1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Edhe pse ndryshimi i klimës është shkaku i takimit, prapëseprapë është konflikti i interesave ekonomike ai, që përcakton rrjedhën e tij"

18 Dhjetor 2009

Samiti për Klimën në Kopenhagë vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes edhe në të përditshmet gjermane.

https://p.dw.com/p/L725
Kancelarja, Angela Merkel, (CDU) flet me 17 dhetor 2009, në konferencën e klimësFotografi: AP

Në gazetën 'Heilbronner Stimme' lexojmë:

"Kush mund ta shpëtojë ende samitin? Barack Obama? Si do ta kthejë kokën nga shtëpia, në qoftë se në Danimarkë ai do ta rrisë ofertën e varfër për reduktimin e CO2, të cilën nuk është në gjendje ta zbatojë as në vendin e tij?. Apo Angela Merkel? As kancelarja gjermane nuk do të qëndrojë deri në fund të konferencës. Në fund pas një dështimi të gjithë do të kenë arsye ta quajnë tjetrin si bllokues të negociatave. Por në fund humbës do të jenë të gjithë", thuhet ndër të tjera në 'Heilbronner Stimme'.

Ndërkaq nga 'Frankfurter Allgemeine Zeitung' po për të njëjtën temë shkëpusim:

"(...) Synimi për të kufizuar rritjen e temperaturës me dy gradë dhe për të pakësuar në mënyrë drastike lirimin e gazërave, që shkaktojnë efektin serrë rrezikohet të zhduket pas mosmarrëveshjeve të mëdha. Por kjo nuk ka të bëjë me organizimin dhe drejtimin joprofesional të konferencës, por është çështje e interesave.(...) Një dështim, pra heqja dorë nga një marrëveshje globale për klimën nuk do të thoshte as fundi i politikës ndërkombëtare për klimën e as shkatërrimi i planetit. Me këtë rast do të dështonte përpjekja që një problem global të zgjidhet me pjesëmarrje globale. Faji atëherë nuk bie vetëm mbi nikoqirin danez, por mbi militantët e interesave kombëtare. Por ndoshta në Kopenhagë në fund megjithatë do të ngadhënjejnë arsyeja dhe ndjenja e përgjegjësisë", thekson në numrin e saj të sotëm 'Frankfurter Allgemeine Zeitung'.

Dhe në fund në 'Westdeutsche Zeitung', e cila botohet në Dyseldorf vërejmë:

"Në Kopenhagë duhej të shpëtohej bota. Ky nuk ishte vetëm plani i presidencës daneze, kjo ishte edhe esenca e shumë deklaratave politike nga kryeqytetet kryesore të botës. Megjithatë as apelet për përveshjen e mëngëve e as përpjekjet e minutave të fundit nuk mund të ndryshojnë realitetin dhe faktin, që dramaturgjia e samitit është parashikuar të jetë e tillë. Kush përcjell lojën e pokerit, që po zhvillohet në Kopenhagë, e kupton menjëherë se edhe pse ndryshimi i klimës është shkaku i takimit, prapëseprapë është konflikti i interesave ekonomike ai, që përcakton rrjedhën e tij".

Autor: Esat Ahmeti/dpa

Redaktoi: Angjelina Verbica