1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dy bursistë nga Kosova njihen me sistemin parlamentar të Gjermanisë

Ajete Beqiraj4 Nëntor 2013

Bundestagu gjerman u mundëson me anë të bursave parlamentare 120 bursistëve nga 28 shtete të botës njohjen me sistemin parlamentar të Gjermanisë. Dy bursistë janë nga Kosova.

https://p.dw.com/p/1AAMh
Fotografi: Reuters

Kaltrina Shala, 24 vjeçare, nga Peja, ka studiuar në Fakultetitn Juridik dhe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtines, ka përfunduar masterin dhe aktualisht po përgatit temën e magjistraturës. Por e drejta e një burse për praktikë në Bundestagun gjerman ka një rëndësi të veçantë për të, sepse ajo beson që ky do të jetë çelësi drejt një karriere të suksesshme profesionale. "Puna praktike në Bundestagun Gjerman do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për të parë se si funksionon parlamentarizmi, demokracia dhe politikbërja në një vend të zhvilluar dhe me një ndikim të madh politik dhe ekonomik në botë siç është Gjermania", thotë Kaltrina, e cila shpreson që pas kthimit asaj t' i ofrohet mundësia për ta përçuar përvojën gjermane në institucionet e Kosovës.

Kaltrina është njëra ndër të 12 pjesëmarrësit në programin e Bursës Ndërkombëtare të Parlamentit (IPS) të Bundestagut gjerman, që jepet qysh nga viti 2007 si dhe njëra ndër të dy bursistët nga Kosova, që do të qëndrojnë në Gjermani në periudhën mars - korrik 2014. Milena Tutsch, zëdhënëse e Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, thotë për DW-në se kriteret që duhet të plotësojnë aplikantët për të përfituar bursat janë: "Studime të përfunduara në një fakultet, njohuri shumë të mira të gjuhës gjermane, të jenë nën moshën 30 vjeç si dhe të jenë të azhornuar në jetën politike dhe sociale".

IPS iu mundëson studentëve që të kryejnë një praktikë pesëmujore në zyrën e një deputeti, ku kanë mundësi të shohin nga afër punën e parlamentit gjerman dhe të jenë pjesë e të gjitha proceseve, shpjegon Tusch, e cila shton se: "Në këtë mënyrë studentët do të kenë mundësinë të shohin se si formësohet vullneti demokratik në Gjermani, i cili në aspekte të caktuara mund të jetë shembull për Kosovën. Me thesarin e çmuar të përvojave nga praktika dhe nga njohuritë ekzistuese të gjuhës gjermane, ata që marrin pjesë në këtë program parimisht kanë mundësi të mira, që të gjejnë një vend të mirë pune në Kosovë".

Ish-buristët: Pak hapësirë për bartjen e përvojës në institucionet e Kosovës

Internationales Parlamentsstipendium IPS
Milena TuschFotografi: DW
Internationales Parlamentsstipendium IPS
Kaltrina ShalaFotografi: DW

Por, ndryshe e shohin këtë ish-bursistët, ndër të cilët është edhe Mevlyde Hyseni. "Si grup i Alumnit të programit IPS nuk kemi parë ndonjë interesim nga institucionet e Kosovës për të bashkëpunuar apo për të përfituar nga pervojat e sjella nga Gjermania dhe puna në parlament", thotë Hyseni. Nga përvoja e saj ajo vë në dukje, se fakti që ajo është e diplomuar në gjuhë dhe letërsi gjermane dhe sjell një pervojë parlamentare nga Bundestagu, nuk u përfill kur ajo aplikoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës. Aktualisht koordinatore e projekteve për Fondacionin Friedrich Ebert, në Prishtinë, Hyseni ishte bursiste e programit IPS në mars-korrik 2010.

Internationales Parlamentsstipendium IPS
Mevlyde HyseniFotografi: DW

"Ky grup merrej kryesisht me vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Gajtë kësaj përvoje me deputetin Peter Weis dhe kolegët, unë bëja hulumtime, përgatisja raporte, ndihmoja në organizimin e takimeve, mbaja kontakte dhe iu përgjigjesha e-mailave që vinin nga zona elektorale dhe elektorati i deputetit", thotë Hyseni, e cila nga kjo përvojë mesoi t'i kuptojë më mirë proceset politike dhe ato të vendimmarrjes dhe pas kthimit ishte në gjendje t'i vlerësojë ato në mënyrë me reale. "Mësova se një iniciativë duhet të kaloj nëpër disa faza derisa të shkojë në parlament, të miratohet dhe të realizohet, ndërsa para kësaj shtrihet një proces i gjatë i cili kërkon durim. Mësova se transparenca është shumë e rëndësishme në një vend demokratik dhe për një qeverisje të mirë, ndërsa kultura dhe përgjegjësia politike në Gjermani është në nivel shumë të lartë, prej nga Kosova është mjaft larg. Ndërsa, përshtypje më bëri transparenca, përgjegjesia politike, afërsia e politikëbërësve me qytetarët si dhe involvimi i qytetarëve në proceset e vendimmarrjes".

Programi i Bursave Ndërkombëtare të Bundestagut gjerman(Internationales Parlamentsstipendium IPS)është nën patronazhin e Presidentit të Bundestagut Gjerman dhe zbatohet në bashkëpunim me tri universitete berlineze. Afati i fundit për aplikim për IPS është gjithmonë 30 qershori i vitit paraprak. Ndërsa përzgjedhja e kandidatëve bëhet nga një komision i pavarur, i përbërë nga një anëtar i Bundestagut gjerman si dhe nga përfaqësues të Universiteteve të Berlinit.