1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

D Aufenthaltstitel

17 Shtator 2009

Ai që kërkon të vijë në Gjermani për të jetuar, studiuar ose punuar, ka përpara një xhungël ligjesh. Çfarë është leja e qëndrimit ? Pas sa kohe qëndrimi në Gjermani mund të merret leja e pakufizuar e qëndrimit?

https://p.dw.com/p/Jimi
Nxënës me pllakata në Hamburg kërkojnë më shumë të drejta për moshatarët.
Nxënës në Hamburg kërkojnë më shumë të drejta për moshatarët.Fotografi: picture-alliance / dpa

Me ligjin e migracionit që hyri në fuqi më 1 janar 2005 u ndryshua edhe e drejta e qëndrimit në Republikën Federale të Gjermanisë. Që prej kësaj date ekzistojnë dy forma të lejes së qëndrimit. Kushtet bazë për marrjen e të dyja lejeve janë baza financiare për jetën e të interesuarit, mungesa e arsyeve për ta dëbuar nga vendi dhe që prania e tij të mos rrezikojë Gjermaninë.

Shkalla e parë e statusit të qëndrimit është leja e qëndrimit. Ajo jepet e kufizuar dhe e lidhur me një arsye qëndrimi. Rastet e zakonshme për dhënien e lejes së qëndrimit janë për ata të huaj, që studiojnë në Gjermani, shkojnë në kurse gjuhe ose specializimi. Po ashtu të tillë leje qëndrimi marrin edhe ata që hyjnë në Gjermani për arsye humanitare, politike.

Të huajt, të cilëve u njihet e drejta e azilit ose të cilëve nuk mund t`u rimerret statusi i së drejtës së azilit, marrin një leje qëndrimi të pakufizuar, kur kanë pasur më parë leje qëndrimi të kufizuar për tri vjet.

E njëjta gjë vlen edhe për bashkëshortët e qytetarëve gjermanë, që vijnë në Gjermani nga vende të tjera.

Ndërsa për tërheqjen në Gjermani të anëtarëve të familjes dhe bashkëshortëve të personave të huaj, që jetojnë në Gjermani, duhen plotësuar kushte të tjera, njëri prej të cilave është që personi të ketë të drejtën e rezidencës.

Kur plotësohen kushte të caktuara leja e qëndrimit mund të kthehet në leje të pakufizuar rezidence. Për ta marrë këtë duhet të kesh pasur prej pesë vjetësh lejen e qëndrimit, të sigurosh vetë bazën financiare të jetës, të zotërosh gjuhën gjermane dhe disa kushte të tjera.

Kjo formë e dytë e lejimit të qëndrimit nuk ka kufizime kohore dhe hapësinore. Me të mund të punohet në çdo vend pune, me përjashtim të profesioneve të caktuara, si për shembull mjek dhe zyrtar shteti. Në të shumtën e rasteve, e drejta e rezidencës nuk jepet menjëherë. Përjashtim bëhet vetëm për personat me kualifikim të lartë.

Një rregull i veçantë është parashikuar për qytetarët e BE-së. Ata kanë të drejtë të jetojnë në Gjermani, të studiojnë dhe punojnë. Ata marrin një leje speciale qëndrimi, e cila në shumicën e rasteve është e vlefshme për 5 vjet. Pas një qëndrimi pesëvjeçar në Gjermani, qytetarët e BE-së mund të marrin lejen e pakufizuar të rezidencës.

Statusi tjetër i qëndrimit që parashikon ligji i migracionit është viza. Ajo mund të jepet kur dikush ndodhet në kalim në Gjermani. Por vizat jepen edhe për qëndrime afatgjata ose afatshkurtra deri në 3 muaj, brenda një gjashtëmuajori të caktuar.

Autor: Sonila Sand/ Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi