1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Refugjatët në Maqedoni

Fatos Musliu13 Qershor 2015

Maqedonia po përballet me një valë të madhe refugjatësh nga Siria dhe Afganistani. Shumica e shohin Maqedoninë si vend tranzit para se të kalojnë në vendet veriore të BE-së. Por rruga drejt Europës është me rrezik jete.

https://p.dw.com/p/1FgbO
Bildergalerie Mazedonien Transitland für Flüchtlinge
Maqedonia si vend tranzitFotografi: Getty Images/AFP/R. Atanasovski

Emigrantët, të cilët e braktisin vendlindjen për shkak luftërave dhe persekutimit në vendet e Lindjes se Mesme, Afrikës Veriore, sidomos ata nga Siria dhe Afganistani, janë duke përdorur gjithnjë e më shpesh vendet e Ballkanit si tranzit për të arritur në vendet e Evropës Perëndimore. Ky rrugëtim që zgjat shumë më gjatë, por që është më i sigurt se sa përmes Mesdheut , ka shndërruar Maqedoninë në një destinacion kyç për të arritur në vendet e BE-së. Emigrantët nga Lindja e Afërt përmes Greqisë hyjnë në Maqedoni. Në kufirin jugor të Maqedonisë, në Gjevgjeli, në muajt e fundit vihet re gati për ditë një lumë emigrantësh që hyjnë në vend. Të dhënat e Organizatës “Mjekët pa Kufi”, tregojnë se së paku 300 persona kalojnë nga Greqia në Maqedoni, si pjesë e valës së emigrantëve për në Evropë.

Peripecitë e emigrantëve

Në stacionin hekurudhor në qytezën Demir Kapi, emigrantët sirianë dhe afganë bëjnë përpjekje mbinjerëzore për të siguruar hipjen në tren, i cili do t'i sillte deri në kufirin me Serbinë. Për 30 sirianë ëndrra për një jetë më të mirë duket se është ndalur në Demir Kapi, kur e ndaluan nga policia maqedonase. Të mbledhur në një cep, burra , gra dhe fëmijë të stërlodhur pritnin fatin për të udhëtuar drejt ndonjë destinacioni evropian.

“6 ditë kemi ecur në këmbë nga Gjevgjelia. Me ne ka edhe fëmijë. Në Maqedoni qyetarët nuk na ngacmojnë. Dikush na jep ushqim dhe ujë. Por jemi shumë të lodhur, dhe dëshirojmë të arrijmë sa më shpejt në Evropën perëndimore”, shprehet një emigrant nga Siria.

Bildergalerie Mazedonien Transitland für Flüchtlinge
Fotografi: Getty Images/AFP/R. Atanasovski

“Familja ime tre anëtarëshe është nga Siria. Tani prej më se 10 ditësh gjendem në territorin e Maqedonisë. Nuk kemi as ushqim e as veshmbathje. Më shumë udhëtojmë natën sepse gjatë ditës mund të na kapë policia”, thotë Salah, emigrante nga Siria e cila në Turqi është ndarë nga familja e saj e ngushtë. Destinacioni i fundit i saj është Gjermania.

Organizatat humanitare ndihmojnë emigrantët

Aktivistët e organizatave humanitare kanë dalë në terren për t'iu dhënë ndihmën e parë emigrantëve, të cilët rrugëtojnë në grupe përmes linjës hekurudhore Gjevgjeli-Kumanovë. Blerta Daci, aktiviste në organizatën humanitare “Legis” thotë se emigrantët gjatë rrugëtimit përmes Maqedonisë përballen me rreziqe edhe për jetën e tyre.

“Në Demir Kapi shpëtuam jetën e një gruaje të sëmurë pasi siguruam vendosjen e saj në spital. Në mesin e emigrantëve ka edhe gra shtatzëna. Këtyre njerëzve u duhet dhënë ndihmë urgjente”, thotë Blerta Daci.

Maqedonia disponon dy kampe refugjatësh

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme Ivo Kotevski thotë se Maqedonia po përballet me një dukuri shqetësuese të emigrantëve nga Lindja e Mesme. Pjesa më e madhe e tyre nuk kanë dokumente udhëtimi.

“Mijëra emigrantë në mënyrë ilegale kalojnë kufirin duke synuar të arrijnë në vende më të pasura, përkatësisht në ato që janë pjesë e BE-së. Mund të konstatojmë se bëhet fjalë për një problem shumë të ndjeshëm që tangon jo vetëm Maqedoninë por të gjitha vendet e rajonit”, shprehet Kotevski.

Bildergalerie Mazedonien Transitland für Flüchtlinge
Fotografi: Getty Images/AFP/R. Atanasovski

Në Maqedoni ekzistojnë dy kampe ku strehohen të gjithë ata që kërkojnë azil, njëri në Vollkovë, që gjendet në periferi të Shkupit, kurse tjetri në Gazi Babë, që gjendet në qendër të Shkupit. Në këtë të fundit ka filluar revolta e emigrantëve të cilët kërkojnë kushte më të mira dhe mundësi sa më të shpejtë të daljes nga Maqedonia për të udhëtuar në Evropë.

Ixhet Memeti Avokat i Popullit thotë se kushtet në këto kampe janë shumë të këqija. “Realisht në këto kampe nuk ka vend për të gjithë. Për momentin aty janë të strehuar mbi 500 persona, nuk ka shtretër të mjaftueshëm andaj burrat detyrohen të flenë në tokë. Është shqetësues fakti se në mesin e të strehuarve ka edhe fëmijë të mitur pa prindër. Një situatë e tillë në kampe është shumë e patolerueshme”, thotë Avokati i Popullit Ixhet Memeti.

Maqedonia ka nevojë për ligj të ri për azil

Përfaqësuesi i UNHCR-së në Maqedoni, Muhamed Arif, thotë se qeveria e Maqedonisë me urgjencë duhet të ketë ligjin që do t'iu mundësojë emigrantëve të udhëtojnë të sigurt në shtet. “Këta persona nuk kanë problem në Greqi apo Serbi, ku mund në mënyrë të ligjshme të udhëtojnë, ata kanë problem këtu në Maqedoni, ku në mungesë të ligjit ata janë të detyruar të udhëtojnë me ditë të tëra në binare shinash duke vënë jetën e tyre në rrezik”, shprehet Arif.

Si pasojë e rritjes së numrit të emigrantëve ilegalë që synojnë kalimin tranzit në Maqedoni, qeveria e Maqedonisë ka nisur ndryshimet e ligjit për azil. Ministri i punëve të brendshme Mitko Çavkoç thotë se ndryshimet në ligjin për azil pritet të reflektojnë zbutjen e këtij fenomeni me përmasa ndërkombëtare. “Ndryshimet në ligjin për azil duhet të miratohen shumë shpejt dhe kjo do të jape imput në zvogëlimin e fenomenit të përballjes së Maqedonisë me emigrantët”, shprehet Çavkov.

Masa për parandalimin e kontrabandës me emigrantë

Policia maqedonase me qëllim të parandalimit të kontrabandës me emigrantët ka kryer një aksion në Vaksincë, fshat në afërsi të kufirit midis Maqedonisë dhe Serbisë ku në dhjetë objekte janë kapur 130 emigrantë. Gjatë këtij aksioni policor janë privuar nga liria 4 trafikantë, banorë të Likovës të cilët për strehim të emigrantëve mesatarisht atyre u kanë marrë nga 1 mijë e 500 euro.

Gjatë rrugës tranzitore të emigrantëve sirianë dhe afganë nëpër Maqedoni në pesë muajt e parë të këtij viti janë shënuar dy raste tragjike. Ai i vdekjes së 16 emigrantëve, të cilët u goditën nga treni që po udhëtonte në destinacionin Veles-Shkup dhe rasti i fundit me rrokullisjen e një furgoni me 18 emigrantë, ku shumica e tyre përfunduan në spital.