1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

E ardhmja e Ballkanit në vëmendje të Asamblesë Parlamentare të Nato-s

Anila Shuka27 Maj 2008

Problemet kryesore të trajtuara në komitetet e asamblesë: Afganistani, Kosova, zgjerimi i Nato-s dhe përmirësimi i kapaciteteve si dhe e ardhmja e saj në planin afatgjatë edhe në lidhje me Rusinë.

https://p.dw.com/p/E6W4
Flamuri i Nato-s
Flamuri i Nato-sFotografi: picture-alliance / dpa

Në Berlin përfundon sot (27.05) punimet Asambleja Parlamentare e Nato-s. Të hënën në mbrëmje delegatët që marrin pjesë në të ashtuquajturin takim të pranverës u takuan me kancelaren gjermane Angela Merkel, ndërsa sot ata kanë seanca pyetje përgjigjesh me sekretarin e përgjithshëm Jaap de Hoop Scheffer dhe Ministrin Gjerman të Punëve të jashtme Frank Walter Steinmeier. Në asamble merr pjesë edhe një delegacion nga Shqipëria.

Urime dhe përshëndetje për delegacionin shqiptar

Nuk është hera e parë që Shqipëria merr pjesë në asamblenë parlamentare të Natos, thotë Leonard Demi, kryetar i delegacionit, por "kësaj here ka një ndryshim shumë të madh, sepse vjen menjëherë pas samitit të Bukureshtit ku Shqipëria ka marrë ftesën për anëtarësim në Nato dhe vendi ynë është pothuajse njësoj me vëndet antare", shton ai.

Urime dhe përshëndetje morën të tre antarët e delegacionit shqiptar, Leonard Demi dhe kolegu i vet i PD-së Bujar Leskaj, si dhe deputeti socialist Pandeli Majko, për ftesën e Bukureshtit, një ftesë, që sipas Majkos i falenderohet si qeverisë ashtu edhe opozitës, "Vendimmarrja për Shqipërinë nuk do të thotë se ne i kemi plotësuar të gjitha standardet për të hyrë në Nato, por më mirë t'i rregullosh gjërat brenda familjes, se sa jashtë saj." thotë ish-kryeministri i Shqipërisë. Tani sërish kërkohet nga të dyja që të bashkëpunojnë, për ta justifikuar këtë anëtarësim: "Sfida më e madhe është të kemi zgjedhje, të cilat pala humbëse të mos i përjetojë si një traumë apo t'i kundërshtojë rezultatin e tyre duke vënë në dyshim gjithë sistemin politik të Shqipërisë qysh 24 orë pas zgjedhjeve."

Problemet kryesore të trajtuara në komitetet e deritanishme kanë qenë Afganistani, Kosova, zgjerimi i Nato-s dhe përmirësimi i kapaciteteve si dhe e ardhmja e saj në planin afatgjatë, edhe në lidhje me Rusinë. Një seancë iu kushtua të ardhmes së Ballkanit.

Rezolutë e përbashkët e asamblesë

Të martën në mbrëmje (27.05) parlamentarët pritet të dalin me një rezolutë të përbashkët, të cilën do t'ia dorëzojnë sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, i cili më parë do t'u përgjigjet pyetjeve të tyre. Por ajo që dihet, vendimet e asamblesë nuk janë obliguese për Aleancën Atlantiko-Veriore, gjithësesi ndikimi nuk duhet nënçmuar, mendojnë parlamentarët: "Asambleja nuk duhet parë si një vend ku të gjithë rrinë sipas një procedure tepër liberale, pra "kuvend ndrikullash" ku thuhet gjithçka e nuk vendoset asgjë, përkundrazi, asambleja parlamentare e Nato-s është pulsi i parë për të vërtetuar në se je apo nuk je në drejtimin e duhur", thotë Majko.