1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Armë paqësore e demokracisë

Spiros Moskovou
21 Prill 2017

50 vjet më parë, ushtria bëri puç në Greqi. Pas marrjes së pushtetit me dhunë pasuan shtatë vite diktaturë. Deutsche Welle luajti në këtë periudhë një rol krejt të veçantë.

https://p.dw.com/p/2bdZd
Militärputsch in Griechenland 1967
Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Haber

Në mëngjesin e 21 prillit 1967, tanket zaptuan qendrën e Athinës. Kjo ditë do të hyjë në historinë e Greqisë si dita e puçit të kolonelëve. Një trupë e vogël rreth kolonelit Papadopoulos vjen me puç në pushtet në Greqi dhe i imponon vendit një diktaturë shtatëvjeçare. Puçistët kanë frikë nga zgjedhjet në prag, të cilat i kishte caktuar partia politike e qendrës, në luftën për pushtet me Mbretin e Greqisë. Prandaj ajo krijon fakte: që ditën e puçit, mijëra vetë, para së gjithash opozitarë të majtë arrestohen. Më vonë Mbreti shkon në emigracion.

Censura dhe përshtatja me imponim me linjën zyrtare e jetës publike, spiunimi dhe frika janë ato që i japin pamjen jetës në Greqi. Të vetmet burime informimi të lirë për popullin janë transmetuesit e huaj - fillimisht ishin BBC, Radio France dhe Radio Bukarest.

Griechenland Junta Militärdiktatur
Fotografi: picture alliance/AP Photo

Ora e Deutsche Welle-s

Në krye Deutsche Welle ishte pak e njohur. Kur ndodhi puçi, kishte vetëm tri vjet që Deutsche Welle transmetonte në valë të shkurtra. Programi i ngritur në vitin 1964 përpiqet fillimisht që të mos përzihet në politikën e brendshme greke. Por në vitin 1969, Drejtori i Ri i Përgjithshëm Walter Steigner merr së bashku me një ekip të angazhuar gazetarësh grekë një vendim tjetër. Ai i jep programit disi pa ngjyrë të deriatëhershëm, një karakter të qartë kritik ndaj regjimit. Me këtë Deutsche Welle e kaloi veten qartësisht në anën e atyre që luftojnë për demokraci dhe liri në Greqi.

Eksperimenti i politikës mediatike për grekët ka sukses. "Isha ende i vogël", kujton sot kabaretisti i njohur Lakis Lazopoulos. "E gjithë lagja i priste flokët te një berber i vjetër, në shtëpinë e tij. Një mbrëmje burri i vjetër nuk pranoi të m'i qethte flokët. Tani nuk mundem, më duhet të dëgjoj Deutsche Wellen. Kush është Deutsche Welle?" e pyeta. "Deutsche Welle është ajo që na tregon të vërtetën", më tha ai thjesht." Që prej kësaj mbrëmjeje, Lazopoulos e hapte vetë çdo mbrëmje në orën 21.40 radion për të dëgjuar përmes valëve të shkurtra programin nga Gjermania - ashtu si tri milionë grekë të tjerë, sipas vlerësimeve.

Fjalë të qarta në valë të shkurtra

Militärputsch in Griechenland 1967
Fotografi: picture-alliance/UPI

Programi grek raportonte gjerësisht për aktivitetet e rezistencës, që po krijohej në botën e jashtme. Njerëzit mësuan për herë të parë për fatin e luftëtarëve të rezistencës në Greqi - për arrestimet dhe torturat. Përmes një rrjeti të gjerë informuesish, Redaksia Greke mblidhte dhe përhapte të gjitha lajmet e rëndësishme, të cilat censuroheshin nga kolonelët. Nuk ishte punë e lehtë. Sepse redaksisë së atëhershme iu desh të bënte një ecje në tra ekuilibri. Të ruante ekuilibrin nga njëra anë midis së drejtës për raportim të lirë dhe interesave politike dhe ekonomike të Republikës Federale Gjermane në Greqi.

Ndryshe nga formulimet politikisht neutrale të BBC, komentet luftarake të Deutsche Welles u jepnin krahë dëgjuesve grekë dhe ishin halë në sy për juntën. "Bashkë me gruan dhe me fëmijët kemi dëgjuar dy vjet me radhë çdo darkë emisionin e DW në vendin ku më kishin internuar në Zatouna, dhe më kujtohet se si na i forconte ajo moralin dhe vendosmërinë tonë", kujton kompozitori i famshëm Mikis Theodorakis. "Ekziston një marrëdhënie midis Greqisë dhe Gjermanisë dhe qendra e atëhershme e kësaj marrëdhënieje ishte Deutsche Welle." Kështu transmetuesi gjerman u shndërrua në një armë paqësore të demokracisë.

Edhe Karolos Papulias punonte atëherë në redaksi, më vonë ai u bë President i Greqisë. "Ky emision përfaqëson për popullin grek një simbol historik në luftë për demokracinë dhe të drejtat e njeriut" e përshkruan ai edhe sot rolin e atëhershëm të DW. Emri "Deutsche Welle" prek edhe sot madje ata grekë, të cilët atëherë nuk kishin lindur, thotë Papulias.

Një histori e cila nuk e ka humbur deri më sot fuqinë e saj simbolike. Edhe në përpjekjen më të vogël për kufizimin e lirive qytetare dhe të fshehjes të së vërtetës, në Greqi i referohen instancës së vjetër. Kur para disa muajsh u publikuan në Greqi disa lajme të zbukuruara të qeverisë Tsipras për situatën e vendit, një portal prestigjoz grek interneti publikoi një artikull kritik me titullin: "Koha e Deutsche Welles do të vijë prapë".