisternat lundruese nga Novorosisku nafta e Kaspikut- do të transportohen në portin grek të Aleksandrupolit dhe prej andej në perendim, po me çisterna, 35 deri 50 milion tonë naftë në vit që do të lehtësojnë ndjeshëm ngushticen e renduar të Bosforit nga aktualisht kalojnë 100 milionë tonë naftë në vit nga 110 të disponueshme. Vepra gëzon përkrahjen e plotë të Bashkimit Evropian të vënë ndërkohë nën presionin e Uashingtonit për mosvartësi të tij të njëanshme nga burimet energjitike ruse.

Vetë definimi i marrëveshjes, të iniciuar që prej 14 vjetesh, kaloi përmes 40 valëve të një presioni të tillë që arriti kulmin në finishin e saj. Nga njëra anë Putin, që me shantazhin e opcioneve alternative si naftësjellësi Bluestream II siguroi kontrollin e plotë të vepres me 51% të aksioneve, përkundrejt 24.5% të Sofies edhe Athinës. Nga ana tjetër Uashingtoni me interesimin e tij për blerjen e një pjese të aksioneve greke edhe bullgare të naftësjellësit nga firmat si Chevron dhe veçanërisht insistimin e tij për furnizimin e gazsjellësit Turqi-Greqi- Itali me gazin e Azerbaxhanit, Iranit edhe Irakut.

Ndihmës sekretari amerikan i shtetit Matthew Bryza, që u gjend këto ditë në Athinë, mësohet se pati një takim të posaçëm, që u mbajt i fshehtë, edhe me ministrin grek të Zhvillimit Shufas. Gazi ishte nga motivet kryesore, thuhet, që solli dje, për të tretën herë brenda dy vjetesh, presidentin Putin në Athinë ku paraqiti të njëjtin argument, si edhe në Romë, se gazi rus do të jetë i disponueshëm që me përfundimin e gazsjellësit, në vitin 2010, kurse ai i Azerbaxhanit, të Shah Deniz, njërit prej burimeve më të mëdha në botë, 2 vjet më vonë.

Sidoqoftë, i vënë përballë një "lufte të ftohtë energjitike" siç thotë një pjesë e analistëve, apo jo, Ballkani me naftësjellësin Burgas-Aleksandrupoli, një segment-kyç i një rrjeti më të gjerë ndërkontinental lindje-perendim aspiron të kthejë një faqe të re duke konfirmuar më si miri pozitën e tij të rëndësishme energjitike dhe gjeopolitike në skenën evropiane dhe botërore.