1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

E ardhmja e Kosovës: Tani në skenë vjen BE-ja

Verica Spasovska/Koment11 Dhjetor 2007

BE-ja po përpiqet të procedojë në mënyrë të koordinuar, me qëllim të kalimit paqësor tek një pavarësi e kontrolluar.

https://p.dw.com/p/Ca6k
Fotografi: picture-alliance / Sven Simon
Afati i fundit i vendosur për kompromisin mes Prishtinës dhe Beogradit skadoi pa asnjë rezultat në 10 dhjetor. Presidenti serb, Boris Tadiç bëri të ditur se në rast të deklarimit të pavarësisë së Kosovës ai do të thërrasë Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë. Ndërkohë Bashkimi Evropian mund të influencojë vetëm po të bëjë koncesione të gjera në drejtim të zgjerimit mendon në komentin e saj Verica Spasovska Pavarësia dhe modeli multietnik
Tani nuk shtrohet më pyetja nëse, por se kur do ta shpallë pavarësinë Kosova. Këtë e dinë prej kohësh edhe ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, që prej vitesh përpiqen për arritjen e kompromisit mes shqiptarëve dhe serbëve. Megjithë angazhimin intensiv qëndrimet në të dy kampet kanë mbetur të papajtueshme. Por që prej mbështetjes së shprehur nga Uashingtoni nuk ka më kthim mbrapa për shqiptarët e Kosovës. Pavarësia jo vetëm që do sjellë sovranitetin kombëtar, por edhe hovin ekonomik. Për shumë serbë të mbetur në Kosovë ky do të ishte edhe si një sinjal për të emigruar drejt Serbisë. Sepse një gjë është e qartë: Modeli multietnik, të cilin bashkësia ndërkombëtare e kishte shkruar me gërma të mëdha ka dështuar. Megjithë mbështetjen ndërkombëtare është thelluar hendeku mes shqiptarëve dhe serbëve në vitet e fundit, pakicat etnike në Kosovën e dominuar nga shqiptarët nuk ndjehen ende të sigurta.

Serbia pa Kosovën

Tetë vjet pas intervenimit të NATO-s kundër regjimit të Millosheviçit, Serbia ka humbur Malin e Zi, tashmë do të humbë Kosovën. Për shumë serbë ky është një poshtërim kombëtar dhe do të zgjojë refleksin e afrimit të mëtejshëm me Rusinë. Megjithatë duhet pritur nëse qeveria në Moskë do të mbështesë seriozisht Beogradin, apo ajo po e përdor çështjen e statusit për demonstrimin e pushtetit të vet.

Radhën e ka BE-ja

Tashmë topi është hedhur në anën e BE-së, e cila duhet mbështesë misionin e OKB-s. Brukseli ka nxjerrë mësime pas përvojave të 15 viteve të fundit. Tashmë BE-ja po përpiqet të procedojë në mënyrë të koordinuar, me qëllim të kalimit paqësor në një pavarësi të kontrolluar. Kjo mund të bëhet vetëm po qe se perspektiva e anëtarësimit i ofrohet jo vetëm Kosovës, por edhe Serbisë. Duhet kuptuar si shans historik që të bëhesh sërish pjesë e barabartë e Evropës pas vitesh të tëra izolimi. Kjo nënkupton që BE-ja të ndjekë një linjë të besueshme në politikën e zgjerimit dhe të vlerësojë arritjet e para në vendet e Ballkanit perëndimor. Në fund të fundit në një Evropë pa kufij, çështja e shteteve kombëtare një ditë do dalë jashtë kohe.

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë