1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

E drejtë apo shkelje bastisja në redaksinë e "Cicero"?

Judith Hartl14 Tetor 2005

Bastisja në lokalet e revistës "Cicero" u dënua si grusht ndaj lirisë së shtypit. Komisioni i brendshëm i bundestagut mori në pyetje ministrin e brendshëm, Oto Shili

https://p.dw.com/p/Aqt2
Ministri i brendshëm gjerman, Oto Shili
Ministri i brendshëm gjerman, Oto ShiliFotografi: AP

Në shtator policia bastisi jo vetëm lokalet e kësaj gazete, por edhe banesën e njërit prej bashkëpunëtorëve. Sfondi i këtyre aksioneve ishte bërja publike e gjërave sekrete. Në një artikull për udhëheqësin terrorist, Abu Musab el Sarkavi, ky bashkëpuntor ka cituar dokumente sekrete të Entit Federal të Kriminalistikës.

Kështu pak para përfundimit të mandatit të tij, ministri i brendëshëm gjerman, Oto Shili sërish u vendos nën presion. Me orë të tëra, ministri u detyrua të përgjigjet pyetjeve të Komisionit të brendshëm. Mirëpo ai këmbëngulin në qëndrimet e tij, se kritikat janë të pabazuara.

Qëllimi i aksionit të policisë ishte gjetja e një burimi në Entin Federal për Kriminalistikën, prej nga kanë rrjedhur informacionet.
Një burim në këtë Ent i ka dhënë informacione sekrete gazetarit të revistës Cicero, lidhur me terroristin jordanez Abu Musab el Sarkavi. Ky ishte edhe shkaku i bastisjes policore, gjatë së cilës janë marrë shënimet dhe kompjutori i gazetarit. Shpjegimi ishte: ndihma në bërjen publike të informacioneve sekrete. Kryeredaktori i gazetës Cicero i vlerësoi këto aksione si të tepruara: "Gazetarët nuk janë mbajtës të mikrofonave apo raportues oborresh. Ata duhet të bëjnë publike edhe gjërat jo të këndshme. Pa marrë parasysh nëse kjo u pëlqen njerëzve në pushtet apo jo. Qoftë ai edhe Oto Shili", u shpreh ai.
Shumë politikanë i kanë quajtur këto bastisje si një grusht ndaj lirisë së shtypit. Kështu mendon edhe zëvendëskryetari i Unionit, Volfgang Bosbah: Thuhet se shkaku kryesor i bastisjes së shtëpisë ishte zbulimi i një vepre të dënueshme dhe të aktorit të saj. Në esencë fjala ishte për disiplinimin e shtypit". Maks Stadler i partisë liberale kërkon:" Gazetarët nuk kanë lirinë e duhur juridike, por kanë nevojë për lirinë prej shtetit, që të marrin informacione dhe të raportojnë në mënyrë kritike. Prandaj, mendoj se bastisjet në Cicero kanë tejkaluar të gjitha masat e duhura".
Ministri i brendëshëm gjerman Oto Shili mendon të kundërtën: "Shteti nuk mund të lejojë që dokumentet më sekrete të bëhen publike, sepse në këtë mënyrë rrezikohen hetimet" këmbëngul Shili.

Politikani i CDU-së, Tomas Shtrobl, kritikon autoritetet e Entit Federal për Kriminalistikë, për faktin, se ende nuk kanë gjetur burimin e informacioneve në radhët e veta. Ndërkohë që nuk ka bërë përpjekje të kontaktojë gazetarin me qëllim që të mos i bëjë publike këto të dhëna. Aq më shumë kur dihet, se gazetari kishte kërkuar një bisedë në ministrinë e brendshme. Shtroble thotë, se ministri Shili i ka injoruar këto kërkesa. Ai ka humbur paksa lidhjet me realitetin dhe respektimin e parimeve ligjore.