1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dy viktimat e protestave të së shtunës kanë qenë të goditur në kokë me plumba gome

Bekim Shehu13 Shkurt 2007

Policia ndërkombare ka siguruar qytetarët e Kosovës se komisioni i pavarur që po heton dhunën në protestën e së shtunës nuk do të fshehë asnjë fakt

https://p.dw.com/p/ArYc
Pamje nga demonstrata
Pamje nga demonstrataFotografi: AP


Krerët e policisë ndërkombëtare në Kosovë konfirmuan se dy personat që humbën jetën nga plagët e marra në protestën e lëvizjes vetvendosje, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, kanë qenë të goditur në kokë me plumba gome të perdorur nga policia ndërkombëtare. Komisari i policisë ndërkombëtare Steven Kurtis, tha se për këtë ai ka kërkuar që të zhvillohet një hetim i pavarur, nëse policia ka qenë e detyruar të perdorë plumbat e gomës apo jo.

"Unë i siguroj qytetarët e Kosovës se hetimet do të jenë të pavarura dhe të hapura dhe faktet do të jenë të njohura sapo komisioni të përfundojë punën. Unë mund t’iu sigurojë se policia nuk ka asgjë për të fshehur", tha Stiven Kurtis. Ai tha se hetimet ndaj organizatës "Vetvendosje" do të vazhdojnë, dhe do të ngrihen akuza ndaj nxitësve të dhunës.

Policia sipas tij ka pasur informacione që demonstruesit do të dëmtojnë ndërtesat qeveritare, sepse kjo sipas tij është dëshmuar edhe në protestën e fundit të "Vetvendosjes" kur demostruesit shkatërruan ndërtesat e institucioneve qendrore të Kosovës. Edhe zëvëndëshefi i UNMIK-ut, Stiven Shuk, siguroi qytetarët e Kosovës,
komisioni hetimor do të bëjë një punë të pavarur dhe do të zbardhë në tërësi rrethanat e vdekjes së dy protestuesve.

Nuk do të lëmë gurë pa përmbysur derisa të arrijmë në rezultatet përfunditare të hetimeve dhe të konstatojmë se pse ndodhi dhe si ndodhi dhuna e së shtunës së shkuar. Të gjithë ata që kanë shkaktuar dhunë do të përballen me organet e drejtësisë, tha Stiven Shuk. Zëvëndësshefi I UNMIK-ut, Stiven Shuk, tha se ai është thellë i zhgënjuer me atë çfarë ndodhi të shtunën në Kosovë.

Dhunimi i objekteve qeveritare sipas tij është e papranueshme dhe kjo sipas tij dërgon një mesazh shumë të keq tek faktorët ndërkombëtare në këtë fazë kritike që ndodhet Kosova. Ai tha se kjo situatë është e ndjeshme, sepse të gjithë në botë tanimë janë duke shikuar nga Kosova dhe nëse ata shohin dhunë rrugëve të Prishtinës, kjo gjë nuk është aspak mirë për Kosovën.