1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Duhet që të kujdesemi në mënyrë afatgjatë dhe me përgjegjësi për Afrikën

Monika Ditrich25 Prill 2007

Kancelarja gjermane, Angela Merkel priti të martën në Berlin dy personalitete, kryeministrin britanik Toni Bler dhe ish-sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Kofi Annan, i cili drejton tani Komisionin për përparimin në Afrikë.

https://p.dw.com/p/AqmP
Merkel me miqtë në Berlin
Merkel me miqtë në BerlinFotografi: AP

Kryeministri britanik, Toni Bler (Tony Blair) bëri thirrje para dy vjetësh gjatë takimit botëror të nivelit të lartë për ekonominë në Glenigëls, (Gleneagles) të Skocisë që luftimi i varfërisë në Afrikë të jetë temë kryesore e axhendës politike. Pas disa javësh Angela Merkel do të presë në Heiligendamm përfaqësuesit e grupit të G8. Dhe edhe ajo ka ndër mend që ta vërë këtë çështje në krye të axhendës së takimit.

Bler u shpreh kundrejt kancelares se është tepër i kënaqur që edhe ajo e sheh problemin e Afrikës si prioritar, sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me një çështje morale, por edhe me interesat e Evropës:

"Sa më tepër shoh se ç'ndodh në Afrikë, sidomos në rajonet e krizës në Somali apo Sudan, aq më tepër jam i bindur se duhet që të kujdesemi në mënyrë afatgjatë dhe me përgjegjësi për Afrikën. Në të kundërt vetë Evropa do të ndjejë edhe më shumë efektet e varfërisë, të shpërnguljeve masive të popullsisë dhe të përhapjes së terrorizmit."

Kancelarja, Angela Merkel i miratoi këto fjalë të Blerit duke shtuar se shpreson që takimi i G8 në qershor do të japë një impuls të ri sa i përket ndihmave për Afrikën.

Në planin e aksionit për Afrikën që miratuan para dy vjetësh vendet e G-8s në Glenigëls parashikon dyfishimin e ndihmave për zhvillimin deri në 50 miliardë dollarë. Po ashtu shefat e shteteve dhe të qeverive të G8 ranë dakord t'u falin vendeve më të varfra të botës borxhet që shkojnë deri në 40 miliardë dollarë.

Në këtë mënyrë qëllimet kryesore tashmë janë përcaktuar dhe sipas kancelares gjermane Angela Merkel: “Tani është fjala që ta shfrytëzojmë kohën dhe të ndërmarrin hapat respektivë për t'i përmbushur këto qëllime. Kjo do të thotë që në vitin 2010 dhe pastaj në vitin 2015 ne duhet të kemi arritur disa gjëra. E rëndësishme është që të mos biem të stanjacion dhe në 2008 apo 2009 të themi se për fat të keq na paska rënë shumë vonë ndër mend për këtë."