1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dy konkurrentë, katër gazetarë dhe 20 milionë teleshikues

Jens Thurau3 Shtator 2005

Një ditë para duelit televiziv mes kancelarit gjerman, Gerhard Schröder dhe kandidates së Unionit kristian demokrat e kristiansocial, Angela Merkel. Interesi në Gjermani është shumë i madh

https://p.dw.com/p/Ar2s
Dy konkurentë për postin e kancelarit
Dy konkurentë për postin e kancelaritFotografi: dpa - Bildfunk

Dueli televiziv mes kancelarit, Gerhard Schröder dhe sfidueses së tij, Angela Merkel aq i pritur në Gjermani u shoqërua me debate paraprake. Fillimisht u diskutua gjatë, nëse duhej zhvilluar një apo dy duele televizive. Kancelari Schröder ishte për dy debate, kandidatja Angela Merkel vetëm një. Kancelari vetë e mori këtë çështje me qetësi: Në të vërtetë kjo nuk duhet kthyer në temë të debatit zgjedhor. Bëhet fjalë për më shumë, për përmbajtjen, për përvojën, qëndrueshmërinë dhe kujt i besohet herë pas here më shumë forcë veprimi, për t'a nxjerrë vendin nga situata e vështirë. Këtë nuk duhet të harrojmë.

Schröder ka arsye të jetë kaq i qetë. Ai konsiderohet si njeri me përvojë në media dhe me më shumë përvojë televizive se sa sfiduesja e tij, e cila nganjëherë shfaq tendenca padurimi. Kjo u duk edhe në një miting zgjedhor në Warnermünde, ku ajo u provokua nga disa pjesëmarrës. Angela Merkel humbi durimin: Tani nuk mjafton ajo që të dërdëllisim, siç po bëjnë disa këtu. Tani është koha që të fusim diçka në tru, për t'a thënë copë, në mënyrë që më vonë të punohet ashtu si duhet.

Këshilltarët e Angela Merkelit i propozuan asaj vetëmn një duel televiziv- jo dy siç u bë para tre vjetësh. Edhe në rast se kjo të jep përshtypjen sikur zonja Merkel tërhiqet. Dueli do të zgjasë 90 minuta dhe aty do të jenë katër gazetarë në vend të dy gazetarëve në duelin e mëparshëm mes Schröderit dhe kandidatit të atëhershëm, Stoiber. Dy gazetarë do të jenë nga televizionet publike, ARD ZDF dhe dy të tjerë nga programet private, RTL dhe SAT1. Synimi është që këtë herë dueli të mos jetë aq i ngurtë si i mëparshmi. Kandidati i atëhershëm, Stoiber, bëri një figurë shumë më të mirë nga sa pritej, megjithëse, kancelari Schröder mori më shumë pikë nga teleshikuesit.
Kryeministri bavarez dhe ish kandidat për kancelar, Edmund Stoiber pata tre vjetësh profetizoi: Mund t'a përshëndesësh apo të ankohesh. Kjo është një pjesë e amerikanizimit. Por unë mendoj, se asnjë fushatë zgjedhore nuk mund të zhvillohet më pa këtë diskutim direkt dhe konfrontim mes kancelarit aktual dhe sfiduesit të tij.

Regjizori me përvojë, Volker Weicker nuk synon të tregojë pamje nga afër. Nuk janë planifikuar për shembull të tregohen pamje nga afër të duarve të djersitura. Fokusi do të përqëndrohet tek argumentat. Realisht është planifikuar vetëm një duel direkt mes kancelarit dhe kandidates Merkel, por të dy konkurentët do të takohen dy herë para kamerave. Në datën 12 shtator, Schröder do të marrë pjesë në një program të ARD-së ku do të debatojnë shefat e partive gjermane. Kryetari i socialdemokratëve, Franz Müntefering, këtë radhë ja ka lënë karrigen e tij, kancelarit.